Banka Botërore: Kujdes me Amnistinë

Mar 31, 2011 | 13:07
SHPËRNDAJE
Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenya Lvovsky

Banka Botërore e ka çuar në 300 milionë dollarë financimin për katër vitet e ardhshme në Shqipëri.Gjatë një konference për shtyp, përfaqësuesja e përhershme e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenya Lvovsky, dha edhe detajet rreth financimeve sipas programeve përkatëse për vitet në vijim. Lvovsky tha se fillimisht në programin e BB-së ishin parashikuar 275 milionë dollarë për periudhën 2011-2014, por pas përmbytjeve në veri të vendit kredia u shtua edhe me 25 milionë dollarë të tjera, duke arritur shifrën 300 milionë. “Kjo rritje prej pothuajse 25 milionë USD u bë si pasojë e përmbytjeve të vitit 2010 dhe do të përdoret për të financuar përmirësimet për sigurinë dhe përdorimin e digave të hidrocentraleve, duke rritur shumën prej 35.3 milionë USD të planifikuar fillimisht për këtë qëllim”, tha Lvovsky. Në kuadrin e rritjes së sigurisë së digave në kaskadën e lumit Drin, fondet e Bankës Botërore do të përdoren për të rritur kapacitetin e hidrocentralit të Komanit, për të rehabilituar portat e të tri digave kryesore, si dhe për të optimizuar funksionimin e gjithë kaskadës. Ndërkaq, lidhur me përmbytjet në Shkodër, janë vënë në dispozicion nga Banka Botërore 14 milionë dollarë nga projekte që janë në zbatim e sipër dhe nga burime të tjera për të ndihmuar në përballimin e situatës të shkaktuar nga përmbytja në zonën e Shkodrës.
Ndërkaq Shqipëria së bashku me 6 vende të tjera do të përshpejtojë procedurën e shlyerjes së kredive të saj pranë IDA-s (Shoqatën Ndërkombëtare të Zhvillimit). Kjo shlyerje do të fillojë në vitin 2014, në mënyrë që të jenë kaluar efektet e krizës. Përzgjedhja e vendeve që do të fillojnë me shlyerjen e këtyre kredive, u bë në bazë të të ardhurave për frymë dhe të performancës makro-ekonom-ike, kushte këto që Shqipëria i plotësoi. “Angazhimi konstruktiv i Qeverisë së Shqipërisë dha një sinjal të lavdërueshëm solidariteti në luftën globale ndaj varfërisë, gjë që ndihmoi që të ruhen dhe të rriten kontributet  nga donatorët e IDAs në këto kohë të vështira pas krizës. Si  një profesioniste e fushës së zhvillimit që ka kaluar shumë vite pune në vendet e varfra, jam krenare për shembullin që dha  Shqipëria gjatë këtij procesit te IDA 16 dhe i ftoj të gjithë shqiptarët që të krenohen për vendin e tyre” tha Lvovsky lidhur me iniciativën e shlyerjes së përshpejtuar të borxheve.
Amnistia Fiskale
E konsideruar si një nga çështjet më të diskutuara të momentit për amnistinë fiskale, Banka Botërore përmes përfaqësueses së saj shënjestron edhe pikat ku duhet pasur kujdes. Lvovsky në fjalën e saj thekson se thelbësore në këtë mes është mënyra se si do të zbatohet amnistia. “E rëndësishme është që qoftë procesi i zbatimit, edhe ai i përjashtimeve nga amnistia, të bëhet në mënyrë transparente, të paanshme dhe të pavarur. Është e rëndësishme që amnistia të bëhet në mënyrë të tillë, që të eliminohet rreziku moral, ose thënë ndryshe duhet bërë e qartë që të mos krijohet ideja që unë shkel ligjin, nuk paguaj dhe disa vjet më vonë del një amnisti dhe unë ia hedh”, tha Lvovsky. Në këtë kuadër, ajo propozon që të kihet kujdes në të ardhmen, në mënyrë që të mos krijohen këto sjellje të gabuara fiskale dhe të zbatohen deri në fund masat ndëshkimore.

Shëndetësia
BB dhe qeveria shqiptare kanë rënë dakord një javë më parë për një kredi 25 milionë USD, që do të orientohet në mbështetje të politikave përmirësuese të asistencës dhe shërbimeve shëndetësore. Kjo kredi vjen pas miratimit të dy ligjeve të rëndësishme nga Parlamenti, siç ishin amendimi i ligjit për “Asistencën dhe Shërbimet Sociale” dhe ai për “Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor”. BB do të mbështesë këtë aspekt edhe me një projekt tjetër që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Pronat
Çështja e pronësisë, si një nga problemet më madhore që ka vendi ynë, do të jetë në fokusin e Bankës Botërore. Kjo e fundit ka ndërmarrë një analizë për të drejtat e pronës në Shqipëri e, siç bëhet e ditur, studimi do të publikohet së shpejti. Në datë 7 mars u zhvillua një konsultim me grupet e interesit, lidhur me zgjidhjen e çështjes të së drejtës mbi pronësinë. Në këtë pikë BB ka deklaruar se do të përfshihet në reformën për fuqizimin institucional në zgjidhje të kësaj çështjeje.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura