Basha hap garën për sekretarët e PD

Oct 31, 2014 | 12:39
SHPËRNDAJE

Lulzim Basha, kreu i PD-se
Partia Demokratike ka hapur garën për strukturat e reja drejtuese. Sipas udhëzimit të firmosur dje nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, do të jenë 22 departamente dhe 6 sekretariate funksionale.
Në selinë blu për tetë ditë me radhë do të mblidhen aplikimet e konkurrentëve. Sipas këtij udhëzimi, të drejtën do ta kenë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike. Ndërkohë, çdo aplikant do të duhet të specifikojë se për cilin nga postet synon të aplikojë, duke paraqitur dhe një platformë për këtë. Pas kësaj procedure do të jetë Këshilli Kombëtar i demokratëve që do të votojë fituesit. Në udhëzimin e PD përcaktohet si ditë përfundimtare e aplikimit data 6 nëntor. Ndërkohë që kërkesat mund të paraqiten si në selinë e PD-së, ashtu dhe në adresën e e-mail-it të kësaj force politike “[email protected]”.
Sekretariatet
Në statutin e ndryshuar të PD-së është vendosur dhe roli i sekretariatit funksional. Ndërkohë që numri i tyre do të jetë gjashtë. Burimet Njerëzore, Organizimi, Çështjet Zgjedhore, Marrëdhëniet me Publikun, Organizatat Partnere, Shoqëria Civile, do të jenë 6 sekretariatet e reja në PD. Edhe për këto poste do të vijohet me aplikimet për kandidatura dhe pas këtij procesi do të vijohet më votimin në Këshill.
Departamentet
Me udhëzimin e ri të Bashës përcaktohen 22 departamente që ndahen në fushat përkatëse. Për çdo kandidatë që do të aplikojë do të duhet që të paraqitet dhe një platformë. Ndërkohë që vihet re vendosja e departamentit të posaçëm për të përndjekurit politikë dhe për pronat, departament ky që do të ketë drejtuesin e tij. Po ashtu një tjetër departament do të jetë për emigracionin dhe diasporën. Madje, emigracioni dhe diaspora do të jenë departamente më vete nga ai i integrimit europian, por dhe i politikës së jashtme. Duke i renditur këto në probleme të rëndësishme që do të trajtohen nga Partia Demokratike. Departamente të posaçme do të ketë për problemet e ekonomisë, sigurisë, punësimit ambientit etj.
Kryesia
Me strukturën e re të demokratëve, vetë Kryesia e PD shkon në rreth 40 veta, ku do të jenë kryetari i PD, sekretari i Përgjithshëm, 22 drejtuesit e departamenteve, 6 sekretarët funksionalë, nënkryetarët e partisë, krerët e Grupit Parlamentar, ku bëjnë pjesë kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi, kryetari apo nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit Parlamentar të PD, si dhe kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare të PD-së, po ashtu dhe kryetarët e organizatave partnere janë anëtarë të Kryesisë.

Urdhri i Bashës
Departamentet
1. Energjia dhe burimet natyrore
2. Infrastruktura dhe transporti
3. Bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria
4. Shoqëria e informacionit dhe komunikimi
5. Ekonomia dhe tregu
6. Financat publike, tregu bankar financiar dhe jo-bankar
7. Antikorrupsioni, aksesi publik në shërbime dhe transparenca në qeverisje
8. Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore
9. Punësimi dhe çështjet sociale
10. Emigracioni dhe diaspora
11. Të përndjekurit politikë dhe pronarët
12. Siguria, rendi publik, lufta kundër krimit
13. Administrata publike
14. Sistemi i Drejtësisë dhe Gjyqësori
15. Pushteti vendor dhe administrimi i territorit
16. Ambienti, pyjet dhe turizmi
17. Arsimi, shkenca dhe inovacioni
18. Kultura, rinia dhe sporti
19. Shëndetësia
20. Integrimi europian
21. Politika e jashtme
22. Siguria kombëtare

SEKRETARIATET
1. Burimet Njerëzore
2. Organizimi
3. Çështjet Zgjedhore
4. Marrëdhëniet me Publikun
5. Organizatat Partnere
6. Shoqëria Civile

Kriteret
Aplikojnë për këto poste drejtuese
anëtarët e Partisë Demokratike:

  • Të kenë shkollim të plotë dhe cilësor, kualifikime të arrira dhe karrierë të spikatur në fushën profesionale dhe akademike.
  • Të kenë rezultate të larta si drejtues në fushën për të cilën aplikojnë.
  • Të kenë reputacion pozitiv në shoqëri për aktivitetin dhe integritetin e tyre profesional e njerëzor, si dhe politik ata që kanë një karrierë të sprovuar politike.
  • Të ofrojnë mundësi të vërteta për ngritjen në nivel më të lartë të rezultateve të Partisë Demokratike.
  • Një përmbledhje të vizionit të tyre për drejtimin e forumit për të cilin aplikojnë (letër motivimi).

BRAHIM SHIMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura