Basha, takim me zëvendësin e Klinton

Jan 31, 2012 | 12:42
SHPËRNDAJE

Basha dje gjatë takimit me Reeker

Kryebashkiaku u prit në Departamentin e Shtetit nga zëvendësndihmëssekretari për Europën, Phil Reeker

“Mirëpresim investitorët amerikanë për një Tiranë të shekullit XXI”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nisi dje një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u prit në një takim në Departamentin e Shtetit nga zëvendësndihmëssekretari i amerikan për Europën, Phil Reeker. Sipas zyrës së shtypit të Bashkisë, Basha e ka njohur zëvendësin e Hilari Klintonit me projektet e tij në krye të Bashkisë për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv për investime. “Basha nënvizoi si prioritet të punës së tij zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shanseve të punësimit. Zoti Basha tha se qëllimi i vizitës së tij është të prezantojë potencialet që ofron Tirana për investime, por edhe lehtësitë që ofron Bashkia për ata që zgjedhin Tiranën si destinacion të planeve të tyre të investimit. Tirana, theksoi Basha në këtë takim, mirëpret investitorët amerikanë në përpjekjen për një Tiranë të shekullit XXI”, thuhet në njoftimin e Bashkisë. Sipas Bashës “kësaj i shërben edhe angazhimi i ekspertëve më të mirë të urbanistikës për Planin Urbanistik, por edhe për projektet strategjike si zgjatimi i bulevardit, konkursi për projektin e të cilit zhvillohet më 9 mars apo projekti i Tramit, rehabilitimi i lumit të Tiranës etj”.
Deklaratat
Nga ana e tij Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Europën, Phil Reeker, ka vlerësuar projektet e Bashës, si dhe prioritetin e tij për një Tiranë të zhvilluar si kusht për mirëqenien e qytetarëve të saj. Në një prononcim për mediat, në përfundim të këtij takimi zyrtari i lartë amerikan u shpreh se: “Jam tepër i kënaqur dhe i nderuar që u takova me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Basha dhe i urova mirëseardhjen në Uashington. Patëm një ditë të këndshme për të ndarë eksperiencat dhe jam i bindur se do të kemi takime të tjera të vlefshme. Basha është këtu dhe pres ta takoj sërish atë kur unë të vizitoj Tiranën”. Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi se “Gjatë takimit me z. Reeker, e prezantova me platformën time për Bashkinë e Tiranës për hapat që kemi ndërmarrë për një qytet më miqësor ndaj biznesit, më miqësor ndaj investimeve të huaja në veçanti ato amerikane, në funksion të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Tiranës, si dhe rritjes së shanseve të punësimit. Por edhe të pjesëmarrjes së amerikanëve në përpjekjen tonë për një Tiranë moderne e europiane, të një Tirane të shekullit XXI, në veçanti me Planin Urbanistik, për konkurset e ndryshme siç është konkursi për bulevardin dhe përpjekjeve të mia për të përmirësuar performancën e qeverisjes së Tiranës në veçanti në raport, në dëgjimin e zërit të qytetarëve dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe për  transparencën që qeverisja lokale duhet të ofrojë në raport me qytetarët dhe bizneset”. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, do të zhvillojë disa takime të tjera.

Takimi me Arvizunë para vizitës në SHBA
Përpara se të nisej për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Basha priti në zyrën e tij ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Gjatë atij takimi që ka zgjatur rreth 30 minuta, janë biseduar edhe detaje të vizitës së kryebashkiakut në SHBA. Në përfundim, Basha e ka shoqëruar ambasadorin Arvizu deri jashtë ambienteve të Bashkisë. I pyetur se çfarë kishte biseduar me zotin Basha, ambasadori Arvizu u shpreh se takimi kishte të bënte me vizitën e ardhshme të zotit Basha në SHBA.

Konkursi për bulevardin
“Lidhur me konkursin për bulevardin e ri të Tiranës, më 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre para një jurie ndërkombëtare, dhe në këtë mënyrë ne do të jemi një hap më afër me përzgjedhjen e fituesit, nisjes së punës për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm zhvillimi për qytetin e Tiranës. Pa dyshim, ju jeni të ftuar të jeni pjesë e këtij procesi, pasi do të jetë një proces transparent, ku edhe mendimi juaj, përtej mendimeve profesionale të jurisë, do të ketë rëndësinë e tij”, është shprehur Basha me grupimin e biznesit “BiznesAlbania”.

Kryeministri: PS tha se Banka pret para për qeverinë
Berisha: Rritja e bizneseve në 2005-2009, sa 15 vite së bashku

Mbledhja e djeshme e Grupit të PD

Kryeministri Sali Berisha tha dje se modeli ekonomik i ndjekur nga maxhoranca bëri të mundur që në periudhën 2005-2009 të hapeshin biznese më shumë se në 15 vitet e fundit. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, kreu i maxhorancës iu referua shifrave të fundit të censusit, të bëra publike nga INSTAT. “Censusi i fundit fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark kohor 4-vjeçar, morën jetë, gjalluan biznese sa në 15 vite të marra së bashku. Pra kemi të bëjmë realisht me një lëvizje kuantike apo kërcim kuantik në 4 vite. Këto të dhëna u referohen viteve 2005-2009, sepse po të shtojmë vitet e këtij mandati, natyrisht janë edhe shumë më të fuqishme e më të rëndësishme”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “modeli ynë ekonomik, i bazuar në taksat e ulëta, në qeverinë e vogël, në klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset, të cilat janë edhe krijesat më sensitive, natyrisht edhe më të rëndësishmet, të njohin, të gjejnë, të kenë, një klimë, një terren, një mjedis disa herë më të favorshëm se më parë”. Ai e akuzoi opozitën për qëndrimin e mbajtur gjatë kësaj periudhe për perfomancën ekonomike të vendit. “Në të gjithë këtë realitet, si klithma të së shkuarës, të një të shkuare të largët, vjen dhe propaganda vulgare e drejtuesve të Partisë Socialiste. U thanë shqiptarëve dy vjet rresht se në Shqipëri ka një milion të papunë dhe nuk u thanë shqiptarëve se përse mashtruan një milion herë, në një kohë kur ‘krahët e punës’ në vend nuk janë as edhe një milion, sipas censusit të fundit. Bëjnë propagandë, sipas së cilës, Banka e Shtetit po pret para për qeverinë, dhe kjo tregon se injoranca financiare nuk mund të mos vendosej ndryshe në piedestal”, theksoi më tej kreu i maxhorancës.

“Sharlatanët sulmojnë ekonominë”
“Fatmirësisht, gjendja ekonomike, funksionimi i ekonomisë krijon premisa për t’i bërë këto procese të suksesshme, sepse ju e dini, ka vende të tjera ku nuk shitet gjë për shkak të kompleksitetit, zymtësisë që është krijuar. Pra, u ndala edhe njëherë te modeli ekonomik, i cili i garantoi këto suksese vendit, por që ‘sharlatanë të vërtetë’ në këtë fushë e sulmojnë pa asnjë argument, çdo ditë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë ta konsolidojmë këtë model”, u shpreh Berisha në mbledhjen e Grupit.

ADI SHKEMBI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura