Armando Duka rizgjidhet president i FSHF-së

Feb 28, 2014 | 14:26
SHPËRNDAJE

Armando Duka
TIRANE- Armand Duka është rizgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Duka ishte i vetmi kandidat zyrtar në garë. Duka kandidonte për herë të katërt për një mandat katërvjeçar, duke qenë se u propozua nga 41 anëtarë me të drejtë vote në këtë Asamble. Votimi për presidentin është kryer i hapur sipas statutit të Federatës. Në votim kanë marrë pjesë 64 delegatë, të cilët të gjithë kanë votuar pro rizgjedhjes së Armando Dukës në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke folur para asamblesë, Duka pranoi se futbolli shqiptar ka probleme infrastrukturore. “Jemi të vetëdijshëm që infrastruktura çalon, por edhe pse kjo është përgjegjësi e një sërë organesh, ne do punojmë që në katër vitet e ardhshme t’i japim një pamje të re futbollit shqiptar”, – theksoi kreu i FSHF-së. Sipas Dukës, bashkëpunimi me pushtetin qendror e lokal do të jetë kryefjalë e punës së tij. “Federata Shqiptare Futbollit do të bashkëpunojë ngushtë me drejtuesit e pushtetit lokal dhe qendror për të rritur investimet në sektorin e futbollit dhe për të motivuar brezat e rinj që të bëhen pjesë e futbollit shqiptar”. Kreu i FSHF-së bëri të ditur se në katër vitet e kaluara janë ndërtuar dhe ristrukturuar 6-impiante. Po ashtu janë ndërtuar 15 fusha të reja për skuadrat e moshave, si dhe është investuar në përmirësimin e ambienteve sportive në të gjithë vendin.  Sa u takon viteve në vijim, Duka tha se prioritet do të jetë rikonstruksioni i stadiumit të Elbasanit. “Në periudhën e ardhshme 2014-2018 investimet e FSHF-së do të përqendrohen në rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit, rikonstruksionin e fushës kombëtare në Kamzë, si dhe ndërhyrje në impiantet kryesore të kategorive superiore në vend, po ashtu do të ketë dyert e hapura për të gjithë iniciativat private”, – theksoi Armand Duka. NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura