Basha: Akt barbar, gabim fatal provokimi nga Kavaja

Sep 30, 2014 | 12:44
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka quajtur dje si gabim fatal vendimin e INUK për prishjen e monumentit të demokracisë në qytetin e Kavajës.
Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, kreu i opozitës tha se prishja e monumentit në qendër të Kavajës ishte një akt barbar dhe një provokim i rëndë që u bëhet qytetarëve. Basha theksoi se Kryeministrin Edi Rama qyteti i Tiranës e flaku në zgjedhje, ndërkohë që shumë shpejt këtë gjë do e bëjë i gjithë vendi. “Akti barbar i prishjes se monumentit të demokracisë në Kavajë është shprehja e urrejtjes që Edi Rama ka jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët e lirë! Njësoj si etërit e tij politikë zgjodhi të provokojë nga Kavaja. Gabim fatal. Në labirintet e Bllokut nuk e mësoi dot modelin demokratik të qeverisjes. Specialiteti i tyre ishte shkatërrimi, propaganda, pengmarrja në emër të popullit. Tirana e flaku, por kërceu nga gardhi. Çështje kohe, shumë shpejt do shpëtojë i gjithë vendi”, thekoi Basha.
Qëndrimi
Nga selia e Partisë Demokratike, kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka, deklaroi se me prishjen e simbolit të dy gishtave në Kavajë, Edi Rama ka prishur karrigen ky është ulur. Në fjalën e tij Paloka tha: “Simboli i dy gishtave përfaqëson sakrificën e gjithë kombit tonë për ditët e vështira të rrëzimit të sistemit komunist. Kavaja ishte pioniere e ardhjes së demokracisë në vend dhe e meritonte me dinjitet simbolin në mes të qytetit. Me këtë akt të shëmtuar e provokues, Edi Rama ka kaluar çdo kufi, ka dhunuar haptazi qytetarët e Kavajës dhe të të gjithë vendit që nuk pajtohen me përpjekjen e tij për të rilindur diktaturën, pjellë e së cilës ai është. Duke shembur simbolin e demokracisë, Edi Rama ka minuar përfundimisht stabilitetin politik në vend, pasi e kishte goditur atë në mënyrë të përsëritur me shkallmimin e kolonave të demokracisë dhe bashkëjetesës politike. Ne i bëjmë sot me dije Edi Ramës se ai ka shembur karrigen ku është ulur. Nga Kavaja do të vijë fundi i tij politik, fundi i sundimit të tij me bandat famëkeqe në Kavajë e kudo në Shqipëri”.

Strazimiri: “Enverizmi” dhe “Dy gishat” s’mund të bashkëjetonin
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, e ka quajtur prishjen e monumentit të “dy gishtave” në Kavajë si rikthim të enverizmit. Në një postim në Facebook, Strazimiri theksoi se dy gishtat u bënë pluhur me përpikëri dhe seriozitet enverist, ndërkohë që theksoi se kriminelët në drejtimin e qeverisë dhe drejtësia nuk mund të bashkëjetojnë. “U deshën pak më shumë se 300 ditë që të provohej se ‘enverizmi’ dhe ‘dy gishtat’ nuk mund të bashkëjetonin… ‘Dy gishtat’ u bënë pluhur… me përpikëri dhe seriozitet ‘enverist’! Sa do të na duhet të kuptojmë që ‘kriminelët në drejtim të shtetit’ dhe ‘drejtësia’ nuk mund të ‘bashkëjetojnë’…?! Pluhurzim të mbarë… pa heshtjen tuaj kjo do ishte e pamundur”, theksoi Strazimiri.

Bregu: Shembja e obeliskut, ngjarje e rëndë
Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, deklaroi dje se maxhoranca vazhdon të tregojë se nuk ka ndër mend të dialogojë me opozitën duke shembur simbolin e demokracisë në Kavajë. Kryetarja e Komisionit të Integrimit e ka quajtur si të rëndë prishjen e monumentin e “dy gishtave” nga qeveria. “Në një ditë kur flitej për respekt ndaj opozitës, vjen dhe shembja e ‘Obeliskut’, simbolit të demokracisë në Kavajë. Kjo është një ngjarje e rëndë. U duk qartë se deklaratat e Kryeministrit Edi Rama ishin të pavërteta”, ka theksuar dje Bregu.

Topalli: Të ngrihemi, të bëjmë betejën që na takon
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kërkuar nga Partia Demokratike që të ndezë flakën e betejës dhe të ngrihet kundër qeverisë. Duke reaguar për prishjen e simbolit të demokracisë në Kavajë, Topalli tha se urrejtja e Kryeministrit nuk ka limit. “Mora vesht se Rama ka shemb edhe monumentin e dy gishtave lart në Kavajë, simbolin e fitores së demokracisë, simbolin e rrëzuarjes së komunizmit mbi 20 vite më parë. Urrejtja e këtij njeriu ndaj gjithë atyre që rrëzuan baballarët e tyre nuk ka limit. Rama është i rrezikshëm. Që të mos humbim rrugën që PD nisi mbi 20 vite më parë, ka vetëm një rrugë. Të ngrihemi! Të bëjmë betejën që na takon. Shoh me shqetësim të thellë dramën që po ndodh me vendin tonë nga dita kur krimi hyri me tapet të kuq në zyrat e shtetit. PD duhet të ndezë flakët e betejës me të! PD duhet të ndezë flakën e rezistencës! Në historinë tonë ka ndodhur jo rrallë që ‘të ecim përpara duke gjetur atë që kemi lënë mbrapa’. Mos e harroni! Shqiptarët nuk e meritojnë përsëri këtë. Ka vetëm një rrugë që të mos humbasim rrugën: Të ngrihemi! Ka vetëm një rrugë që të mos gjejmë përpara atë që lamë mbrapa: Të ngrihemi. Te ngrihemi! Kjo është Betejë!”, thekoi dje Topalli.

Doda: Kaq poshtë kemi rënë sa bëjmë sehir?
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, tha dje se prishja e monumentit nuk duhet të kalojë duke bërë sehir. Sipas saj, demokratët nuk duhet të heshtin përballë kësaj ngjarjeje që simbolizon fitoren ndaj diktaturës. Doda tha se me këtë gjest shqiptarët po bëhen dëshmitarë të instalimit të hakmarrjes dhe diktatit të krimit dhe nëse Partia Demokratike dhe shqiptarët nuk do të veprojnë, atëherë do të jenë bashkëfajtorë të fundit të demokracisë në vend. “Po i dukemi se nuk ekzistojmë? Kaq poshtë kemi rënë që bëjmë sehir tek shkulin në qytetin simbol të demokracisë monumentin simbol të fitores së një kohe të re antidiktaturë, dhe s’kemi asnjë fuqi që të reagojmë? Ne sot po bëhemi dëshmitarë të instalimit të hakmarrjes dhe diktatit të krimit. Nëse nuk veprojmë, jemi fajtorë për lëshimin dhe frikën… Jemi bashkëfajtorë për fundin e demokracisë në vend”, tha Doda.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura