Ankohet kompania e huaj, në pranga 2 zyrtarë të Mjedisit

Sep 30, 2014 | 9:15
SHPËRNDAJE

Korrupsioni çon në pranga kreun e Inspektoratit të Mjedisit në Durrës bashkë me një vartës të tij, si dhe një eksperte kontabël.

Sipas Prokurorisë, drejtori i Mjedisit Genc Balla dhe vartësi i tij, Eduart Bejko, nëpërmjet shtetases Dorina Nikolla, kërkonin një “pagesë mujore” prej një investitori të huaj në këmbim të lejimit të ushtrimit të qetë të aktivitetit të tij privat me objekt përpunimin dhe eksportimin e mbetjeve plastike. Nga hetimi ka rezultuar se zyrtarët e Mjedisit kërkonin dhe kanë marrë në mënyrë korruptive prej këtij subjekti 100 mijë lekë të rinj në muaj për disa muaj rresht. Por i gjendur në këto rrethana gjobëvënieje, administratori i kompanisë private ka kryer kallëzim në prokurori në muajin korrik.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi i huaj ka rreth 2 vjet që e ushtron aktivitetin në Durrës. Sipas Prokurorisë, më 30.05.2014, në ambientet e kompanisë ka shkuar një shtetas, i cili më vonë u prezantua se ishte me detyrën e shefit të Inspektoratit të Mjedisit të Rrethit Durrës, i quajtur Eduart Bejko. Pas debateve është prezantuar për pozicionin e punës që ka dhe më pas ka dërguar disa inspektorë të tjerë për të ushtruar kontroll për ushtrimin e aktivitetit. Duke pretenduar se kishte shkelje, ata kanë filluar që të shkruajnë diçka që kishte të bënte me një gjobë që, sipas tyre, ishte në vlerën 5 milionë deri në 10 milionë lekë të rinj. Pas ndërhyrjes së shtetases Dorina Nikolla, e cila kryen detyrën e ekonomistes, me qëllim që të mos vihej gjobë, është kërkuar dhe dhënë si përfitim i paligjshëm një shumë prej 200 000 lekësh (të rinj). Më pas, nëpërmjet inspektorit Bejko, janë takuar me kryeinspektorin Balla. Ky i fundit ka kërkuar një shumë prej 100 mijë lekësh në muaj me qëllim që administratori të punonte i qetë pa asnjë shqetësim nga Inspektorati i Mjedisit në Durrës.

Pas kallëzimit të kryer, prokuroria ka kryer përgjimin e bisedave telefonike. Gjithashtu janë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Nikollës, me detyrë eksperte kontabël në Durrës dhe Eduart Bejkos, inspektor mjedisi. “Më 25 korrik, administratori i kompanisë private, pasi ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë një shumë prej 100 000 lekësh, është nisur në drejtim të zyrës së kontabilitetit në posedim të shtetases D. Nikolla, ku në prani të saj i janë dorëzuar E. Bejkos. Pasi ka marrë shumën, ai është takuar me kryeinspektorin G. Balla në një lokal”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë. Policia ka ndërhyrë ditën e djeshme kur dy zyrtarët e Mjedisit kanë qenë në makinën e drejtorit Balla dhe kur inspektori do të ndante me të shumën e 200 mijë lekëve të tjerë. Pikërisht në momentin e pagesës është ndërhyrë nga forcat policore për arrestimin në flagrancë të personave të përfshirë. Leonidha Musaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura