Rama dhe Basha përplasen për zgjedhjet, Kryeministri: Disfatën e paraqet si provë. Kreu i PD-së: Kandidove kriminelë e trafikantë

Jul 3, 2015 | 20:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha shkëmbyen replika dhe akuza mes tyre lidhur me provat që PD i ka dorëzuar OSBE-së për manipulimin e zgjedhjeve. Fillimisht, ishte kreu i opozitës që dorëzoi pranë OSBE-së dosjen për manipulimin e zgjedhjeve, ndërsa pas kësaj lëvizjeje, kryeministri e quajti të turpshme paraqitjen e alibisë për humbjen e zgjedhjeve si provë. 

Basha ne takim me zyrtarin e larte te OSBE

Pas reagimit të kreut të qeverisë, Basha e quajti poshtëruese për shqiptarët mostërheqjen e kandidatëve të inkriminuar nga zgjedhjet. “E turpshme eshte te poshterosh popullin tend duke kandiduar kriminele e trafikante dhe mos ti terheqesh edhe kur ta kerkon publikisht mbare bota demokratike. E turpshme dhe kriminale eshte te kercenosh kandidatet, opoziten dhe zgjedhesit. E turpshme eshte te urdherosh drejtoret e administrates te mbushin kutite votimit. E turpshme dhe e pafalshme eshte te krekosesh si gjeli maje plehut nderkohe qe ke zhytur shqiptaret ne pasiguri dhe krize ekonomike”,-ka shkruar Basha në “Facebook”. 

Ndërkohë, në një koment të publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Rama ka shkruajti se: E turpshme alibia e disfates qe LB bredh ta tregoje neper bote si prove kunder zgjedhjeve ‪#‎VajmedetPD me kokoshin qe te katandisi nje thele!

Më herët, Në një takim me sekretarin e përgjithshëm të OSBE, Lamberto Zannier, Basha u ndal në problematikën e zgjedhjeve, “duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale, trafikantë, tutorë, pengmarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar në vende të ndryshme të Europës të cilët ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve dhe aktivistëve të opozitës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota”.

Sipas tij në këto zgjedhje, u aktivizuan masivisht dhe dhunshëm banda të armatosura kriminale të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit e opozitës para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë.

“Administrata publike u vu në një presion të hapur nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit, për të mbushur kutitë me vota, fakt i cili iu vu në dispozicion nga zoti Basha bashkëbiseduesve.Si kurrë më parë në zgjedhje, tha zoti Basha, të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektoriateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHEE e në veçanti të policisë ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Basha u ka bërë të ditur sekretarit të përgjithshëm të OSBE dhe ambasadorëve të Këshillit të përhershëm fakte të pakundërshtueshme të përdorimit të fondeve publike, parave të krimit të organizuar dhe  të korrupsionit qeveritar, për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje.

“Mijëra karta identiteti u janë marrë qytetarëve me dhunë dhe kundrejt shpërblimeve monetare apo ushqimore. Punonjësit e administratës, tha zoti Basha, të cilët dyshoheshin si mbështetës të opozitës janë detyruar të dorëzojnë kartat, në mënyrë që të mos marrin pjesë në votim, në të kundërt janë kërcënuar se do të humbisnin vendin e punës. Mijëra personave që nuk ndodheshin në Shqipëri, tha zoti Basha, u janë përdorur të dhënat personale për të prodhuar karta identiteti të falsifikuara, me të cilat është votuar në 21 qershor. Sekretari i përgjithshëm i OSBE Zannier e siguroi zotin Basha, për një vlerësim objektiv dhe të saktë të zgjedhjeve i cili do të reflektohet në raportin përfundimtar”, vijon më tej njoftimi i PD-së.

Ndersa nje njoftim i OSBE, duke cituar sekretarin e pergjithshem ben te ditur se “Raporti Përfundimtar do të ofrojë disa rekomandimesh për përafrimin e mëtejshëm të proceseve zgjedhore me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Pres nga të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për t’i vënë në zbatim këto rekomandime, në dobi të popullit shqiptar”. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura