Arrestohen prokurori e agjenti i rremë

Apr 30, 2011 | 9:57
SHPËRNDAJE

Arrestohet “prokurori i rremë” që mori 5 mijë euro ryshfet për lirimin nga burgu të një të dënuari.Mashtrimet e të arrestuarit Renato Përvaza kanë marrë fund dje, pasi ai ka marrë 5 mijë euro nga gruaja e një të dënuari, tek e cila prezantohej sikur të ishte prokuror i Krimeve të Rënda. Sipas burimeve zyrtare, Renato Përvaza, i akuzuar se ka mashtruar qytetarët duke u hequr si prokuror, ka rënë në pranga së bashku me bashkëpunëtorin e tij, shtetasin Mark Paloka, që mësohet se prezantohej tek qytetarët duke përdorur identitetin e një agjenti të Shërbimit Informativ Shtetëror. Arrestimi i dy personave mësohet se është kryer pas denoncimit të vetë prokurorit të Krimeve të Rënda, që, sapo ka marrë dijeni për keqpërdorimin e emrit të tij, ka kërkuar hetimin e plotë të ngjarjes me anë të një denoncimi në Policinë e Tiranës dhe në Njësinë Task-Force në Prokurori.
Hetmi i mashtruesve
Pasi janë vënë në dijeni për këtë përvetësim titujsh shtetërore nga dy të dyshuarit, strukturat e Policisë dhe Prokurorisë kanë nisur hetimin. Çështja është finalizuar ditën e djeshme, pasi i dyshuari Renato Përvaza ka marrë 5 mijë euro ryshfet nga gruaja e një të dënuari, së cilës i kishte premtuar lirimin nga qelia të bashkëshortit. Zgjedhja e emrit të prokurorit nga i akuzuari nuk ka qenë një rastësi, pasi prokurori në fjalë nëntë vjet më parë ishte bërë shkak për dënimin e shtetasit Renato Përvaza me 3 vjet e 8 muaj burg. Për këtë arsye, në shenjë hakmarrje, i vetëquajturi prokuror i Krimeve të Rënda ka përdorur emrin e prokurorit që e ka dënuar në vitin 2002, A.M, për të mashtruar një grua, së cilës i kishte premtuar se do t’i nxirrte nga burgu të shoqin. I arrestuari, Renato Përvaza, ka siguruar edhe një dokument me fotografinë e tij, me emrin e prokurorit. Për ta bërë sa më të besueshëm detyrën e tij, Përvaza bashkëpunonte me një person tjetër, Mark Palokën, i cili i siguronte “klientët”, të cilin gjithashtu e kishte bindur të prezantohej si agjent i shërbimit sekret.
Ryshfeti
Personi për të cilin kanë marrë ryshfet të arrestuarit ishte dënuar 3 vjet më parë për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh dhe ndodhet në burgun e “Shënkollit” në Lezhë. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se e dëmtuara dhe familja e saj jetojnë në Lezhë dhe atje janë njohur me njërin prej të arrestuarve, Mark Palokën, i cili prezantohej si agjent sekret. Nëpërmjet tij, ajo ka takuar dhe ka komunikuar edhe me Renato Përvazën, që në fakt nuk i është prezantuar me emrin e tij të vërtetë, por me emrin e prokurorit. Me këtë cilësi, i arrestuari i ka premtuar bashkëshortes të së dënuarit se mund t’i lironte të shoqin me disa procedura të thjeshtuara, kundrejt shumës 5 mijë euro. Një pjesë e mirë e aktivitetit të paligjshëm të dy personave është dokumentuar me anë të përgjimeve dhe vëzhgimeve të agjentëve të policisë.

TE ARRESTUAR

1. Renato Zef Përvaza, 36 vjeç, “prokurori i rremë”, nga Shkodra, i dënuar më parë për “mashtrimi” dhe “falsifikim”

2. Mark Nikoll Paloka, 47 vjeç, “agjenti sekret i rremë”, nga Lezha

Provat materiale

Burime nga prokuroria kanë pohuar dje se shuma e ryshfetit prej 5 mijë euro e cila është marrë nga të arrestuarit tek gruaja e personit të dënuar që mbahej në Shënkoll, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. menjëherë pas dorëzimit të shumës së parave, agjentët e policisë kanë ndërhyrë duke i vënë prangat të dyshuarit si dhe duke sekuestruar shumën e kartëmonedhave.

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura