Basha: Nuk do ketë spastrime politike, por bashkëqeverisje

Jul 30, 2011 | 10:49
SHPËRNDAJE

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Lulzim Basha, flet për prioritet e punës së tij në 100 ditët e
para. Basha shprehet se prioritet për të do të jetë plani urbanistik,
si dhe një marrëdhënie e re me qytetarët e kryeqytetit. Ai flet edhe
për administratën, ndërtimet pa leje, shembjen e Piramidës, si dhe
bashkëpunimin me opozitën në Këshillin Bashkiak.

Zoti Basha, në fjalimin tuaj të parë përpara Këshillit Bashkiak, kur ju sapo bëtë betimin, prezantuat aty edhe programin për 100 ditët e para. Do të doja t’ju pyesja se cilat janë sfidat akute në Tiranë apo ndërhyrjet tuaja të para?
Është shumë e rëndësishme që të ndihet fryma e re në Bashkinë e Tiranës. Fryma e re, e cila ka në thelb interesin e qytetarëve dhe asgjë tjetër.
Nxjerrja totale e Bashkisë jashtë konfliktit politik është prioriteti im i parë dhe absolut kjo nuk arrihet vetëm me fjalime, por në radhë të parë duke
e fokusuar të gjithë energjinë e Bashkisë në prioritetet kryesore të kryeqytetit, prioritete të cilat unë i kam shpalosur gjatë fushatës dhe që praktikisht janë konfirmuar nga mbështetja qytetare për platformën
që unë shpalosa, që nga punësimi, zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës në kryeqytet e deri te qeverisja transparente. Prandaj, prioritare në këto 100 ditë të para është riorganizimi strukturor i Bashkisë së Tiranës
për t’ju përgjigjur nevojës për një dinamizëm ekonomik dhe krijimit të
vendeve të punës, pra të strukturave që do të lehtësojnë ndërveprimin e Bashkisë me konsumatorin, me biznesin, me grupet e interesit, me
qytetarët. Prioritare për mua është nisja me shpejtësi e përgatitjeve për planin e ri urbanistik të Tiranës, ndërhyrjet urbane të domosdoshme, siç është trafiku në qendër të kryeqytetit dhe kudo tjetër e po kështu
dhe ngritja e strukturave të posaçme të mbrojtjes së konsumatorit, një prioritet i shpallur tashmë e për të cilin po hidhen hapa konkret me të
cilat opinioni do të njihet edhe në javët e ardhshme
Çfarë do të ndodhë me administratën? Në Shqipëri është bërë thuajse e modës që administrate ndryshon kur ndryshon drejtuesi. Kjo ndodh edhe kur ndryshon një ministër i së njëjtës forcë politike, jo më kur ka ndryshime të kahut politik. Çfarë do të ndodhë më administratën?
Përqasja që do të karakterizojë veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës, do të ndihet edhe te administrata. Qyteti i Tiranës përfaqësohet nga një
shumëllojshmëri individësh, forcash politike, shtresash shoqërore dhe ky përfaqësim i shumëllojshëm do të vazhdojë të ekzistojë e do të forcohet
edhe më tej. Nuk do të ketë asnjë spastrim politik, nuk do të ketë asnjë element të sjelljes që do të vazhdojë kulturën e konfliktit politik. Në prioritetin tim parësor, që është nxjerrja e Bashkisë jashtë konfliktit
politik, unë nënkuptoj dhe ritheksoj nevojën për të punuar së bashku me të gjithë kapacitetet e mundshme këtu në administratë, por edhe në
qytet. E në këtë kuadër, përsëris ftesën veçanërisht për minorancën në Këshill, PS dhe aleatët e saj, që të punojmë së bashku në Këshill, por po
kështu përsëris ftesën për të gjithë ata, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht se nga vijnë idetë qoftë edhe nga PS, që të bashkëpunojmë. Kjo
zyrë, zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, kjo Bashki është e hapur për çdo kontribut, nga çdo forcë politike, sepse qyteti nuk i përket një partie
politike, as edhe një koalicioni, qoftë ky koalicioni fitues në zgjedhjet e 8 majit, i përket të gjitha forcave politike, siç i përket të gjithë qytetarëve të
Tiranës.
A ngjan kjo më tepër si një shprehje e vullnetit të mirë? Sepse ju nga të gjitha krahët jeni të mbrojtur. Qeveria është e së njëjtës forcë politike, keni shumicën e Këshillit Bashkiak. Apo mos është një farë detyrimi, për shkak se ju votuat me një rezultat shumë të ngushtë. Gjysma e qytetarëve nuk votuan për ju, madje shkojnë më tej dhe mendojnë se ju nuk e fituat ndershmërisht këtë mandat…
Natyrisht që rezultati i zgjedhjeve të 8 majit ishte një test për demokracinë shqiptare, një test i kaluar me sukses. Zgjedhjet u konsideruan si transparente dhe konkurruese nga organizatat ndërkombëtare dhe ne tani presim vlerësimin e OSBE/ ODIHR. Por tani ka ardhur koha të lëvizim përtej
zgjedhjeve dhe të bëjmë realitet atë që kemi thënë gjatë gjithë fushatës, bashkëpunimin qytetar për hir të qytetit, vënien e interesit të qytetit dhe qytetarëve para axhendës politik. Dhe unë jam i vendosur për
këtë, sepse ajo që kam thënë nuk ka qenë një slogan politik, nuk ka qenë fushatë politike. Por është një koncept tek i cili unë besoj fort, te bashkëqeverisja, te gjithëpërfshirja. Dhe ky është vullneti që unë
po shpreh sot. Bashkë me këtë vullnet po bëj gati dhe mekanizmat që kjo të kthehet në një metodë pune, dhe jo më në një risi, por që të kthehet në
një metodë pune në Bashkinë e Tiranës.

Si u ndjetë kur Bashkimi Europian, baronesha Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Fyle, thanë se “zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira”?
Unë mendoj se tensioni i shkaktuar pas zgjedhjeve, si dhe mungesa e dakortësisë për sa i përket çështjeve që për mua janë qartësisht të sanksionuara në Kushtetutë, siç është leximi i çdo vote dhe dëgjimi i zërit të çdo qytetari, nuk është se nuk lanë efekt dhe kjo u reflektua edhe në
disa vlerësime. Por, gjithashtu dua të rikujtoj edhe vlerësimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, si organi më i lartë i BE, i cili vlerësoi
se zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese. Mësimi që duhet nxjerrë është natyrisht përmirësimi i Kodit, për të cilin maxhoranca ka
shprehur vullnetin para këtyre zgjedhjeve dhe pas tyre. Por këto janë çështje të politikës qendrore. Për mua, për Bashkinë e Tiranës, zgjedhjet kanë
përfunduar dhe ka ardhur koha të lëvizim përpara, në punët e mëdha që na presim, në realizimin e axhendës shumë ambicioze, e gjitha në funksion të nevojës, problemeve të shumta të qytetarëve të Tiranës, por edhe planeve
afatgjatë të zhvillimit.

Le të kalojmë në diçka konkrete zoti Basha. Ju thatë se do të lëvizni me shpejtësi për planin urbanistik të Tiranës. Ndërkohë, në këtë periudhë tranzicioni dymujor të procesit zgjedhor është vënë re një fenomen, rishfaqja e ndërtimeve pa leje. Si do të veproni?
Zhvillimi i planit të ri urbanistik ka një rëndësi të jashtëzakonshme,
sepse është premtuar për një kohë shumë të gjatë dhe nuk është bërë,
duke lënë pasoja të panegociueshme në qytet. Natyrisht, ne do të përpiqemi me planin e ri që t’i minimizojmë pasojat. Por, ç’është më e rëndësishme,
do të përpiqemi të shikojmë larg. Dhe duke parë larg, do të vendosim standardin europian të krijimit dhe zgjerimit të hapësirave publike e të gjelbra dhe përpirjes së saj për interesa afatshkurtër. Gjithçka që bie ndesh me këtë, është e papranueshme dhe në këtë kuadër zbatimi i ligjit me rigorozitet të plotë është objektiv kryesor i Bashkisë dhe strukturave
të posaçme të Bashkisë.

Ju a keni pasur sinjale për këto ndërtime pa leje?
Po bëhet një evidentim i plotë i situatës dhe ju garantoj dhe një herë se strukturat e posaçme të Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim edhe
me strukturat dhe institucionet e tjera përgjegjëse në vend, do të zbatojnë ligjin me rigorozitet të plotë. Ky është qëndrimi im dhe ky është vendimi
që i është komunikuar edhe strukturave përkatëse tashme.

Zoti Basha, edhe një pyetje të fundit. Është rihapur debati për çështjen e Piramidës. Mbaj mend që gjatë fushatës zgjedhore ju u pyetët për këtë dhe dhatë një përgjigje disi ambigue, duke lënë hapësira për shumë interpretime. Keni marrë së fundi dhe një peticion të firmosur nga disa mijëra qytetarë të Tiranës. Gjatë fushatës, ju keni thënë se do të dëgjoni zërin e çdo qytetari dhe se nuk do të ngurroni edhe të përballeni me qeverinë, nëse interesat shkojnë në të kundërt me ato të qytetit të Tiranës. A është ky rasti për ta mbajtur këtë premtim?
Bashkia është e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari dhe Bashkia ka marrë në dorëzim një peticion nga një numër qytetarësh, të cilët besojnë
se Piramida nuk duhet të shembet. Unë kam thënë gjatë fushatës se nuk jam
nevojshmërisht për shembjen e Piramidës, por jam domosdoshmërisht
për ndërtimin e një parlamenti të ri, i cili i bën nder kryeqytetit dhe qytetit të
Tiranës. Diskutimi ka lëvizur që nga ai moment, sepse Parlamenti ka kaluar Ligjin dhe Bashkia, si çdo institucion i këtij vendi, i përmbahet shtetit
ligjor. Por, ajo që mund t’ju them është përsëri se ne do të shërbejmë me devotshmëri duke dëgjuar zërin e çdo qytetari e në këtë kuadër çdo
çështje që ka të bëjë me interesin qytetar, me interesin e prekshëm të banorëve të Tiranës, dhe jo me luftën politike, qoftë kjo e hapur apo e
maskuar, është në krye të axhendës së Bashkisë së Tiranës dhe në axhendën time si kryebashkiak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura