Balo “ekzekuton” gjermanët, Italia është në finale

Jun 29, 2012 | 14:34
SHPËRNDAJE
Gjermani-Itali 1-2

Dopieta e Mario Balotelit nxjerr jashtë loje pretendetët kryesorë për EURO 2012, Gjermaninë, duke e çuar në finale Italinë e Prandelit, ndër më pak të kuotuarat nga “të mëdhatë”, në fillim të kampionatit.
Është nata e Balotelit. Djaloshi ngatërrestar tregoi edhe një herë se di të bëjë për vete edhe kundërshtarët, duke qenë perfekt në ndeshjen e duhur: dy raste, dy gola dhe Italia fluturon për në finalen e Kievit, ku e pret Spanja, kampione në fuqi. Triumfon sërish shpirti i sakrificës italiane, “dinakëria” e trajnerit Prandeli, që ka prodhuar një skuadër të ekuilibruar mes reparteve, kësaj here edhe me një sulm funksional e tepër aktiv, të përbërë nga dyshja Baloteli-Kasano. Andrea Pirlo nuk futet dot në kafaz, nuk e kanë bërë dot këtë as gjermanët, pavarësisht se “digë” kundër tij ishin vendosur jo pak, por tre lojtarë: Shvajnshtaiger-Kros-Khedira. Ky i fundit i qëndron pas fantazistit të Juves si “pullë poste”, arrin ta mbajë në pozicione të thella defensive “trurin” e lojës së axurrëve, por në pjesën e dytë numri 21 i Italisë ka dalë në virtuozitetin e vet maksimal, duke dhuruar disa asiste për Markizion e Di Natalen, që mund ta kishin vulosur përfundimisht fatin e kësaj supersfide, duke shënuar golin e tretë. Nuk dorëzohen gjermanët, edhe pse goditja psikologjike që kanë marrë nga dy golat e Mario Balotelit është e madhe. Natyrisht, disavantazhi ka prishur diçka në vendosjen taktike të “pancerave”, lojtarët tejkalojnë vetveten dhe detyrat e dhëna nga trajneri Lëv, sepse duhet reaguar fort dhe tentuar rivendosja e ekuilibrit rezultativ. Megjithatë, në pjesën e parë, dyshja e sulmit gjerman, me Gomez në majë dhe Podolskin që e mbështet nga krahu, nuk bën asgjë aq sa detyron Lëvin që t’i zëvendësojë menjëherë. I besohet veteranit Klose dhe të riut Rojs. Ata i japin më tepër lëvizshmëri sulmit të tyre, krijojnë më shumë pështjellim në mbrojtjen italiane, por kjo e fundit nuk zhbalancohet dhe arrin ta mbajë të paprekur portën e Bufonit, deri në momentin e penalltisë së Ozilit. Por është shumë vonë, pasi italianët, virtuozë dhe “bunker” në mbrojtje, arrijnë të administrojnë duke fituar një ndeshje ku ata ishin “viktimat” e parashikimeve. Sakaq, Gjermania del kokulur nga Varshava, ndërsa prestigjiozja “Bild”, në shokim e sipër, ironizon me fatin e keq të skuadrës së Lëvit duke thirrë në kauzë pikërisht Papën në Vatikan, Benedeto XVI (për fat edhe ky një shtetas gjerman): A e ka njeri numrin e telefonit të Papës?

Skeda e ndeshjes
Gjermani-Itali 1-2

Golat: Ozil 92’ / Baloteli 20’, 36’
Kartonë të verdhë: Humels/ Baloteli, Bonuçi, De Rosi, Mota
Arbitër: Stefan Lanoi (Francë)
Spektatorë: 55.540
GJERMANIA (4-2-3-1): Nojer; Boateng (71’ Myler), Humels, Badshtuber, Lahm; Shvajnshtaiger, Khedira; Ozil, Kros, Podolski (46’ Rojs); Gomez (46’ Klose). Trajner: Joakim Lëv
ITALIA (4-3-1-2): Bufon; Balzareti, Barzalji, Bonuçi, Kielini; Markizio, Pirlo, De Rosi; Montolivo (63’ Tiago Mota); Baloteli (70’ Di Natale), Kasano (57’ Diamanti). Trajner: Çezare Prandeli

ANALIZA E NDESHJES
Më i miri – Mario Baloteli ka mundur kritikat, skeptikët dhe të gjithë ata që e kanë urryer në këto vite të karrierës së tij.
Më i dobëti – Më i dobëti i takimit nuk është vetëm një, por dy, dhe që të dy i përkasin gjermanëve: ata mbajnë emrat e Podolskit dhe Gomezit.
Çelësi i ndeshjes – Ai që theu ekuilibrin ishte një driblim i Antonio Kasanos. Magjia e tij në korsinë e majtë dhe krosimi perfekt për Balotelin, jo vetëm që thyen rivalin dhe i jep avantazhin Italisë, por mbi të gjitha shokon gjermanët dhe i fut në panik.
Moviola – Arbitri mbase nuk ka gabuar në dhënien e kartonëve të verdhë gjatë ndeshjes, por disa vendime të tij ishin absurde. Disa faulle mes pjesës së parë dhe të dytë ishin të pashpjegueshme, sepse në shumicën e rasteve u dhanë në anën e kundërt të atyre që u takonin. Ndërkohë, njolla e tij e zezë është penalltia e akorduar në minutën e 92-të për prekje me dorë të Balzaretit, një prekje që ishte rrjedhojë e trajektores së topit.

Baloteli: Golat për mamanë, ky momenti im
Mario Baloteli ka qenë edhe snajperi i Italisë në gjysmëfinale. “Në fund të ndeshjes shkova te mamaja ime. Ia dedikova asaj këta dy gola. E kam pritur gjatë këtë moment dhe doja vetëm që ta bëjë ta lumtur. Do vijë me mua në finale dhe shpresoj që të bëj edhe dy gola të tjerë. Renditja e golashënuesve? Do provoj me të gjitha mënyrat për të shënuar sa më shumë për Italinë time dhe jo për të marrë atë çmim. Ju pata thënë se do vinte momenti im dhe do ekzaltohesha si i çmendur. Kasano? Pati frikë nga fiziku im kur shënova dhe hoqa fanellën (qesh). Zëvendësimi? Kishte mbaruar gjithçka, ndaj nuk më bënte më asgjë përshtypje”.

Mbrojtësit Barxali dhe Kielini: U bëmë “mur”
Barxali dhe Kielini ishin thuajse të pakalueshëm për sulmuesit gjermanë. “Ishim në superformë dhe këtë e treguam edhe me lojën tonë në mbrojtje. Nuk na shënon gol me aksion, edhe sikur ndeshja të vazhdonte edhe për 90 minuta të tjera”, ka pohuar pas takimit Kielini. “Është një natë spektakolare për ne. Luajtëm një ndeshje të madhe ndaj një skuadre po aq të madhe si Gjermania. Tani duhet të pushojmë paksa për të rikuperuar forcat për finalen me Spanjën. Kemi arritur deri në fund, ndaj do ishte fatale për ne nëse nuk do të vazhdonim me të njëjtin ritëm edhe me spanjollët. Janë superskuadër, por nuk i kemi frikë”, tha Barxali.

Prandeli: Duhet të fitonim të paktën 3-0
Trajnerit të Italisë, Çezare Prandeli, nuk i mjafton fakti se nxori jashtë loje një nga pretendentët e këtij Europiani, Gjermaninë. Ai pohon se Italia e tij ka bërë një ndeshje të jashtëzakonshme, por duhet të kishte fituar të paktën 3-0. “Në 15 minutat e fundit humbëm raste pafund dhe mund ta kishim mbyllur aty ndeshjen me një 3-0. Por, lojtarët e mi nuk kishin më fuqi në këmbë. E sigurt është se kemi bërë një ndeshje të jashtëzakonshme. Çelësi i suksesit? Bëmë atë që dinim më mirë: luajtëm me Montolivon në qendër dhe kërkuam dyluftimin një për një me Kasanon, aty ku ai nuk gabon”, tha Prandeli.

Eliminohet nga EURO, Lëvi shpërthen në lot
Nuk e kishte imagjinuar se do të humbte në gjysmëfinale ndaj Italisë, ndaj zhgënjimi i trajnerit të Gjermanisë, Joakim Lëv është në kufijtë e të paimagjinueshmes. Në fakt, kamerat kanë kapur momentin kur ky i fundit pas vërshëllimës së arbitrit shpërthen në lot. Askush në stolin e “pancerave” nuk tenton t’i afrohet, kjo edhe për faktin se thuajse të gjithë janë në të njëjtën gjendje emocionale. Lëv kishte përgatitur një skuadër triumfuese, çka u pa edhe në ndeshjet në grup (i fitoi të tria) dhe në çerekfinale (mundi lehtësisht Greqinë me rezultatin 4-2), por si duket tekniku gjerman nuk kishte llogaritur aq sa duhet Italinë e Prandelit, e cila i dha mbrëmë një leksion të vërtetë futbolli. “Kemi besim të verbër te trajneri ynë”, pat thënë një ditë më parë Khedira, por duhet thënë se ndaj Italisë ishin pikërisht zgjedhjet e gabuara të Lëvit që çuan në dështim. Lënia e Kloses në stol dhe e Mylerit (në vend të Gomez dhe Podolskit), tregoi se tekniku nuk pati hedhur në fushë formacionin më të mirë.

Statistikat, Italia superiore ndaj Spanjës
Nëse u referohemi statistikave, atëherë Spanja nuk duhet as ta provojë që të fitojë ndaj Italisë mbrëmjen e së dielës në “Olimpikun” e Kievit. Në fakt, nuk është se mes dy skuadrave ka diferenca të jashtëzakonshme në rezultatet gjatë gjithë historisë së dueleve mes tyre, por ama “axurrët” kanë qenë shumë herë më shumë rezultativë në sfidat “e vërteta”, ndërsa spanjollët u janë kënaqur fitoreve në ndeshjet miqësore. Bilanci deri tani mes këtyre dy skuadrave është: 8 fitore për Italinë, 11 barazime dhe 7 fitore për Spanjën në 26 ndeshje të luajtura. Por, duhet thënë se të gjitha fitoret e Spanjës janë në ndeshje miqësore.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura