Apeli e rikthen në burg, “arratiset” biznesmeni

Jul 30, 2011 | 12:24
SHPËRNDAJE
I akuzuari, Hajri Elezaj

Gjykata e Apelit e Tiranës ka vendosur rikthimin në qeli të biznesmenit Hajri Elezaj, i akuzuar në lidhje me kontrabandën e naftës “Virgine”, i cili u la në “arrest shtëpie” më 4 korrik. Por, ridërgimi i të dyshuarit Elezaj në paraburgim nuk ka qenë i mundur të paktën ditën e djeshme. Kjo, pasi biznesmeni nuk është gjetur në shtëpinë ku duhet të qëndronte në zbatim të “arrestit shtëpiak” të caktuar nga Gjykata e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, përveçse nuk është gjetur në banesën e tij, të dyshuarit Hajri Elezaj nuk i dihet vendndodhja. Bëhet e ditur se Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për gjetjen e biznesmenit, rrethanave që lehtësuan në 4 korrik masën e sigurisë ndaj tij, si edhe përpiluesve të akt-ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore. De fakto, ekspertët mjekësorë që firmosën një raport të tillë dhanë verdiktin për lirimin e biznesmenit, pasi ligji shprehet në mënyre laksative për lirimin e të akuzuarve në rast se mbajtja e tyre në burg ose në paraburgim shkakton rrezikimin e jetës. Mbi një raport të tillë, Gjykata e Tiranës e liroi pak ditë më parë biznesmenin duke pohuar se mbajtja në burg i shkaktonte probleme, për shkak të sëmundjeve nga të cilat ai vuante. Prokuroria ishte kundër lirimit dhe e apeloi atë në Gjykatën më të lartë.

RIPRANGOSJA

Urdhri i cili rikthen në qeli Hajri Elezajn, u shpall të enjten kur Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”. Elezaj i ishte nënshtruar masës “arrest shtëpie” pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës. Ky lirim i biznesmenit ishte kundërshtuar nga Prokuroria e Tiranës me ankesë në Gjykatën e Apelit. Teksa qëndronte më “arrest me burg” që pas arrestimit të tij më 11 mars 2011, më 4 korrik Shkalla e Parë pranoi kërkesën e Elezajt për “revokim të masës së sigurisë”. Kërkesa e biznesmenit bazohej në pretendimin e mbrojtësit të tij, se mbajtja e Elezajt në kushtet e masës “arrest me burg” i rrezikonte jetën për shkak të problemeve shëndetësore të tij. Si provë para gjykatës u paraqit një raport i ekspertëve mjeko-ligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Në raport pohohej se të dyshuarit Elezaj mund t’i rrezikohej jeta nëse nuk mbahet në vëzhgim mjekësor të specializuar. Por, vendimi i mbështetur në këto prova u konsiderua si i pambështetur në ligj nga Prokuroria e Tiranës, e cila e kundërshtoi atë në Apel. Ky kundërshtim u pranua dy ditë më parë nga Apeli, i cili vendosi “arrest me burg” për Elezajn. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë, ka shkuar në banesën e shtetasit Hajri Elezaj dhe konfirmon se personi nën hetim nuk gjendet në banesën e tij, si dhe nuk dihet vendndodhja”, tha dje Prokuroria e Përgjithshme.

HETIMI

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi dje nisjen e hetimeve për arratinë e biznesmenit Hajri Elezaj, si edhe kushteve që çuan në lirimin e tij. “Në këto kushte, kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës “Virgine”, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur verifikimet për vendndodhjen e të hetuarit, kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore, si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të shtetasit Hajri Elezaj”, pohoi zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme.

Prokuroria: Hetim mjekëve që firmosën lirimin në fakt

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se do të hetojë me hollësi procedurat që janë ndjekur me lirimin nga arresti me burg për biznesmenin Hajri Elezaj. “Në këto kushte, kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës ‘Virgine’, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur verifikimet për vendndodhjen e të hetuarit, kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore, si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit ‘arrest në shtëpi’ të shtetasit Hajri Elezaj”, thuhej dje në një deklaratë të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, Prokuroria shqiptare është e vendosur të hetojë në thellësi dhe gjerësi gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

 

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura