Atentat për hakmarrje 48-vjeçarit

Oct 31, 2014 | 13:09
SHPËRNDAJE

Vendi ku ndodhi atentati
Një 48-vjeçar mbeti i plagosur rëndë në një atentat mbrëmjen e djeshme në Tiranë, kur sapo kishte zbritur nga makina dhe ishte drejtuar për të hyrë në një lokal.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15, në një rrugicë pranë bllokut të pallateve përgjatë Unazës së Re në kryeqytet, kur Krenar Hasaliaj (Habilaj) është qëlluar 4 herë me pistoletë. Autorë të ngjarjes, sipas dëshmitarëve, kanë qenë 2 persona që e kishin ndjekur me motor derisa ai ka ndaluar dhe ka zbritur nga makina. Dëshmitarët kanë deklaruar për oficerët e policisë në vendngjarje se autorët kanë qenë të maskuar, ndërsa njëri kishte veshur xhup të bardhë, tjetri ngjyrë kafe. Pasi kanë qëlluar drejt Hasaliajt, të dyshuarit, që nuk kanë zbritur në asnjë moment nga motori tip “Papaq” me targë greke, kanë vazhduar rrugën në drejtim të fshatit Mëzez, duke lëvizur me shpejtësi. Policia është lajmëruar fillimisht për të shtëna me armë dhe më pas për plagosjen e një personi dhe forca të shumta rendi e krimesh, madje edhe drejtues të lartë të Policisë së Tiranës janë nisur drejt vendngjarjes. Ndërsa i plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje kome. Goditjen fatale ai e ka marrë në qafë dhe për pasojë, veç plagëve të rënda, ka humbur shumë gjak. Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi emri i 48-vjeçarit ka qenë i skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, që nga vrasjet, grabitjet me armë e deri tek aksidenti me pasojë vdekjen e 2 personave i ndodhur disa muaj më parë në Vlorë.
AUTORET E NGJARJES
Nisur nga rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, Policia e Tiranës dyshon se dy autorët e atentatit ndaj Krenar Hasaliajt mund të jenë paguar nga persona të tjerë për të kryer krimin. Menjëherë pas atentatit, policia e kryeqytetit ngriti pika të shumta kontrolli nëpër Tiranë dhe mundi të arrestojë njërin prej autorëve rreth një orë pasi kishte ndodhur ngjarja. I dyshuari, shtetasi me iniciale Gj. A., u kap në momentin kur po mundohej të fshihte motorin tip “Papaq” të përdorur gjatë ngjarjes. Ndërsa autori i dytë kishte arritur të largohej në këmbë mes rrugicave që të çojnë drejt fshatit Kashar dhe deri në orët e vona të mbrëmjes ende nuk ishte arrestuar. Burime nga Policia thanë se gjysmë ore pas arrestimit të njërit prej autorëve, kanë gjetur edhe motorin me targë MKT 167 e përdorur nga atentatorët, i cili ishte hedhur në liqenin e fshatit Domje. Burimet thanë se përgjatë gjithë natës kanë vazhduar kontrolle të shumta kryesisht në fshatrat në të dy krahët e autostradës Tiranë – Durrës dhe janë shoqëruar dhjetëra persona, në cilësinë e dëshmitarëve, të dyshuarve dhe personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura