Bashkia e Lezhës përplaset me Ministrinë e Financave për kredinë

Jul 31, 2012 | 13:02
SHPËRNDAJE
Bashkia e Lezhës

LEZHE – Në qytetin e Lezhës 6 investime të rëndësishme infrastrukturore kanë mbetur pezull dhe nuk ka një datë për përfundimin e tyre. Shkak për këtë situatë është bërë mosdisbursimi nga Ministria e Financave të një kredie prej 120 milionë lekësh të marra nga kjo njësi vendore pranë një banke të nivelit të dytë me qëllim për të përmbushur nevojat për investime në këtë qytet. Ky veprim është justifikuar me faktin se një hua e tillë përllogaritet si borxh publik i qeverisë dhe do ta rëndonte situatën me rritje të mëtejshme të nivelit të këtij borxhi. Orvatjet e drejtuesve të Bashkisë Lezhë për të gjetur një zgjidhje vijojnë për të tretin vit radhazi, por ende nuk është gjetur asnjë mirëkuptim me Ministrinë e Financave. Së fundmi, për këtë njësi vendore Ministria e Financave ka bërë të ditur se mund të marrë kredi, por ajo nuk duhet të jetë më shumë se 2.5 % e buxhetit total të saj. Nga përllogaritjet e kryera rezulton se për të përmbushur shumën financiare me të cilat janë prokuruar investimet, Bashkia e Lezhës mund të marrë çdo vit 8 milionë lekë të rinj dhe kjo periudhë do të zgjasë 15 vjet. Por ndërkohë në bazë të një ligji që lejonte njësitë e qeverisjes vendore për të marrë kredi, Bashkia e Lezhës e siguroi shumën e nevojshme, ndërsa afati i shlyerjes do të ishte për 6 vitet në vazhdim. Në janar të vitit 2011, Bashkia e Lezhës kreu tenderimet për ndërhyrjet e parashikuara nga kredia 120 milionë lekëshe dhe nisën punimet për sistemim, asfaltim dhe ndriçim në disa lagje të qytetit. Pas disa muajsh nga nisja e punimeve, gjithçka u la përgjysmë. Shkak u bë pamjaftueshmëria e fondeve për të përmbyllur këto investime. Kreu i Bashkisë, Viktor Tushaj, ka bërë të ditur se gjatë gjithë kësaj periudhe kanë vijuar tratativat me Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje, duke e konsideruar ngërçin si një goditje që u jepet vendorëve në gjetjen e mundësive për të realizuar investime, të cilat janë të pamundura të kryhen me buxhetet e tyre. Sipas kryebashkiakut të Lezhës, Viktor Tushaj, me këtë logjikë u ndërmor një hap i rëndësishëm dhe që do ta bënte Lezhën një qytet të dëshiruar për sa i përket infrastrukturës. Ai pohon se për marrjen e kësaj kredie Bashkia e Lezhës pati konsulencën e USAID-it. Për Tushajn, me marrjen e kësaj kredie realizohen investime të plota për qytetin, që u përkasin brezave dhe shlyerja brenda 15 vitesh do të thotë se nuk do të paguajë vetëm qytetari i sotëm, por edhe përfituesit e nesërm.

Investimet
.    Sistemim i bllokut të banimit pranë lumit Drin në të dyja anët e urës
.    Sistemim i bllokut në lagjen e spitalit
.    Sistemim i bllokut në lagjen “Gurra”
.    Sistemim i rrugës në lagjen “Nënë Tereza”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura