Basha: Bashkia, larg konflikteve politike

Jul 29, 2011 | 19:58
SHPËRNDAJE
Kreu i Bashkise Tirane, Lulzim Basha

Kryebashkiaku i ri, Lulzim Basha tha sot se do të qëndrojë larg konflikteve politike, ndërsa nuk parashikon spastrime politike në administratën e tij.

Pohimet, Basha i bëri në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ndër të tjera flet edhe për shembjen e Piramidës dhe ndërtimin e parlamentit të ri.

“Bashkia është e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari, kemi marrë në dorëzim një peticion nga një numër qytetarësh të cilët besojnë se Piramida nuk duhet të shëmbet. Unë kam thënë gjatë fushatës se nuk jam nevojshmërisht për shembjen e Piramidës, por jam domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri i cili i bën nder kryeqytetit dhe qytetit të Tiranës”- tha Basha.

Por sipas Bashës, diskutimi ka ndryshuar që nga momenti kur ai është deklaruar kundër shembjes së Piramidës, pasi parlamenti ka kalur ligjin dhe Bashkia si çdo institucion i këtij vendi i përmbahet shtetit ligjor.

Bashkëpunimi pavarësisht bindjeve politike dhe organizimi i menjëhershëm urbanistik i Tiranës janë ndër prioritet kryesore të Bashës në krye të Bashkisë më të madhe në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura