Basha me Fylen: Të mbyllësh gojën para kësaj situate është bashkëfajësi

Sep 30, 2014 | 14:13
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje pas takimit me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, se mbyllja e syve para situatës kur maxhoranca shkel ligjet dhe kap institucionet është bashkëfajësi. Në një prononcim për mediat, kreu i opozitës renditi edhe një herë shqetësimet e PD-së sa i përket kriminalizimit të Parlamenti dhe moszbatimit të vendimit të gjykatave.

Basha e Fyle dje gjatë takimit

“Një nga prioritetet është lufta kundër krimit, por si mund të luftohet krimi kur Kryeministri ka krijuar në Parlament një strukturë të posaçme dhune me kriminelë të dënuar dhe të dyshuar si akoma aktivë në fushën e krimit të organizuar për t’i mbyllur gojën opozitës? Si mund të flitet për një vend që avancon drejt standardeve europiane kur kriteri bazë i Kopenhagës, zbatimi i ligjit, është vënë në dyshim nga vetë qeveria, e cila nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por i shkel ato, siç shkel Kushtetutën, siç shkel ligjin, siç shkel të drejtat dhe liritë themelore ligjore të shtetasve shqiptarë ditë për ditë”, u shpreh Basha. Lideri i demokratëve tha se Shqipëria në këtë mënyrë po shtyhet drejt destabilitetit politik, ndërkohë që një vit më parë ishte një vend që po plotësonte standardet dhe u bë anëtare e NATO-s.

“Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rëndë. Të mbyllësh sytë para kësaj situate është bashkëfajësi. Po e shtyjnë Shqipërinë nga një vend i cili përmes plotësimit të standardeve arriti të bëhej anëtare e NATO-s, arriti të hiqte vizat për qytetarët shqiptarë, plotësoi kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat, pavarësisht prej kulisave të Partisë Socialiste dje në opozitë, po e shtyjnë drejt destabilizimit politik, drejt krizës politike, drejt asgjësimit të jetës parlamentare”, u shpreh më tej kreu i demokratëve. Sipas tij: “Këto janë probleme jashtëzakonisht të mprehta që i ndava me komisionerin në largim dhe do të vazhdojmë t’i ndajmë edhe me pasardhësin e tij dhe me Komisionin Europian, tek i cili kemi gjetur dhe shpresojmë të gjejmë një avokat të fortë të standardeve dhe normave europiane, për Shqipërinë dhe shqiptarët, standarde dhe norma që janë sot nën sulmin e ditëpërditshëm të çiftit oligarkik Rama-Meta”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura