Ankandi i jashtëzakonshëm, qeveria merr 34 milionë USD

Dec 30, 2011 | 11:35
SHPËRNDAJE
Minsitria e Financave

Në kohën kur dukej se qeveria do e mbyllte këtë vit pa kërkuar borxh tjetër veç atij që mori nga tregu tri ditë më parë, ka ndodhur krejt e kundërta. Me një ankand të jashtëzakonshëm të zhvilluar ditën e djeshme, përmes bonove të thesarit janë marrë 34 milionë dollarë borxh. Ankandi ka mundur që të çojë në buxhet për qeverinë një shumë më të ulët sesa ajo që kishte shpallur dhe kërkuar fillimisht për të mbyllur me sa duket “shpenzimet e fundvitit”. Ministria e Financave kërkoi në fillim që të merrte një borxh nga tregu në vlerën 40 milionë dollarë, por bankat nuk kanë qenë dhe aq të interesuara për të financuar në këtë shumë në një moment kur po bëhen mbylljet e bilanceve dhe vetëm tri ditë kanë mbetur nga mbyllja e këtij viti. Ato i janë përgjigjur kërkesës për të dhënë hua në një shumë gati 5.5 milionë dollarë më pak sesa kërkesa fillestare. Kërkesa e jashtëzakonshme e qeverisë ka bërë që bankat të kenë në dorë interesin e dhënies së këtij borxhi. Niveli maksimal i interesit që qeveria kishte vendosur si kufi për këtë borxh ishte 7.27 për qind, kurse ai mesatar i ponderuar,pra interesi me të cilin qeveria përfitoi borxhin 34 milionë dollarë, është 7 për qind. Në dukje duket se interesi i përfituar është i leverdishëm krahasuar me kufirin maksimal të pritur, por nëse e krahasojmë këtë me ankandin e zhvilluar vetëm tri ditë më parë për bonot 12-mujore, interesi ka një rritje me 0.31 pikë përqindje. Më datë 27 dhjetor, qeveria mori borxh me një interes mesatar 6.73 për qind. Kërkesa për huamarrje në momentet e fundit ka sjellë interesa më të leverdishme për bankat dhe borxh më të shtrenjtë për qeverinë. Pavarësisht uljes së normës së interesit të lekut dy herë nga Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti, e cila për momentin është reflektuar dhe tek interesi i bonove, duket se sërish qeveria nuk e eviton dot marrjen e borxhit të shtrenjtë. Kostoja e shtrenjtë këtë herë më tepër vjen nga fakti që ankandi i djeshëm ishte i paplanifikuar dhe i jashtëzakonshëm, çka u jep të drejtë bankave dhe pjesëmarrësve në treg të përfitojnë interesa që u leverdisin atyre.

Vrojtimi i BSH

40 milionë USD
ishte kërkesa fillestare e qeverisë për huamarrje nga tregu. Por bankat i kanë ofruar kësaj të fundit 34 milionë dollarë, gati 5.5 milionë dollarë më pak.

Borxhi 10 milionë euro
Rreth dhjetë ditë më parë qeveria mori pjesë në një tjetër ankand të bonove, por këtë herë në euro. Shuma e shpallur nga qeveria ishte 10 milionë euro, por bankat që morën pjesë në ankand ofruan më pak se 10 milionë. Shuma e ofruar nga bankat ishte vetëm pak më e vogël, rreth 9.971.900 euro, por qeveria në fund të ankandit pranoi një milion euro më pak se oferta, 8.971.900 euro.

Ligj i ri për sigurimet, Gjoni: Ndryshojnë kushtet

Elisabeta Gjoni

Veprimtaria e sigurimeve dhe risigurimeve në vend do të rregullohet sipas kushteve të reja dhe të përafruara me legjislacionin dhe direktivat e BE-së, por për këtë duhet të kalojnë disa faza. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një projektligj të ri, të cilin ia ka kaluar Ministrisë së Financave. Ky projektligj ka si objektiv “përcaktimin e rregullave dhe procedurave që kanë të bëjnë me krijimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së sigurimeve, risigurimeve dhe ndërmjetësimit, me qëllim që tregu i sigurimeve të veprojë në një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe transparent, e në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të konsumatorit”. Kryetarja e AMF-së, Elisabeta Gjoni, u shpreh dje për mediat që ky projektligj është mjaft i rëndësishëm dhe se tashmë është përfunduar dhe është lënë i hapur për konsultime me grupet e interesit. Në fjalën e saj ajo bëri edhe një përmbledhje dhe vlerësim të disa prej komenteve më të rëndësishme që ka kaluar tregu i sigurimeve në vend. Pak kohë më parë, ky treg u liberalizua. Në analizën e pikave më të rëndësishme të këtij viti, Gjoni përmendi edhe rritjen e numrit të kompanive në tregun e pensioneve private. “Në këtë treg, numri i kompanive të licencuara për pensionet private ka arritur në tre, ku më e fundit mori këtë të drejtë pak kohë më parë”, u shpreh Gjoni.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura