Arrestohet shefja e postës, vodhi lekët e pensionistëve

Aug 31, 2013 | 13:17
SHPËRNDAJE

Pensionistët e komunës Këmishtaj prej disa muajsh ishin çorientuar me kujtesën teksa kryetarja e zyrës postare iu thoshte se “e kishin tërhequr një muaj më parë pensionin”, kur në të vërtetë ata nuk e kishin futur asnjëherë në xhep.

Policia e Fierit dhe ajo e Lushnjës arrestuan dje Hatixhe Dakën, 44 vjeçe, me akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Duke falsifikuar firmat e pensionistëve, kryetarja e zyrës postare e komunës Këmishtaj kishte arritur të përvetësonte 8.17 milionë lekë, të gjitha të pensionistëve.
Dyshimet e para, sipas Policisë, flasin për një aktivitet të paligjshëm nga ana e Dakës në një periudhë kohore së paku prej 6 muajsh. Punonjësja dyshohet të ketë firmosur në emër të pensionistëve, duke i trajtuar ata të likuiduar nëpër borderotë përkatëse. Numri në total i personave të prekur nga kjo formë vjedhjeje ende nuk ka dalë, por po hetohet. Sipas policisë, 44-vjeçarja ka përdorur kryesisht pleq të vetmuar e nga familje pa përkrahje. Fakti që gruaja u jepte nga një muaj tek-tuk dhe në mënyrë të ngatërruar, i ka çorientuar të moshuarit duke bërë që ata të mos mbanin mend mirë se cilët muaj kishin marrë e cilët kishin mbetur ende pa tërhequr. Pensionistët janë paraqitur disa herë për të marrë paratë, por nga ana e punonjëses u jepeshin shpjegime të ndryshme, si “nuk ka ardhur ende ky muaj”, “i keni tërhequr një muaj më parë” e të tilla justifikime si këto.
Të ndodhur në këto kushte dhe pa asnjë burim tjetër të ardhure, tre muaj më parë disa prej të moshuarve kanë denoncuar rastin në polici. Ata kanë shpjeguar se punonjësja e komunës u kishte thënë se i kishin marrë paratë e muajit, ndërkohë që në të vërtetë ata nuk kishin marrë asgjë. Fakti që ditë pas dite paraqiteshin të tjerë pensionistë me të njëjtën ankesë, bëri që policia dhe krimi ekonomik të nisnin survejimin e aktivitetit pranë zyrës postare të komunës Këmishtaj. Në tre muaj hetim u vu re se lekët zhdukeshin nga arka, ndërkohë që pensionistët ende nuk i merrnin ato. Kjo bëri që blutë të finalizonin operacionin e koduar “Pensioni”, duke vënë në pranga shefen e zyrës postare nën akuzën e vjedhjes dhe të shpërdorimit të detyrës. “Prej disa muajsh nga strukturat e Policisë disponoheshin informacione mbi vjedhjen e parave në arkë, dhe nga veprimet hetimore rezultoi se kjo shtetase nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka vjedhur në shumën 8 milionë e 170 mijë e 351 lekë, pensionet e komunës Këmishtaj”, thuhej në njoftimin e Policisë për ngjarjen.

Punonjësja: Jam e pafajshme
Pas arrestimit, punonjësja e komunës nuk e ka pranuar akuzën. Ajo ka pretenduar se pensionet i ka shpërndarë konform ligjit dhe se vetë të moshuarit duhet të jenë ngatërruar me paratë e tyre. “Pensionet janë ndarë konform ligjit. Vetë pensionistët janë ngatërruar me muajt. Hetoni rastin që të zbardhet çështja, pasi unë jam e pafajshme”, është shprehur 44-vjeçarja Hatixhe Daka. Policia e arrestoi punonjësen e zyrës postare për veprën penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim i dokumenteve”. Ditët në vijim ajo do të dalë para togave të zeza, ku do t’i komunikohet masa e sigurisë.

Nis hetimi, dyshohet për bashkëpunëtorë
Ekspertët e krimit ekonomik janë duke hetuar nëse ka të përfshirë persona të tjerë në këtë vjedhje. Kjo pasi dyshohet se bashkë me gruan e arrestuar dje të kenë bashkëpunuar edhe persona të tjerë. Aktualisht janë duke u verifikuar një për një të gjithë pensionet e shpërndara në muajt e fundit në këtë komunë, si dhe denoncimet e kryera. Nuk përjashtohet dyshimi se ditët në vijim të ketë të tjera denoncime. Pensionistët e vjedhur janë nga fshatra të ndryshme të komunës Këmishtaj. Aktualisht pensioni bazë në fshat është 7841 lekë dhe shtuar këtu dhe subvencionet, që kapin vlerën 890 lekë,
shkon në 8731 lekë.

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura