Bandë falsifikimesh, arrestohet në Greqi 34-vjeçari nga Memaliaj

Aug 31, 2011 | 10:59
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER – Një memaljot, i cilësuar si kreu i një organizate kriminale me qendër në Atikë, është kapur dje nga Policia greke. Burime zyrtare nga Policia e vendit fqinj, përmes stacioneve televizive që kapen në Gjirokastër, konfirmojnë kapjen e kreut të një grupi kriminal, që operonte në zonën e Atikës në Greqi prej 3 vitesh. Policia greke nuk jep asnjë të dhënë për identitetin e tij, por mediat elektronike të Janinës pohojnë se personi J. Muci është nga qyteti i Memaliajt në Tepelenë dhe i takon moshës 34-vjeçare. Buja që ka bërë arrestimi i 34-vjeçarit memaljot, ka qenë e madhe, pasi ai konsiderohet si një ndër personat më të inkriminuar për sa i përket falsifikimit të dokumenteve të ndryshme shtetërore, si dhe kartëmonedhave euro. Ka qenë një aksion i befasishëm, i ndërmarrë mbrëmjen e të hënës nga ana e Policisë Greke të Atikës, i cili u kurorëzua me sukses në kapjen e personit më të synuar për t’u vënë në pranga. Prej mjaft kohësh, ai ishte shndërruar në objektiv për t’i kapur, por disa herë u kishte shpëtuar kapjeve në momentin e fundit, si pasojë e dekonspirimit të aksioneve nga ndonjë rrjedhje e mundshme informacioni brenda Policisë helene. Arrestimi ka ndodhur në zonën e Agio Nikolaos, në Atikë, afër kryeqytetit grek. Gjatë arrestimit, ai ka qenë krejtësisht i vetëm dhe i pambrojtur nga persona të tjerë. Në kontrollin që është kryer në zonën ku strehohej përkohësisht, policia greke ka arritur të gjejë 40 kartëmonedha të prerjes 50 euro të falsifikuara, një kartëmonedhë të prerjes 20 euro të falsifikuar, 330 euro origjinale, një pasaportë rumune e falsifikuar, 38 qese të mbushura me marijuanë me peshë totale 2.3 kg, dy qese me 0.7 kg kokainë, si dhe një thikë dhe dy telefona celularë. Nuk bëhet e ditur nëse policia helene, ka arritur të gjejë instrumentet falsifikuese të pasaportave apo dhe kartëmonedhave të eurove, por është mjaftuar me faktin se të gjitha këto prodhoheshin në rrethinat e kryeqytetit grek. Memaljoti J. Muci, 34 vjeç, akuzohet për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale, falsifikim monedhash, falsifikim dokumentesh, prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.                       p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura