Basha: Tirana, mundësi e mirë për të investuar

Nov 29, 2011 | 18:53
SHPËRNDAJE
Basha gjatë takimit me Konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë

TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë një takimi me Konsujt e nderit të Republikës së Shqipërisë tha se prioritet i tij mbetet zhvillimi ekonomik i Tiranës dhe punësimi. Basha e cilësoi kryeqytetin si një mundësi të mirë për të investuar.

Gjatë takimit, Konsujt i shprehën Bashës angazhimin e tyre, për të bërë promovimin e Tiranës, në vendet përkatëse dhe për të nxitur biznesin, të shohë mundësinë e investimit në kryeqytetin shqiptar.

“Sot shohim mundësinë që vendet tuaja të shikojnë mundësitë ekonomike, për të investuar në Shqipëri.  Këto mundësi janë më të mëdha në Tiranë. Tregu i punës që Tirana përfaqëson, është i ri, i motivuar dhe i kualifikuar. Së bashku me qeverisjen qendrore, po shikojmë çdo mundësi të shkurtimit të barrierave administrative dhe fiskale”- tha Basha.

Duke e vënë theksin tek Plani Urbanistik, si një investim i cili do të lehtësonte punën e investitorëve në Tiranë, kryebashkiaku theksoi se, për realizimin e tij janë angazhuar ekspertët më të mirë në qytet, vend dhe në mbarë botën.

Shtrirja e zhvillimit në të gjithë qytetin, ishte një tjetër ide për të cilën Basha tha se “Ideja është për një qytet policentrik dhe jo për një qytet, ku për nevojat më bazike, kulturore, sociale apo shëndetësore, duhet të udhëtosh për në qendër’’

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura