Arrestohen 3 xhihadistë, planifikonin sulm ndaj bazës së KFOR në Kosovë

Oct 31, 2014 | 13:22
SHPËRNDAJE

Një grup prej së paku tre kosovarësh nga rajoni i Mitrovicës është arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës. Ata dyshohen se kanë planifikuar një sulm ndaj një baze të KFOR-it në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta “Express”, e cila ka theksuar se “ata janë që të gjithë veteranë xhihadistë të luftës së Sirisë dhe Irakut, kosovarë që kanë luftuar në krah të grupeve terroriste, Xhabhatu Al-Nusra (krahu zyrtar i Al-Kaida’s në Siri) dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS). Këto informacione që janë siguruar fillimisht nga inteligjenca kosovare janë trajtuar edhe në KFOR dhe kjo organizatë ndërkombëtare ka rritur nivelin e sigurisë për pjesëtarët e saj në territorin e Kosovës”. Kjo media ka provuar që të marrë një konfirmim nga Policia e Kosovës, por zyra për informim nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës. Veteranët xhihadistë të Kosovës nga konflikti sektar në Siri e Irak kohën e fundit kanë qenë në masë të madhe pre e operacioneve anti-terrorizëm të Prokurorisë së shtetit dhe dhjetëra prej tyre janë arrestuar me akuzën për pjesëmarrje në grupe terroriste, që dënohen me 5-10 vite burg, sipas Kodit Penal të Kosovës. Në këto operacione antiterrorizëm janë arrestuar edhe mbi 10 imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës për rekrutim të xhihadistëve dhe për nxitje të urrejtjes. Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Beki Kelani, reagoi duke mohuar lajmin: “Policia e Kosovës nuk ka asnjë informacion të besueshëm për ndonjë kërcënim të mundshëm ndaj ndonjërës prej bazave të KFOR-it”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura