Basha: Në Kushtetuese vendimet e qeverisë që cenojnë pushtetin vendor

Jan 31, 2014 | 12:50
SHPËRNDAJE

Basha në takimin me vendorët
Kryetari i opozitës dhe të zgjedhurit vendorë shprehën dje vendosmërinë e tyre për t’i thënë “ndal” me çdo mënyrë demokratike shkeljes së autonomisë vendore. Si hap i parë ata kanë dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të gjitha vendimet e qeverisë, që në mënyrë antikushtetuese kanë goditur kompetencat e tyre për planifikim dhe zhvillim urban. Në konventën e të zgjedhurve vendorë, kryetari i Shoqatës së Bashkive, Lulzim Basha, ka theksuar se i vetmi vullnet i shprehur deri më sot nga Kryeministri është përqendrimi total i pushtetit në zyrën e tij. “Kryetarë dhe këshilltarë, të majtë apo të djathtë, ndodhen nën goditje dhe breshëri goditjesh ilegjitime, njësoj si institucionet e tjera të pavarura. Një akt i qartë, e zezë mbi të bardhë, janë vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, që në mënyrë antikushtetuese bllokojnë planet e zhvillimit në komunat e bashkitë e vendit, komunat e bashkitë e kurorës së Tiranës, të zonës bregdetare, të aksit Tiranë-Durrës, akset kombëtare e pastaj një sërë bashkish të tjera, të majta e të djathta, sot gjenden në këtë ngërç të provokuar tërësisht nga papërgjegjshmëria dhe antikushtetutshmëria, si mentalitet dhe si kulturë veprimi e ish-kryebashkiakut të Tiranës”, tha Basha.
Kryebashkiaku Basha u ndal dhe në çështjen shumë të debatuar aktuale, reforma administrative-territoriale. Sipas tij, asnjë reformë nuk duhet të nisë pa konsultime me qytetarin, ndaj në këtë pikë, tha ai, do nisin konsultimet me çdo nivel vendor me qytetarët për reformën territoriale. Basha theksoi se maxhoranca me reformën territoriale po i vë shkelmin marrjes së statusit. “Reforma territoriale, që është reformë elektorale, që është dhe reformë qendrore, nuk mund të hedhë asnjë hap përpara pa rivendosur konsensusin e plotë në çdo hallkë të vendimmarrjes midis maxhorancës dhe opozitës. Sot dua t’i përcjell një mesazh tjetër qeverisë Rama-Meta. Asnjë reformë nuk mund të kryhet përmes një reforme ilegjitime pa dëgjuar zërin e qytetarëve të saj. Për këtë së shpejti do të nisim një tur të tërë konsultimi me këshilltarë të majtë e të djathtë, me qytetarët që kanë dhe do kenë të drejtë sovrane për të vendosur mbi çdo ndarje dhe bashkimi territorial mbi territorin e kësaj Republike”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura