Artan Lame, kujtesë 50 monumenteve të shkatërruara

Feb 28, 2011 | 10:28
SHPËRNDAJE

Janë me “fat” ato që kanë mbetur në celuloid. Nuk ka qenë koha, ka qenë dora e njeriut që i ka shkatërruar. Disa lufta, të tjerat diktatura… “50 më pak”, kështu e ka titulluar ekspozitën fotografike që hapet sot në orën 18.00 në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, Artan Lame. I rreshtuar në radhët e atyre njerëzve që jo vetëm e duan, por edhe luftojnë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, Lame, i njohur veç të tjerash edhe si një koleksionist i apasionuar, ka vendosur të sjellë në sy të të gjithëve kujtimin e një pasurie që nuk është më. Është një homazh apo përkujtim, siç thotë ai, për të gjitha ato monumente që sot janë të tilla vetëm si emra. “Sa herë shohim të rrëzohet një monument kulture, themi “ra edhe një”. Pastaj kalojnë ca kohë, bie monumenti i radhës dhe ne heqim edhe një tjetër nga defteri. Mirëpo vdekja e një monumenti i ngjan asaj të njeriut, që ngjet në dy kohë. Në fillim zhduket monumenti nga faqja e dheut dhe, pastaj dalëngadalë zhduket edhe kujtimi i tij nga memoria e njerëzve. Është e dhimbshme zhdukja fizike e një monumenti, por po aq e dhimbshme është edhe zhdukja e kujtesës së tij. Pikërisht për t’ju kundërvënë këtij procesi të dytë gërryes, po përpiqem t’u sjell në kujtesë një grup të monumenteve të trojeve shqiptare, që nuk janë më prej kohe dhe që, një pjesë e tyre po rrezikojnë edhe zhdukjen e kujtimit të tyre”, thotë Lame në lidhje me ekspozitën që hapet nesër në UET, hapur nga Qendra Shqiptare e Trashëgimisë, me mbështetjen e Fondacionit të Shoqërisë së hapur për Shqipërinë.
Lista e monumenteve
Ekspozita përfshin 50 fotografi monumentesh. Janë ura, saraje, porta, interiere, por ka edhe shumë kisha, kuvende, xhami e teqe. Lame është kujdesur që të ndërtojë një “dosje” të objekteve. Çdonjëra prej fotografive shoqërohet me kohën e ndërtimit e të shkatërrimit. Mes tyre të bien në sy objekte që datojnë që nga shek. IV deri XX. “Kam përzgjedhur kryesisht kisha, godina, ura, xhami, teqe e parqe të zhdukura e të shkatërruara përgjatë gjithë shekullit XX, duke u përpjekur të mos përqendrohem vetëm në dy dekadat e fundit të tij. Për çfarë vlen një përmbledhje e tillë? Për disa gjëra. Në radhë të parë, është një shenjë respekti që, siç e meriton çdo vdekatar, e meriton edhe trashëgimia jonë e zhdukur. Veç kësaj, ashtu si varrezat e ushtarëve, të njerëzve të vrarë falë marrëzisë së njerëzve të tjerë, edhe kjo varrezë e trashëgimisë vlen për të na tërhequr vëmendjen tek marrëzia e njerëzve që na e zhdukën atë”, thotë Artan Lame.
Në listën e monumenteve të zhdukura të bien në sy ato të shek. IV, si Porta Aurea, Porta e Jallisë, apo Shkolla Greke në qytetin e Durrësit, të cilat janë shkatërruar në vitin 1930. Ka ndonjë që është shkatërruar gjatë Luftës së Parë Botërore, siç është Ura e Vezirit (rruga Shkodër-Kosovë), e ndërtuar në shek. XVIII, apo Sarajet e Zogollve në Burgajet të Matit, ndërtuar në shek. XVIII. Të tjera janë shkatërruar në fund të Luftës së Dytë Botërore. Por në shumicën e rasteve, shkatërrimi është vulosur me vitin 1967. Ishte viti i tmerrshëm i luftës kundër besimit fetar, gjatë të cilit u shembën, u shkatërruan, u bastisën një numër i madh objektesh kulti, si kisha, xhami, manastire. Kush qe me fat shpëtoi me një ndërrim destinacioni, e kthyer në plevicë apo edhe ndonjë garnizon ushtarak. Dhe shenjtorët e çmeritur, dëshmitarë të përdhosjes, kanë mbërritur deri më sot me vraja gërvishtjesh dhe emra dashnoresh ushtarësh mbi trup. Përmes imazheve, Artan Lame na sjell në kujtesë Kuvendin Françeskan në Rubik, ndërtuar në shek. XIII-XIX, Kishën e Shën Mërisë, Va Dejë, ndërtuar në shek. XIV-XIX, Kuvendin Françeskan në Lezhë, ndërtuar në shek. XIV-XIX, Teqenë e Krujës, ndërtuar në shek. XIX, Teqenë e Malit Tomor, ndërtuar në shek. XIX, Kishën e Shën Gjergjit në Korçë, ndërtuar në vitin 1905, etj. Po ka edhe shkatërrime moderne. Si interieri i Vilës Mbretërore në Durrës, e ndërtuar më 1932 dhe e plaçkitur më 1997, Bashkia e Tiranës, ndërtuar më 1932, Lulishtja e Shkodrës, ndërtuar në vitet ‘30 të shek. XX dhe e lënë me ndërtime në vitet 2000, etj. Mes të tjerash, Artan Lame i bën një homazh edhe sheshit “Skënderbej”, i cili tanimë është bërë i panjohshëm dhe bashkë me të shatërvanit dhe lulishtes, të njohur prej dekadash si pika referimi. Por siç thotë Lame, lista nuk përfundon me kaq. Në faqet e shtypit të përditshëm vazhdimisht njoftohet shkatërrimi ose vjedhja e një objekti kulti, apo një tjetër monumenti të trashëgimisë kulturore. “Kjo përmbledhje sjell 50 prej këtyre monumenteve të zhdukura, por për fat të keq, lista e të zhdukurve është shumë më e gjatë dhe, për fat edhe më të keq, vazhdon të zgjatet ende para syve tanë”, thotë Lame.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura