Anjeza Maja: Si arrita të heq 8 kg, ja dieta ime magjike

Nov 30, 2013 | 15:49
SHPËRNDAJE

Ka më shumë se 12 vite në televizion, dhe pas një shkëputjeje të shkurtër rikthehet në ekran me formatin më energjik të momentit me titull “Hit Play” në “Agon Channel”. Anjeza Maja rishfaqet kështu me një trup superelegant dhe të tonifikuar, pasi në muajt e përgatitjes për këtë program të ri të të premteve mbrëma, ajo është kujdesur jashtëzakonisht për trupin, duke na u shfaqur 8 kg më pak.

“Në këtë program unë vij ndryshe duke provuar të sfiloj, këndoj shpeshherë e sigurisht të kërcej, dhe po ashtu me linja elegante, të cilat i kam arritur me dietë dhe palestër. Për sa i përket ushqimit, kam eliminuar bukën, brumërat, sheqerin, yndyrën, ëmbëlsirat, kripërat dhe konsumoj sallata, supë, peshk dhe fruta”, tha ajo. Duket se ky format i shkon Anjezës, e cila në këto puntata të para i ka pritur plot energji të ftuarit VIP, të cilët vijnë po ashtu ndryshe në këtë format duke folur për jetën e tyre jashtë ekranit dhe lirshmërinë që shijojnë në jetën e natës.

Ata nuk hezitojnë të tregojnë hapur çfarë bëjnë ndryshe në një club nate, pasi kanë pirë një gotë, rrëfime që i bëjnë duke shijuar koktejlin e tyre të preferuar. Në studion e zhurmshme ku luan një DJ, me praninë e shumë të rinjve që kërcejnë dhe bëjnë tifo, të ftuarit e Anjezës janë këngëtarë dhe grupe të njohura muzikore, që debutojnë gjatë mbrëmjes së gjatë.

Anjeza Maja, e cila ka filluar karrierën televizive që në moshën 16 vjeç, provoi të shkëputej vitin e kaluar nga ekrani, por nuk i rezistoi gjatë tundimit për të qenë pjesë e televizionit të ri, duke u shfaqur me këtë format që, pavarësisht se tingëllon rinor, pjesë e tij bëhen VIP-at e të gjitha moshave.

Panorama PLUS/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura