Bashkia: Rimbursim për taksitë vetëm me faturat

Feb 26, 2011 | 12:18
SHPËRNDAJE

Ky është qëndrimi i bashkisë pas shkrimit të botuar në gazetë, ku shpreheshin ankesat e sindikatës së taksisteve. “Pretendimi se Bashkia nuk njeh taksimetrat, nuk rezulton i bazuar ne sa kemi cituar me sipër. Asnjë taksist nuk është paraqitur me dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar rimbursimin. Pretendimi se përveç mandat-pagesës duhet “fatura”, nuk rezulton i bazuar në VKM, pasi shprehimisht kërkohet mandat-pagesa ose kupona të shoqëruar me faturën tatimore”, sqaroi Bashkia e Tiranës. Nga sa bëri me dije zyra e marrëdhënieve me publikun, nuk ka asnjë pengesë për rimbursimin e taksimetrave. “Në vijim të shkresës së Drejtorisë së Përgjithshme të Meteorologjisë, shoqërite e miratuara të taksimetrave janë RILINDJA shpk për taksimetrin ‘Taksiekite lg’ MOTOREX shpk për taksimetrin ‘Emtax-100’,D.E.G. shpk për taksimetrin ‘Digitax F3 plus'”, sqaroi Bashkia e Tiranës. Po nga ana tjetër, Sindikata e Taksistëve pretendon të kundërtën. Përfaqësuesit e saj bëjnë me dije se zyra e tatim-taksave në Bashkinë e Tiranës u ka nxjerrë një sërë vështirësish, pikërisht për të mos i rimbursuar. Ata vunë në dispozicion edhe vendimin e qeverisë. Të njëjtin vendim e vë në dispozicion dhe Bashkia e Tiranës. Taksistët kërkojnë gjithashtu që fatura tatimore të mos kërkohet si dokument,për aq kohë sa ajo nuk aplikohej në vitin 2008 . “Dokumenti kryesor për taksimetrat, që vërteton në mënyrë ligjore pajisjen me to, është fatura e pumbosjes, e cila lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Ky dokument është dorëzuar nga taksistët në drejtoritë e licencimit, në të gjitha bashkitë në territorin e republikës, por edhe pse është baza, jo vetëm që nuk merret parash, por na nxirren lloj-lloj justifikimesh për të mos na paguar”, shprehen përfaqësuesit e Shoqatës së Taksistëve. Ata kërcënojnë me protesta, në rast se deri në 1 mars nuk marrin përgjigje pozitive për rimbursimin. Janë rreth 1600 taksistë që e kanë blerë taksimetrin, duke filluar që nga viti 2008. Vlera e kompensimit që do t’u zbritet nga taksat që do të paguajnë në bashki, është 30 mijë lekë. “Nuk do të lejojmë nëpunësit e bashkisë të futen në zyrat e tyre. Janë para që na takojnë më ligj. Biznesi ynë po vazhdon të masakrohet nga konkurrenca e paligjshme. Listat e të gjithë taksive, të pajisura me taksimetra janë pranë çdo bashkie që mbledhin taksat tona, pa u kujdesur aspak për mbrojtjen e biznesit tonë”, shprehet kreu i sindikatës së taksistëve.

Formularin e rimbursimit të pagesës dhe dokumentet

.    Kopjen e mandat-pagesës së bërë për blerjen e pajisjes së parë fiskale ose kuponin tatimor, të shoqëruara me faturën e blerjes.

.    Kopjen e kontratës me një nga shoqëritë e autorizuara nga ministri i Financave për ofrimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, ose shoqërinë shitëse në rastin e taksimetrave.

.    Kopjen e njoftim-vlerësimit tatimor për vitin ushtrimor 2010, të lëshuar nga zyra e tatim-taksave të bashkisë ose komunës.

 

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura