Anisa Petrela shpallet “Miss Shqipëria 2014”

Jun 30, 2014 | 14:34
SHPËRNDAJE

Kalaja e Ulqinit ka ofruar një spektakël të veçantë mbrëmjen e së premtes. 31 bukuroshe të mbledhura nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë gjallëruar qytetin turistik të Ulqinit dhe kanë kthyer vëmendjen te një tjetër monument i rëndësishëm i historisë shqiptare. Kombinimi i mureve të vjetra, të larta, me skenografinë madhështore të ndërtuar nga “Rebus Studio” dhe ndriçimin e Franco Ferrarit i kanë dhënë mundësi “Deliart Association” të mendojë një spektakël të përmasave të mëdha, i cili është ndjekur me një interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga qytetarët e Ulqinit, por edhe një numër i madh njerëzish të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Pas disa sfilatave të vajzave konkurrente, përzgjedhjes së dhjetë më të mirave dhe një votimi të menduar nga juria e këtij viti, fituese e këtij edicioni të spektaklit të bukurisë është shpallur 19-vjeçarja nga Tirana Anisa Petrela. Ndërkaq, shoqëruesja e parë e Miss-it është shpallur Kristi Pejo, 20 vjeçe nga Tirana, dhe shoqëruese e dytë, 22-vjeçarja nga Shkupi, Sara Ymeri.
Si destinacion final të këtij edicioni të “Miss Shqipëria”, organizatorët zgjodhën këtë vit kalanë e Ulqini. I dëshmuar si vendbanim që nga periudha parahistorike, të dhënat arkeologjike dhe historiografike mbi Ulqinin flasin qartë se historia më e lashtë e këtij qyteti mijëvjeçar zë rrënjë në truallin e qytetërimit ilir, dhe si i tillë, ky është një nga qytetet më të vjetra dhe më interesante të Adriatikut, që zhvillimin më të lartë e arriti në kohën e mbretërisë së Ilirëve.
Florenza Lekstakaj i ka dorëzuar kurorën Anisa Petrelës, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Globe 2014”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura