Balancat e prishura të KQZ-së

Apr 30, 2013 | 12:38
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKA

Politika shqiptare, në marrëdhënie me KQZ-në, me qeverisjen e vetme të organizimit të zgjedhjeve të lira, ka kohë që ka hyrë në kokolepsjen e serialit të lojës së çuditshme të kungulleshës. Fillimi i kësaj historie, kinse politike dhe juridike, ishte ngritja e KQZ-së, e tipit të balancuar, që ngjau kohë më parë, si rezultat i aleancës qeverisëse të PD dhe LSI, të cilat, duke bërë sikur harruan se programet dhe idealet e ndryshme do t’i vinin edhe përballë. Tanimë po vazhdon me lojën e mbrapshtë të numrave, si zakonisht në punët e zgjedhjeve, hyjmë me vetëdije në një situatë serioze, siç edhe ka qenë në pjesën më të madhe të kohës së demokracisë së brishtë shqiptare. Hapi i dytë, po kaq makiavelist sa edhe i pari, erdhi nga kalimi i LSI me PS, që në mënyrë të rrufeshme nisi që ta pasuronte me zhdërvjelltësi edhe ca më tepër lojën absurde me kungulleshën e pushtetit. Bindja përfundimtare se bashkimi PS dhe LSI do të bënte që të fitoheshin zgjedhjet e 23 qershorit, me sa dukej lidhej edhe me anëtarin e katërt në KQZ. Nga kjo rrethanë, jo dhe aq rastësore, po të kesh parasysh skenën politike të rrjedhjes së votave dhe të deputetëve, e kuptojmë se balancimi politik, shpeshherë edhe sipërfaqësor, në fakt fsheh, vetëm se me gjethe fiku, krizën e thellë të besimit të politikës shqiptare, të të dy krahëve të saj, të PS dhe PD, pa dyshim me gjithë trenin e koalicioneve, që çuditërisht me shtimin e numrit të partive, secila palë, rreken që të mbushin mendjen e votuesve për fitoren e sigurt. Në këtë dalldi të pashembullt të krizës së besimit, si dhe të etheve të pushtetmbajtësve dhe pushtetmarrësve, aq sa ngjet që të bëhen marrëveshje në mes qeverive të Serbisë dhe Kosovës, armiqve shekullorë, e për çudinë radhës, në mes të krahëve të politikës shqiptare, është e vështirë që të funksionojë qoftë edhe një marrëveshje, e realizuar pak kohë më parë, madje në liri të plotë për numrin e anëtarëve të komisionit të zgjedhjeve. Në këtë vorbull të një situate zbrazëtire dhe mundësie për të kryer zgjedhje normale, PD ndërmerr aktin tjetër, tashmë të shkurorëzimit të KQZ, duke larguar përfaqësuesin e LSI dhe duke votuar në Parlament një përfaqësues të PR, pra duke ndihmuar kështu në zhbalancimin, juridik dhe politik, të vetë institucionit të zgjedhjeve. Arsyeja e largimit të tij fillimisht u trajtua si shkelje e balancave, e pastaj u kalua si pa të keq në shkelje të dikurshme ligjore të përfaqësuesit të LSI. Si është e mundur që nuk u panë shkeljet e rënda ligjore të këtij personi kur u votua herën e parë nga jo pak deputetë të të gjithë krahëve të politikës? Ky akt, juridik dhe politik, u shoqërua nga një veprim i rrufeshëm i përfaqësueseve të PS, të cilët në liri të plotë, megjithatë kontribuuan për thellimin e krizës së krijuar në KQZ, të cilët me dorëheqjet e tyre kryen një akt publik, duke e futur përfundimisht funksionimin e KQZ në kolaps të plotë. Megjithatë, në kalvarin e këtyre ditëve loja e kungulleshës me KQZ-në, pra me fatin e zgjedhjeve, e pati edhe një akt të mirëfilltë komik, mbase si për të vënë qershinë mbi tortë në spektaklin e kungulleshës, kur përfaqësuesi i PBDNJ-së nisi lojën e mish-peshkut, ngriva-shkriva. Besoj se vetë kësaj atmosfere të nderë dhe të mbrapshtë, që na shpalosi një tragjikomedi për ditë me radhë, po i vjen fundi. Politika shqiptare, e sidomos të dy faktorët kryesorë, pra PD dhe PS, që kanë hartuar Kodin, kanë ngritur Komisionin, pikërisht me atë formulë të balancimit politik që mbajnë po ashtu peshën kryesore të përgjegjësisë, tashmë do të duhet që t’i japin fund lojës së kungulleshës. Me ligjshmëri apo me marrëveshje partiake në tryezë duhet që ta ringrenë në këmbë KQZ. Ligji për zgjedhjet, Kodi Zgjedhor, me balancë apo pa balancë, e shndërron numrin shtatë të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një detyrim kushtetues, politik, qytetar dhe kombëtar, në mënyrë që të kthehet normaliteti, i munguar prej kohësh, në atë institucion dhe të shkohet me qetësi dhe pa konflikte absurde dhe të panevojshme në zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat duhet të shënojnë një pikë kthese me votuesit, me faktorin ndërkombëtar, për të përshpejtuar kështu hapat e integrimit në Europë, kur dihet se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë parakushti thelbësor për këta hapa. Këtë e dinë më mirë se kushdo politikanët tanë, liderët e partive të pushtetmarrësve, të cilët sa e sa herë janë zotuar për të kryer detyrat e shtëpisë, sidomos për zgjedhjet e lira dhe demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura