Artistët kërcënojnë me grevë, Ministria pranon kërkesat

Apr 30, 2014 | 14:29
SHPËRNDAJE

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe të Ansamblit në protestën e djeshme
Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përshkallëzojnë protestat kundër lidhjes së kontratave 6-mujore. Pas një proteste të zhvilluar disa ditë më parë, vetëm pak minuta para premierës “Orfeu dhe Euridiçe”, ku artistët dolën kundër kontratave 6-mujore, dje nën shi, ata kanë vijuar protestën. Të grumbulluar në oborrin pas TKOB, artistët u shprehën se nuk do të firmosin kontratat 6-mujore, dhe deri në zgjidhjen e këtij problemi do të vijojnë protestat, madje do të hyjnë edhe në grevë urie. “Ta tiposë në mendje Parlamenti, Kryeministri dhe ministrja e Kulturës, që do të shkojmë deri në grevë urie, në sakrificën më sublime. Këto janë kërkesat e artistëve, nuk duhet ngatërruar me politikë. I kujtoj Kryeministrit Edi Rama refleksionet që na bënte në vitet ’90 në Akademinë e Arteve, që artistët duhet të jenë në oponencë me qeverinë. Tani, këta duan të prishin kontrata kolektive dhe të lidhin kontrata 6-mujore dhe pas 6 muajsh nuk dihet se si do të vijojë. Pra teatri do të kthehet ose në teatër komunal, o në kompani teatrore private”, thotë baritoni Ylber Gjini, ndërsa përfaqësuesi i Sindikatës, Gramoz Gurga, thotë se “sindikata dhe artistët kërkojnë marrëveshjen ligjore, të zbatojnë Kodin e Punës dhe në varësi të tyre të hartojnë kontrata që të jenë në interes të të dyja palëve”. Sipas tij, nëse ajo prishet në mënyrë të njëanshme, është e paligjshme. Dje në orën 18:00 artistët dolën sërish kundër reformës që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës, edhe pse një grup përfaqësuesish kishin zhvilluar më parë një takim me ministren Mirela Kumbaro. Sipas tyre, Ministria është tërhequr dhe do të plotësojë kërkesat e tyre, për shlyerjen e pagesave dhe respektimin e kontratave kolektive. “Ministria ka pranuar kërkesën për respektimin e kontratave kolektive, mbi bazën e së cilës do të formulohen edhe kontratat individuale. Sa i takon kategorizimit të artistëve, u ra dakord që të ngrihen grupe pune për secilin sektor. Presim që këtë marrëveshje ta marrim zyrtarisht, të shkruar”, u shpreh Presidenti i Sindikatave të Pavarura, Reshat Ibrahimi.
Takimi në ministri
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro
Dje në orën 15:00, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit artistik, këngëtarë, balerinë, instrumentistë, përfaqësues të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ndër ta ishin këngëtarët Ylber Gjini, Gramoz Gurga, balerinët Gerd Vaso, Enada Hoxha, Gent Kastrati, etj. Edhe dy nga të pranishmit ishte edhe anëtar sindikate, si këngëtari Gramoz Burba, nënkryetar i Sindikatës dhe Ylber Gjini, kryetar i sindikatës së solistëve, ky u konsiderua si një takim me përfaqësues artistësh. Këta të fundit shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me kontratat 6-mujore, ndërkohë që nga pala tjetër morën sqarimin se përse po veprohet në këtë mënyrë dhe çfarë synon reforma e ndërmarrë në kulturë. Sipas këshilltares për median pranë MK, Milena Selimi, e gjithë situata e krijuar mes komunitetit të artistëve, ka ardhur si rezultat i mungesës së informimit në lidhje me reformën. “Reforma tashmë nuk ka më kthim mbrapa. Ajo nuk synon të heqë askënd nga puna, por të legjitimojë marrëdhëniet e artistëve me shtetin. Janë plot 120 artistë që figurojnë pa kontrata pune. As vetë artistët nuk ishin në dijeni për një situatë të tillë. Ajo çka synohet është që përmes këtyre kontratave 6-mujore të vendosen marrëdhëniet ligjore me artistët”, thotë ajo. Gjithashtu, pretendohet që të vendoset sistemi i kategorizimit të punonjësve, në bazë të meritave dhe profesionalizmit të tyre, duke rregulluar në këtë mënyrë edhe sistemin e pagesave. Ndërkaq, nga ana e artistëve është kërkuar krijimi i grupeve të punës me artistë dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë për artistët dhe reformimin e institucionit.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura