Artisti venezuelian: Kur të vdesë pasioni, do ta lë skenën

May 24, 2011 | 9:32
SHPËRNDAJE
Victor Garcia Sierra

Në mënyrë të pandërgjegjshme të injekton një ndjesi pozitiviteti dhe energjie.Kur çdo gjë rreth teje është e lodhshme, si për sytë edhe për mendjen, një shkundje entuziazmi të nevojitet. Bas-baritoni Victor Garcia Sierra ka ardhur në Tiranë për të interpretuar rolin e Filipit II në operën “Don Carlos”, që sot ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për herë të parë. Është një rol i vështirë në një opera të vështirë. Ka rolin e një mbreti, që ka në dorë jetën dhe vdekjen e kujtdo, por jo zemrën e gruas që dashuron. Një personazh me një luftë të fortë brenda vetes. Për artistin nga Venezuela të këndonte në Tiranë ishte një rast që nuk duhej humbur, ani pse është një nga emrat më të njohur të kalendarit artistik në Arenën e Veronës, në skenat franceze, madje ka interpretuar edhe në skenat japoneze. Dikur balerin, prezantues, dublues… pastaj këngëtar lirik, Sierra thotë se jeta e ka mësuar të mos thotë kurrë “jo” për të kënduar. “Asnjëherë nuk i dihet”, thotë ai, teksa e quan çdo eksperiencë pasurim.
Keni një karrierë të pasur, këndoni në teatro të mëdha, si e futët Tiranën në kalendarin tuaj?
U kontaktova përmes një agjencie. Nuk e kisha bërë më parë rolin e Filipit II. Sigurisht, e kisha kënduar nëpër koncerte, por jo si pjesë të së tërës. Filipi II është një rol që çdo bas ëndërron ta interpretojë. Kam shumë miq të mirë shqiptarë, kështu që kisha edhe kuriozitetin për të ardhur. E përse të mos vija, nuk shoh ndonjë problem këtu. Janë shumë të pakta teatrot në botë që bëjnë çdo muaj nga një premierë, si tek ju. Dhe të mendosh që financat tuaja janë të pakta, por kam parë këngëtarë të niveleve shumë të mira, shumë të zotët. Aq më tepër që kur të trajtojnë mirë, kënaqësia për të ardhur është edhe më e madhe.
Ç’atmosferë gjetët këtu?
Vij nga një vend, ku kemi një teatër shumë të mirë, me buxhete të mëdha, ndërkaq punoja edhe në provincë ku realizoja role të ndryshme, ku artisti ndihmonte edhe për të shtyrë skenografinë. Këtë unë e shoh këtu. Ka një frymë pozitive për të bërë gjëra dhe e njoh shumë mirë këtë situatë. Më kanë trajtuar të gjithë shumë mirë dhe dua të jap diçka këtu. Kam ardhur për t’u argëtuar dhe për t’u rritur. Për mua është diçka pozitive… Këngëtarët e korit, rrobaqepësit, të gjithë janë shumë të sjellshëm, madje mendojnë edhe se jam i zoti. Kjo është shumë e këndshme, por edhe një përgjegjësi e madhe, sepse ti nuk do t’i zhgënjesh ata. Profesioni ynë është i vetmuar. Pas gjithë atij entuziazmi, duartrokitjesh që merr në skenë, kthehesh i vetëm në hotel. Pas asaj adrenaline në kulm, ti nuk je në shtëpinë tënde për ta ndarë dhe është shumë e shëmtuar… Dhe, në këto momente, këta njerëz që më rrethojnë janë familja ime dhe më ndihmojnë shumë, më japin energji. Ata pa e ditur më ndihmojnë të ndihem mirë.
Hera e parë që “Don Karlos” ngjitet në skenën e Tiranës, ç’është kjo operë?
I bëj komplimente Operës së Tiranës, sepse Don Karlos nuk është një opera që vihet përditë. Është shumë e vështirë. Është një produksion i rëndësishëm. Kërkon një numër të madh koristësh, ndonëse nuk e kemi këtu. Por janë shumë të zotët, janë në nivel solistësh. Është i shkëlqyer. Kur i pashë fillimisht u tremba, por kur nisën të këndonin, dukeshin si të ishin 100. Njerëzit bashkëpunojnë, bëjnë shaka, flasin shumë, por ama kur punojnë e bëjnë vërtet. Do të gjeni një nivel shumë të mirë të këngëtarëve, të cilët janë vërtet shumë të zotë dhe zëra specifikë
Na zbërtheni pak rolin tuaj, Filipin II, ç’karakter është ai?
Filipi II është një magji e Verdit. Ai është një mbret që praktikisht ka fuqinë e Zotit, që i cakton jetën apo vdekjen kujtdo. Është muzika që na kujton, që gjithsesi ai është njeri dhe është i dashuruar. Në arien e tij “Ella giamai m’amo” ai thotë gjithçka. Ai kujton kur e pa për herë të parë. Ajo pa tek ai një burrë në moshë, të thinjur, kurse ajo gati një fëmijë që do dikë tjetër. Ai kalon gjithë natën pa gjumë, sepse me gjithë pushtetin që kishte, ishte Zoti ai që kishte ligjet e zemrës. Ai nuk mund ta detyronte atë që ta donte. Edhe në fund, kur i thotë së shoqes se për një grua që tradhton nuk ka mëshirë, ai pendohet sepse e do atë. Është një rol shumë kompleks, me një dyluftim të brendshëm, çka dëshmohet edhe vokalisht.
Çfarë ju ka mësuar jeta?
Të gjithë e fillojnë rrugëtimin artistik për pasion, jo për para, pastaj për fat të keq rritemi dhe pasioni kthehet në profesion. Sa e sa herë kam kënduar gratis për miqtë apo teatro të vogla. Shkoj, sepse kam ende pasion. Nëse pasioni humbet, atëherë nuk keni për të më parë më në skenë, sepse atëherë do të kthehem në një makinë që bën muzikë, në një kas—ë që nxjerr para. Çdo provë përpiqem ta realizoj si të ishte një shfaqje. Ka qenë pikërisht për shkak të këtij pasioni që kam braktisur shumë gjëra. Opera nuk është një art lokal, por internacional dhe të jep mundësinë të njohësh shumë njerëz, në të mirë e në të keq.  Të gjitha këto të bëjnë të rritesh. Një artist që del në skenë duhet ta jetojë gëzimin, dhimbjen, që të mund ta përcjellë më mirë tek publiku. Kur ke një lloj moshe apo niveli, atëherë arkivi yt pasurohet, bëhet më i fortë. Shumë artistë të mëdhenj, kur janë bërë me fëmijë e kanë interpretuar ndryshe Rigoleton. Sepse ata e dinin se çdo të thoshte dashuri e një prindi dhe çfarë frike ishte të humbje një fëmijë. Prandaj, artisti duhet t’i mësojë të gjitha.
Thatë se ka shumë pasion, por nësë kthehemi pas, si e nisët këtë rrugë?
Rastësisht. Kam bërë shumë gjëra të tjera më parë. Shumë kile—- më parë (qesh) edhe kërceja, luaja teatër dhe bëja prezantuesin në aktivitete protokollare, ceremoniale të qeverisë, kam dubluar filma, kam bërë ndonjë rol të vogël në telenovela (kam mësuar se këtu i duan shumë telenovelat), por nuk kisha provuar kurrë të këndoja. Në lice mora pjesë në një konkurs për zëra koralë dhe fitova. Në Amerikën Latine ka më shumë tenorë dhe mungojnë zërat e plotë (ku ka diell ka më shumë tenorë) dhe më pranuan. Gjithçka nisi si lojë. Një profesor i kantos më vuri re dhe më dha menjëherë një rol, pastaj fillova konservatorin për të studiuar zyrtarisht, megjithatë vijoja ta merrja si shaka. Një konkurs në kryeqytet, në Karakas, ofronte një bursë studimi. Shkova se më paguanin biletën. Mendova të bëja një xhiro, i sigurt që nuk do më merrnin. Ndoshta nuk isha i ndërgjegjshëm për cilësitë e mia. Ja që më pranuan. Ndërkaq, studioja arkitekturë, isha prezantues dhe pa u menduar dy herë, i lashë të gjitha dhe shkova. Fillova shkollën në maj dhe në qershor më dhanë një rol. Nuk më lanë të merrja frymë e nuk po kuptoja ç’po më ngjiste.
Nuk ishit i përgatitur…
Fakti që kisha bërë teatër, më ndihmoi shumë. Për mua skena nuk ishte e re. Kur je mësuar të dominosh një grup të madh njerëzish, atëherë është më e thjeshtë. Ndoshta këndoja keq, por njerëzit më shihnin në sy dhe unë i bindja. Madje, pas shfaqjes skuqesha, sepse kolegët e mi ishin të mrekullueshëm. Por ja që isha i vetmi bas dhe përfitoja. Por kishte shumë pasion dhe besoj se nuk do të vdesë, sepse nëse kjo do të ndodhë, atëherë do ta lë punën dhe do bëj gjëra të tjera.
Jeni penduar ndonjëherë që latë gjithçka?
Nuk jam penduar, sepse falë këtij profesioni kam njohur gruan time. E kam njohur në një konkurs, në Milano. Ajo thotë se isha unë që bëra hapin i pari, por në fakt ishte ajo…
Të gjithë burrat kështu thonë…
Pooo.. Më kishte parë në Vjenë në një konkurs tjetër. Si amerikano-latin, unë isha shumë i zhurmshëm dhe ajo kishte menduar “Ç’vulgar!”. Unë nuk e kisha parë. Por në Milano, një bionde e bukur me sy blu vjen drejt meje e më thotë: Unë të njoh… Nuk ndodhte përditë që një vajzë e tillë të të drejtohej. U njohëm dhe sërish pa u menduar dy herë, lashë gjithçka. Ndërkohë, kisha një punë në operën e Venezuelës, gjithçka. Erdha në Europë me shumë pak para në xhep. As e kisha idenë se çdo të thoshte ekstrakomunitar. Kam marrë pjesë në disa konkurse që i kam fituar, si në Tulon, Montpelje, Radio France, në operën e Monte Karlos. Kam fituar role, më kanë ftuar të këndoj… dhe gjithçka pa menaxher. Thonë se po nuk pate menaxher, nuk punon. Por secili ka historinë e vet. Ka shumë të bëjë fati, momenti i duhur. Asnjëherë nuk i dihet, ndaj edhe nuk them kurrë jo për të kënduar. Asnjëherë nuk e di se ç’të vjen. Kështu u vendosëm në Verona, ime shoqe kishte shtetësinë italiane, u martuam, kemi edhe një djalë. Dhe… nuk pendohem. Ndoshta do të kisha qenë prezantuesi numër 1 i Venezuelës, por është si t’i thuash “Jo!” jetës sate.

 

“DON CARLOS”

Dramë lirike në 4 akte
Libreti: Joseph Méry e Camille du Locle
Muzika: Giuseppe Verdi
Mjeshtër Koncertues: Gianluca Martineghi
Regjia: Nikolin Gurakuqi
Skenografia & Kostumet: Alfredo Troisi
Dirigjent Kori: Dritan Lumshi
Rolet:
Filippo II, mbreti i Spanjës – Victor Garcia Sierra
Don Carlos – Leonardo Gramegna
Inkuizitori i madh – Aleksandar Stefanoski
Rodrigo, Markezi i Pozës – Enrico Marrucci
Monaku – Armando Cafario
Elisabetta – Sonila Baboçi, Simona Bertini
Eboli – Nevila Hasa
Tebaldo – Sindi Mamaqi, Rezarta Qevani
Konti i Lermës – Ardian Kamberi, Denis Skura
Araldo – Denis Skura, Ardian Kamberi
Zëri i qiellit – Rezarta Qevani
Datat: 24, 26, 28, 30 maj 2011, ora 19.00

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura