Anija e skrapit, policia zbardh shkeljet e pronarit

Sep 30, 2013 | 12:32
SHPËRNDAJE

Anija e bllokuar të shtunën në Durrës
Për të zbardhur misterin e anijes që hyri në mënyrë të paligj-shme dhe që dyshohet se do të copëtohej për skrap në Portin e Durrësit, policia e qytetit bregdetar ka shoqëruar në ambientet e saj mbi dhjetë persona. Pas arrestimit të dy personave: pronarit të anijes së blerë në Mali të Zi, Eduart Kulla dhe kapitenin e peshkarexhes “Aliksi 1”, Emiljano Gjepali, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe struktura të tjera po punojnë intensivisht për të mësuar mbi itinerarin që anija ka përshkuar, deri sa ka mbërritur në Portin e Durrësit. Nga hetimet e deritanishme mësohet se anija “Tabakosky” ka mbërritur rreth dy javë më parë në Romano Port në mënyrë të ligjshme. Pronari i saj e ka blerë konform të gjitha rregullave mjetin lundrues, me qëllim për ta copëtuar për skrap dhe deri këtu nuk ka pasur asnjë problem me autoritetet shtetërore. Por, gabimi i tij, që e çoi në pranga mbrëmjen e së shtunës, është që e ka futur në kalatën nr.4 të Portit të Durrësit në rrugë të jashtëligjshme, pasi anije të këtij lloji nuk lejohen prej kohësh të ankorohen në basenin e portit. Përveç kësaj, shkeljet e radhës ishin: fakti që nuk ka marrë leje mjedisore për të copëtuar anijen, faturat doganore, si dhe transportimi i saj nga Romano Port drejt Portit të Durrësit. Hetim ka nisur edhe për Kapitanerinë e Portit të Durrësit, e cila nuk ka marrë informacion mbi ekzistencën e mjetit lundrues, i cili ndodhej prej më shumë se 24 orësh i ankoruar në port. Mësohet se tashmë struktura të ndryshme kanë nisur një hetim gjeneral në të gjithë Portin e Durrësit, duke ushtruar kontroll të imtësishëm të të gjithave anijeve që ndodhen të ankoruara në basenin e portit, kryesisht të anijeve të vjetra, që pronarët i kanë me qëllim për t’i coptuar dhe shitur për skrap. Kjo metodë ka ekzistuar prej kohësh në Portin e Durrësit, ku deri më tani janë copëtuar me dhjetëra anije dhe peshkarexha, duke ndotur detin dhe në të njëjtën kohë mjedisin. Ndaj dy personave të arrestuar tashmë rëndon akuza për kryerjen e veprës penale të kontrabandës, për të cilën pritet të dalin sot para togave të zeza. 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura