Atentati ndaj prokurorit/ Lubonja: Nuk dallohet ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Duhet një maksi-proces si ma mafien në Siçili

Nov 4, 2019 | 18:27
SHPËRNDAJE

Duke komentuar atentatin ndaj prokurorit Arian Ndoja, analisti Fatos Lubonja thotë se ngjarja është tejet e rëndë, duke shtuar se Shqipërisë i duhet një operacion i madh si ai kundër mafies në Italisë rreth 30 vjet më parë.

lubonja

I ftuar në studion e News 24, Lubonja theksoi gjithashtu se ky operacion duhet të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën.

Lubonja: Më duket shumë dramatike ajo që ka ndodhur jo në kuptimin e një atentati, por në kuptimin simbolik. Këtu kemi një prokurori i cili gjendet në një makinë çuditërisht me një mafioz. Tentohet të vritet nga mafiozë të tjerë ai apo prokurori nuk merret vesh.

Pastaj flitet për prona në Gjirin e Lalzit që janë shkaku. Kemi një prokurori të Durrësit që është djegur dhe ajo prokurorja e Durrësit ka ardhur dhe në Tiranë, dmth është bërë dhe më e madhe në pushtet. Ndjesia që kur mbaron krimi e ku fillon shteti apo anasjelltas nuk dallohet kufiri. Është një shkrirje dramatike, që shkurt i thonë që krimi ka kapur shtetin sepse ka kapur ekonominë sepse janë të paaftë për të bërë ekonomi.

Është çështje shumë e madhe politike kjo që ka ndodhur përtej asaj kush e vrau, si e vrau. Denoncon strukturën për të cilën është folur aq shumë. Bashkëpunimi me krimin i partive politike për të kapur votën, votën e kap për të kapur shtetin, shtetin e kap për të vjedhur shqiptarët, shqiptarët i vjedh për t’u pasuruar dhe për të mbajtur pushtetin dhe në bashkëpunim me krimin. E gjithë kjo histori ka një tregues të qartë tek ky atentat i fundit.

Ka një pjesë që thonë që duke u sulmuar direkt nga kryeministri dhe nga zëvendës kryeministri prokurori u bë target i pambrojtshëm. Në një farë mënyrë ata sikur i hapën dritën jeshile atentatorëve duke i hequr këtij imunitetin e figurës shtetërore për ta vrarë për interesa pronash, pasurish etj. Kjo është për t’u hetuar nga prokuroria për të kuptuar se çfarë lidhje kanë ata që qëlluan me pushtetin.

Çfarë lidhje kanë ato pronat që flitet me lejet që ka dhënë qeveria. Është një histori që duhet hetuar por që tek ne nuk hetohet. Thuhet se prisja që sapo foli kryeministri nuk i shkonte njeri në mendje. Duhet parë se çfarë lidhje kanë ata që e kanë qëlluar me PS në Durrës të Vangjushit për shembull. Të gjitha këto janë për t’u hetuar, ndryshe jetojmë në një kaos, ku nuk dihet se çfarë do të ndodhë nesër. Por që këtu nuk është çudi që vriten prokurorë, banditë e biznesmenë është një gjë që nuk bën çudi.

Nuk besoj që hetimet do shkojnë deri në fund. Sigurisht mund të kapin autorët, por jo që të zbërthehet e gjithë ajo strukturë e lidhjes së politikës me krimin. Atë nuk e besoj. Kohët e fundit kam menduar një gjer, që këtu duhet një maksi proces. Maksi procesi që bëri Falcone e Borselino me mafien në Sicili dhe u arrestuan 400 e ca veta, me politikë. Këtu është bërë situata për një maksi proces. Kush do e bëjë? Se ca thonë do vijën ta bëjnë amerikanët. Nuk e besoj. Ndaj jap një përgjigje pesimiste për atë që thatë ju.

Nuk besoj fare tek kjo drejtësia që të mund të merret me këta. Edhe fakti që këta bëjnë atentat ndaj prokurorit kaq kollaj, tregon se sa të fortë janë këta, kanë në dorë shtetin. Edhe prokurorët janë bërë vegël të tyre, janë bashkëpunëtorë. Nuk kanë fuqi. Unë dyshoj që edhe këta që kanë mbetur nga vettingu janë një seleksionim që i bëjnë të lidhur me të njëjtën bandë dhe jo se do të kenë autonomi apo pavarësi ndaj këtij pushteti kriminal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura