Basha: Nuk ka legalizime për ndërtimet pa leje, do prishen

Jul 31, 2013 | 12:36
SHPËRNDAJE

Basha në takimin me krerët e minibashkive
Nga dje 11 njësitë vendore të Tiranës do të gëzojnë më shumë kompetenca. Ato do të ushtrojnë pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit, të qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës. Po kështu do të ushtrojnë funksionet e kontrollit dhe të zbatimit të ligjshmërisë së standardeve në fushën e ndërtimit. Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh për shpenzimet operative. Në një takim me drejtues të njësive vendore dhe punonjës të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor, kryebashkiaku Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në Bashkinë e Tiranës. Delegimi i kompetencave edhe pranë njësive bashkiake, sipas Bashës, është një kontribut më i madh në këtë drejtim. Basha ka sqaruar gjithashtu se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ushtrimit të këtyre funksioneve nga inspektorët dhe njësitë bashkiake që do t’i kenë që sot në varësi. “Do të ketë një kompetencë të plotë vendimmarrjeje dhe ndërhyrje të plotë në ato raste kur konstatohet se ju nuk po veproni në kohë apo nuk po veproni siç duhet. Natyrisht, kjo do të sjellë pasoja si për ju, si për njësitë bashkiake, por unë dua ta nis sot me mirëbesim se kjo masë do të japë efektet e dëshiruara”, tha Basha. Së pari, sipas tij, me një problem madhor që është konstatuar këta muaj, që rendon në periudha elektorale, të cilat janë ndërtimet pa leje në qytetin e Tiranës. “Toleranca do të jetë zero, larg çdo tentative për ta politizuar, larg çdo presioni të çfarëdo pale për të përdorur lidhje, kontakte, emra për të kryer veprimtari të paligjshme ndërtimore në qytetin e Tiranës”, tha Basha.
Ai bëri sërish të ditur se në kushtet kur Tirana ka një plan urbanistik dhe marrja e një leje ndërtimi është sot më e thjeshtë, asnjë ndërtim i tillë nuk mund të përfitojë legalizim. “Sot, në prani të një plani urbanistik që e bën marrjen e lejes më të thjeshtë se kurrë më parë, është detyra juaj e parë më kryesore dhe e prerë të veproni në mënyrë energjike nën drejtimin e kryetarëve të njësive bashkiake për të identifikuar çdo proces, shkelje të ligjit, që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje, për të marrë hapat ligjorë qoftë nga vendosja e gjobave dhe masave të tjera administrative, deri te prishja në flagrancë, prishja totale e këtyre objekteve”, tha Basha. Ai theksoi se  çdo objekt i nisur në këtë formë e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. “Kjo të jetë e qartë si drita e diellit dhe t’u bëhet e qartë qytetarëve”, tha kryebashkiaku.

Kompetencat
•     Funksionet e sigurimit
•     Funksionet e  rendit
•     Qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike
•     Kontrollit dhe të zbatimit të ligjshmërisë në ndërtim

U delegohen:
•     50 punonjës të Policisë Bashkiake
•     50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor
•     32 milionë lekë
    për shpenzimet operative

“Do të zgjerojmë më tej kompetencat e minibashkive”
Hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit Bashkiak për decentralizimin e këtyre kompetencave është vetëm hapi i parë. Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se të tjera kompetenca do t’u kalojnë njësive të qeverisjes vendore në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak. “Së shpejti në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të paraqitet një tjetër projektvendim, i cili do t’u bëjë të mundur atyre të ushtrojnë kompetenca të tjera përsa u përket çështjeve që u vijnë në ndihmë qytetarëve, riparime mure oborresh, tarracash apo çatish, hapja apo jo e një dritareje, vënia e një pompe uji, nuk kanë pse të jenë më atribute që trajtohen vetëm në Bashkinë e Tiranës, por do të decentralizohen në mënyrë të plotë dhe do të jenë kompetenca që do të trajtohen nga kryetarët e njësive vendore”, tha kryebashkiaku.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura