Bakteri “Escherichia coli”, 14 të vdekur në Gjermani

May 31, 2011 | 17:04
SHPËRNDAJE

Një trajtë vdekjeprurëse e bakterit Escherichia coli (Esherishia koli), që njoftohet të ketë lidhje me trangujt e eksportuar nga Spanja, u ka marrë jetën të paktën 14 vetëve në Gjermani dhe ka sëmurë qindra të tjerë, raporton Zeri i Amerikes.

Ekspertët gjermanë dhe zyrtarët qeveritarë u mblodhën dje për të shqyrtuar krizën.

Zyrtarët shëndetësorë nga disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Rusinë, tërhoqën nga shitja perimet spanjolle dhe ndaluan importimet shtesë nga shqetësimi se mund të zgjerohej përhapja e bakterit vdekjeprurës.

Spanja kritikoi ndalimin e importeve. Diego Lopes Garrido, përfaqësuesi spanjoll në BE, tha se nuk kishte dëshmi se ndotja kishte zanafillën në Spanjë.

Instituti kombëtar i sëmundjeve në Gjermani këshilloi qytetarët në veri të vendit, ku janë shfaqur shumica e rasteve, që të mos hanë domate, tranguj dhe marule të pa ziera.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve po heton burimin dhe gjerësinë e rrezikut. Grupi me qendër në Stokholm tha se pacientët e infektuar kanë fituar sindromin hemolitik uremik, një sëmundje që prek veshkët, gjakun dhe sistemin nervor, dhe që mund të shkaktojë vdekjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura