Atentati mafioz, vritet me dy plumba në kokë avokati

Jul 30, 2011 | 10:25
SHPËRNDAJE

Ekzekutohet në një atentat mafioz në mes të Tiranës juristi i Entit Kombëtar
të Banesave. Sokol Doçi, 34 vjeç, avokat në profesion, u qëllua tetë herë me
armë, por tre plumba i morën jetën në orët e para të mëngjesit të
djeshëm. Juristi, familja e të cilit ka aktivitet ndërtimi në Tiranë, ra pre e ekzekutorëve në momentin kur po zbriste nga makina, para hyrjes së pallatit
ku banonte. Policia tha dje se ngjarja ndodhi në rrugën “Shyqyri Ishmi”, mbrapa shkollës 9-vjeçare “1 Maji” në Tiranë. Autorët duket se i
kanë zënë pritë 34-vjeçarit para pallatit ku banonte. Vrasësit kanë pritur aty derisa objektivi është kthyer në shtëpi, rreth orës 01:15. Në këtë kohë, tetë të shtëna arme janë drejtuar për tek makina “BMW” seria 7 e 34-vjeçarit,
por tre plumba i kanë marrë atij jetën në vend. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor i
viktimës dhe pyetja e dëshmitarëve, rezulton që Doçi është qëlluar 8 herë, por 3 plumba e kanë kapur në trup, dy prej të cilëve në kokë dhe një
në gjoks. Dëshmitarët kanë thënë se vrasësit janë larguar me motor nëpërmjet tunelit që lidh rrugën kryesore “Ali Demi” me atë “Shyqyri Ishmi”,
ku ndodhi vrasja. Policia e kryeqytetit tha dje se atentati përbën një krim të organizuar mirë dhe të planifikuar deri në detaje.
ATENTATI
Në orën 01:15, avokati Sokol Doçi sapo kishte kaluar tunelin mes për mes një
pallati në rrugën “Ali Demi” dhe ka ndaluar makinën e tij “BMW” seria 7, me ngjyrë të bardhë, para pallatit ku banon, mbrapa shkollës “1 Maji”. Ende pa vënë këmbën  në tokë, pasi kishte parkuar makinën, ai është sulmuar me
armë nga persona ende të paidentifikuar. Ekzekutorët që kanë pritur në rrugicën e errët, kanë qëlluar 8 herë në drejtim të 34-vjeçarit, siç tha
policia, me një armë pistoletë të kalibrit 7.65 milimetra (“TT”). Autorët e dyshuar të krimit, që sipas policisë kanë përdorur për t’u larguar një
motor, i kishin zënë pritë juristit të Entit Kombëtar të Banesave para hyrjes së pallatit, ku viktima do të kalonte patjetër, pasi nuk ka asnjë rrugë tjetër për të qarkulluar në zonë. Pasi kanë realizuar krimin, autorët janë larguar
nga vendi i ngjarjes duke përdorur rrugën e vetme, andej nga kishte kaluar avokati Sokol Doçi pak para se të vritej. Në vendngjarje shkuan menjëherë oficerë e Hetimit të Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë, të cilët
bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes duke mbledhur dhe administruar provat. Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm
hetimor, të cilët po kryejnë procedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, motiveve, si dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
HETIMI
Pas sigurimit të provave materiale në vendin e ngjarjes, 8 gëzhoja të kalibrit
7.65 milimetra dhe disa gjurmë të tjera, policia ka ngritur disa pista hetimi, të cilat kanë lidhje me aktivitetin e viktimës. Dëshmitarët që janë
marrë në pyetje nga policia janë të paktë në numër, pasi ngjarja ka ndodhur në një orë kur përreth zonës nuk ka pasur shumë lëvizje. Policia ka
marrë në pyetje edhe të afërm dhe persona të tjerë që kanë shkuar në afërsi të makinës ku është qëlluar për vdekje Doçi, të cilët kanë qenë të
parët që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë dëgjuar të shtënat. Sokol Doçi ishte punonjës i Entit Kombëtar të Banesave, ndërsa familja e tij
ka në pronësi një firmë ndërtimi. Dy vëllezërit e viktimës jetojnë prej vitesh në Amerikë, ndërsa ai vetë jetonte vetëm me të ëmën, pas vdekjes së babait, Sami Doçi, i cili ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Kukësit. Doçi rezulton të
jetë një prej anëtarëve të Këshillit të Mbikëqyrës në kompaninë “Betting System Albania” me përfaqësues ligjor Ervis Gjeçajn.

Doçi, vetëm një gjyq civil në vitin 2006

TIRANE – Policia është vënë përballë një hetimi kompleks pas vrasjes së Sokol Doçit. Emri i tij përmendet në dy çështje penale të trajtuara
nga drejtësia shqiptare, madje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por
në të dy rastet, Doçi është në rolin e dëshmitarit pa u implikuar direkt në ndonjë ngjarje. Nga ana tjetër, 34- vjeçari po ashtu duket se nuk
ka pasur aktivitet të dendur në profesionin e tij aq sa mund t’i ketë sjellë ndonjë hakmarrje. Sipas verifikimeve që ka bërë dje policia,
Sokol Doçi ka marrë pjesë, të paktën deri vitin e fundit, vetëm në një gjyq civil në vitin 2006 në Gjykatën e Tiranës, ku ka mbrojtur Entin
Kombëtar të Banesave ku punonte si jurist. Në këtë gjyq Doçi ka mbrojtur institucionin që ishte paditur prej një ish-punonjësi që e
konsideronte shkarkimin nga puna të padrejtë. Dje, një fqinj i avokatit Sokol
Doçi, i cili banon në pallatin pranë vendit ku ndodhi atentati, tregoi dje se në kohën kur ka ndodhur krimi ndodhej në shtëpi dhe ka dëgjuar krismat, pasi nuk kishte fjetur ende. Gati një orë para ngjarjes, ai kishte hequr tendën në hyrje të tunelit, ku shet cigare, dhe ishte kthyer në shtëpi. Ai
tregon që ka dëgjuar të shtëna arme dhe ka nxituar të dalë në dritare për të parë se çfarë kishte ndodhur. “Nxitova për të parë çfarë ndodhi,
por nuk pashë asgjë të dyshimtë. M’u dukën si të shtëna armësh, por kur nuk
pashë asnjë lëvizje në oborrin e pallatit, u futa pranë brenda. Aty është errësirë dhe nuk mund ta dalloja nëse dikush ishte vrarë, por mesa mbaj mend unë, të dyja makinat e Sokolit i kam parë poshtë pallatit, edhe fuoristradën edhe veturën”, tregon dëshmitari. Ndërsa ai ngul këmbë se
autorët i kishin zënë pritë dhe kishin përgatitur gjithçka, pasi për të shkuar tek pallati ku banon Doçi, ka vetëm një rrugë dhe nuk ka asnjë kalim tjetër. Në këtë mënyrë, përballja nuk ka qenë e rastësishme dhe as nga ndonjë konflikt i momentit, por e organizuar mirë nga autorët.              ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura