Bajerni eliminon Dortmundin në Kupë

Feb 28, 2013 | 13:18
SHPËRNDAJE

Gjithnjë Bajern. Si në kampionat, edhe në kupë, bavarezët janë dominues duke eliminuar mbrëmë nga Kupa e Gjermanisë kundërshtarin më të madh të tri sezoneve të fundit, Borusian e Dortmundit. Ka mjaftuar një gol i holandezit Arjen Roben në minutën e 43-të të takimit, pas një asisti të kapitenit Filip Lahm, që pluri-kampionët të mund të preknin finalen e Berlinit, ku i pret Shtutgarti (eliminoi mbrëmë 2-0 Bokumin). Duhet thënë se ishte një 90-minutësh i dominuar nga Bajerni dhe me një Dortmund larg kohëve më të mira. Madje, verdhezinjtë e drejtuar nga Klop nuk arritën për asnjë çast që të merrnin zotërimin e fushës dhe të rrezikonin aq sa duhet portën e mbrojtur nga Nojer. Nga ana tjetër, Dante dhe Alaba ishin të pakalueshëm në mbrojtje, ndërsa Shvajnshtaiger thjesht tregoi edhe një herë klasin e tij në mesfushë. Mungoi disi në këtë mbrëmje sulmuesi kroat Mandzukiç, i cili gjithsesi pati rastet e tij për shënim, por natyrisht njeriu i ndeshjes ishte Roben. Holandezi, i lënë disa ndeshje radhazi në stol, tregoi edhe një herë se gëzon një formë të shkëlqyer, dhe pritet që tashmë të jetë një problem për trajnerin Hejnkes, pasi nuk do mund ta lërë në pankinë. Gjithsesi, ajo që vlen më shumë është se po konfirmohet fakti që ky është sezoni i Bajernit, pasi titulli është thuajse i hipotekuar, janë në finalen e kupës, si dhe konsiderohen thuajse të kualifikuar edhe në Champions pas fitores 3-1 ndaj Arsenalit në Londër.

Bajern-Dortmund    1-0
Shënues:
Roben 43’
Kartonë të verdhë: Martinez, Kros, Mandzukiç
Bajerni: Nojer, Lahm, Van Bujten, Dante, Alaba, Havi Martinez, Shvajnshtaiger, Myler (Luiz Gustavo 78’), Kros (Boateng 90+4’), Roben, Mandzukiç (Gomez 90+1’).
Trajner: Hejnkes
Dortmund: Veidenfeler, Piszçek, Subotiç, Felipe Santana, Shmelcer, Gyndogan, S.Bender, Grojskrojtc (Blazhikovski 62’), Gëtce, Rojs (Shieber 81’), Levandovski. Trajner: Klop

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura