Bajerni mund Çelsin me penallti

Aug 31, 2013 | 13:39
SHPËRNDAJE

Pep mund Murinjon. Skuadra e Bajernit fitoi dje Superkupën duke mundur në finale Çelsin pas penalltive (5-4), sepse ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2. Ishte një duel që dhuroi spektakël, ku nuk munguan golat dhe kartonët e kuq. Skuadrat u fokusuan së tepërmi në pjesën taktike, e megjithatë në 120 minuta u shënuan plot katër gola. Serinë e tyre e hapi Çelsi me anë të Torresit në minutën e 8-të pas një aksioni model, edhe pse ishte Bajerni ai që po dominonte në lojë. Bajerni barazoi sapo nisi pjesa e dytë me Riberinë në minutën e 47-të. Në minutën e 85-të Çelsi mbetet me 10 lojtarë, pasi Ramirezi mori edhe kartonin e dytë të verdhë. Ndeshja shkoi në kohën shtesë, ku vetëm pas tri minutash Hazard shënon një gol të mrekullueshëm duke nxjerrë blof mbrojtjen bavareze. Atëherë kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Çelsit, Bajerni barazoi në sekondat e fundit me anë të Martinezit, pas një pasimi disi me fat nga ana e Manxukiçit. Te penalltitë gaboi Lukaku në gjuajtjen e fundit, pasi ia priti topin Nojer dhe trofeun e fitoi Bajerni. Deri atëherë kishin shënuar me penallti Alaba, Riberi, Kros, Lahm dhe Shaqiri (Bajern), ndërsa te Çelsi shënuan David Luiz, Oskar, Lampard dhe Eshli Kol.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura