Andromaqi Gjergji: “Dashuritë e jetës sime”

Aug 3, 2014 | 15:36
SHPËRNDAJE

Me zor e perballon vapen e ketyre ditëve korriku, në apartamentin e saj të vogël në rrugën “Pjetër Budi”, në afërsi të qytetit Studenti në Tiranë, ku jeton e vetme. Studiuesja Andromaqi Gjergji e ndien veten sikur i përket një tjetër kohe dhe përsërit disa herë se gazetat nuk bëjnë për të, se asaj “i ka shkuar vakti” dhe se të rinjtë duan gjëra të tjera… Por 86 vitet e bartura mbi supe, përvoja si studiuese dhe akademikja e parë shqiptare (për të mos përmendur të tjera kontribute) nuk mund të shpërfillen lehtë… Ndaj biseda me të është grishëse, pavarësisht vapës dhe lodhjes, që herë-herë i lexohet në fytyrë. Urren të ulet në kafene dhe i duket papërgjegjshmëri se si njerëzit harxhojnë orë të tëra duke pirë kafe apo çaj në ambiente të tilla. Ndërsa i dhemb që askush nuk mendon për brezin e tretë, sikur thjesht për t’u krijuar një kënd çlodhës të gjelbëruar… Por, nëse ndokush do të mendojë se ajo është një grua e vjetër që ankohet, në fakt e ka gabim! Ajo thjesht është mësuar të thotë atë që mendon, por pa dashur të bëjë qaramanen. Megjithatë, nostalgjia e përqafon butë kur zë në gojë Korçën e saj… Kujton pareshtur kohën e Liceut në Korçë, kur si adoleshente hodhi bazat e studiueses dhe akademikes së mëvonshme e kur provoi dashuritë e para… Studiuesja Andromaqi Gjergji e lidh në mënyrë të pashmangshme jetën dhe punën e saj me këtë lice. Madje edhe bisedën e fillon me kujtimet për të dhe e përfundon po ashtu, duke u ndalur gjatë me rrëfime shkollore. Njohëse e disa gjuhëve të huaja (Frëngjisht, Italisht, Anglisht, Rumanisht, Rusisht), ajo ka shumë për të rrëfyer… Jo thjesht si studiuese, por edhe si grua…

Ç’imazhe ju vijnë nga vitet e rinisë suaj të hershme? Çfarë kujtoni nga kohërat e studimeve?
Kemi qenë në Lice shumë djem e pak vajza, sidomos në degën e shkencave dhe klasike, ku mësonin jo vetëm latinisht, por edhe greqishten. Nuk di si të ta shpjegoj me çfarë dëshire flisnim për mësimet. Nuk kishim smirë për njëri-tjetrin. Korça ishte qytet me shumë kërkesa. Në atë lice kanë kaluar emrat më të shquar të diplomacisë shqiptare, që nga Behar Shtylla e me radhë. Edhe sot, them se gjysma duhet të jenë nga Liceu i Korçës. Ishin të preferuar nga njohuritë e plota e të mira që kishin. Unë shkova në atë shkollë dhe prej saj, vite më vonë, unë eca përpara dhe këtu. Prej frëngjishtes së mësuar në Liceun e Korçës, shumë nga ne kanë çarë jashtë. Ne që vijmë nga vende të vogla, duhet të dimë të paktën nga dy gjuhë të huaja. Unë për vete di e kam dhënë provim katër: frëngjisht, italisht, anglisht. Kur erdha në punë në Institutin e Shkencave, mësova rusisht (jo për të folur), por për të lexuar. E solli rrethana të mësoja dhe një nga gjuhët e Ballkanit, me të cilën kemi lidhje në gjuhësinë e përgjithshme, rumanisht. E vështirë është të mësosh një gjuhë, e dyta është më kollaj, e treta edhe më kollaj dhe kënaqësia të shtyn për më tepër.

Pra, edhe mësimin e gjuhëve të huaja ia dini për nder Korçës?
Ka pasur çdo qytet karakteristikat e tij, por Korça ishte me shumë kërkesa. Për shembull, nxënësit nga Shkodra ishin më superiorë nga ne të Korçës në lëndët e antikitetit, dinin shumë për letërsinë latine. Ne ishim më superiorë për letërsinë europiane, të shekullit 18 e këtej. Dinin më shumë dhe në analiza të gramatikës, sepse atje kishte pasur 2-3 profesorë të fortë dhe kjo reflektohet edhe në gjuhët që mëson. Kishim libra shumë të mirë që nga Liceu. I sillnin të zotët e librarive dhe i gjeja atje kur i kërkoja. Nëse të duhej një libër, i zoti i librarisë kishte për borxh të të nxirrte shtatë a tetë variante e nuk të kërkonte kurrë paratë atje në vend. “Merre, shikoje disa ditë, bisedo në familje, nëse të pëlqen, mbaje”, na thoshte.

Cilët janë personat që kanë ndikuar më shumë në jetën tuaj si studiuese e si grua?
Nga personeli i shkollës, të tërë, pa hezitim, sidomos profesorët. Por babai më ka përkrahur shumë. Ai shkoi në Amerikë shumë i vogël dhe bëri shkollën atje, pasi e tërhoqën dy vëllezërit e vet më të mëdhenj. U integrua në lëvizjet politike të “Vatrës”. Ka qenë anëtar i “Vatrës” e ka ardhur në vitet ‘20 në Shqipëri, me Thano Jorgjin, në kohën e ndryshimeve të Parlamentit atëherë. Në ato vite, në Korçë erdhën dhe shumë njerëz të tjerë përparimtarë, të dëshiruar për gjëra më të mira, e këta qenë sidomos shkodranë. Konstatova që kishin më shumë pengesa të thoshin prirjet dhe idetë e tyre, nuk i manifestonin dot se bota qe shumë e rreptë. Kurse në Korçë ishte bota më “e re”: vetëm fol, shkruaj ç’të duash, nuk të pengonte njeri. Qe një fat të kaloje rininë në një vend si Korça në atë kohë, hiq Shkodrën, natyrisht.

Por si akademike, ju keni pasur rastin të njiheni edhe me shumë studiues të njohur…
Në jetë kam njohur shumë njerëz të mirë, sidomos kur erdha këtu (në Tiranë). Më vinte çudi që isha aq e re e më pritën aq mirë. Kam punuar me tërë historianët më të mirë, që nga Aleks Buda e me radhë. I njoh të tërë. Janë sjellë me dashamirësi që në ditët e para të punës, kur nuk dija nga t’ia filloja. Kishim Hasan Cekën, me kulturë shumë të gjerë klasike dhe mirësjellje të habitshme, i gatshëm të të ndihmonte. Kur kam vajtur në punë, kishte biblioteka shumë të mëdha për profilet tona. Kërkoja për fisin e Dalmatëve dhe e pyeta Hasan Cekën ku të kërkoja. “Hajde këtu”, më tha. Shkuam në bibliotekë dhe më nxori një enciklopedi me 14 vëllime, që qe në gjermanisht. E më tha: “Këtu ç’të duash ke!”. Pastaj, më tregoi si ta shfrytëzoja. Veç kujtime të mira kam, që nga Aleks Buda e Dhimitër Shuteriqi, njeri me kulturë shumë të gjerë. Nuk mundet që një studenti t’i ketë thënë jo kur i ka kërkuar ta ndihmojë. Sa i rreptë dukej, aq i gatshëm ishte të ndihmonte. Edhe puna na lidhi, kur filluan të bënin “Historinë e Letërsisë Shqipe”. Shuteriqi tha: “Një figurë nga më të rëndësishmet është Fan Noli, por kemi mangësi shumë, se nga ata që jemi në grup, nuk di ndonjë anglisht”. Kështu, meqenëse isha e vetmja që dija anglisht, më lanë Fan Nolin. Punën e diplomës e bëra për të. Punova dy vjet. Nuk lashë gazetë pa parë, në Amerikë e këtu.

Pas kësaj pune për Fan Nolin, ju punuat për vite me radhë në fushën e studimeve dhe veçanërisht të etnologjisë…
Nuk kam lënë vend të Shqipërisë pa shkuar. Nuk më detyronte njeri, por e bëja me pasion. Shkonim me ekspedita edhe në Kosovë e punonim gjithë entuziazëm. Kam përfaqësuar Shqipërinë edhe në mbledhje të “UNESCO”-s. Më kanë dërguar edhe në Rumani se hapej një ekspozitë etnografike. “Kush më mirë se Andromaqi që ka qenë atje, mund të na përfaqësojë?”, thanë. Dhe shkova. Libri im për etnografinë ishte si kurorëzim i punës sime, një enciklopedi për veshjet shqiptare. Në të kam bërë një klasifikim të përgjithshëm të veshjeve dhe kam ndjekur historinë e disa pjesëve të veshjes. Me të pata shumë sukses, rashë në burime shumë të mira dhe i rindërtova. Libri u vlerësua dhe u përkthye nga institute të ndryshme. Ka hyrë emri im edhe në enciklopedi të tjera të fushës.

Një jetë të tërë kushtuar studimeve, por pak dimë për Andromaqin si grua. Pas kaq vitesh, mund të kujtoni dashuritë tuaja të para?
Isha në Lice. Edhe ai ishte në Lice. Atje shoqëroheshim. Vazhdimisht kam qenë në marrëdhënie me shokët e shkollës. Shumë pranë meje, te shtëpia në Korçë, rrinte djali i një gazetari që ishte bërë i famshëm në vitet ’30, Dhimitër Falo, pak si kundër çdo gjëje, kundër rrymës. Ky djalë, në vitet e luftës, kur rinia po ziente, doli vullnetar. Nga klasa jonë me 32 nxënës shkuan 14 në luftë. Shkuam në Voskopojë në një miting të rinisë dhe atje dolën vullnetarë e nuk u kthyen më. Shkuan partizanë.

Çfarë të tërhiqte te ky djalosh?
Një farë rreptësie, që ai kishte në ruajtjen e sekreteve politike. Kur thoshin se një gjë nuk duhej ta tregonte, nuk e thoshte. Ishte i besës, i fjalës…

Po më vonë?
Më vonë erdha në Tiranë e nuk u ktheva në Korçë. Më mbajtën këtu. Kjo duket si një dashuri adoleshentësh, nëse mund të shprehemi kështu.

Mund të rrëfeni për dashurinë tuaj të jetës, nëse ka një të tillë?
U humbet bukuria historive të dashurisë po të tregohen. Nuk dua t’i them. I mendoj vetë. Është një shprehje në frëngjisht, që i thotë gruas: bëhu e ditur, e mësuar, e mençur, nëse do që të bëhesh e mençur. Nëse mundesh, të bëhesh e bukur, por të jesh gjithnjë njeri i përfillur, jo pa konsideratë! Unë jam përpjekur të sillem gjithmonë në një mënyrë të tillë, që njerëzit të më respektojnë. Të sillesh në mënyrë që njerëzit të të respektojnë, është gjë e mirë për femrën, se kollaj është e keqja. Unë, natyrisht, ndonjë fanatike e madhe nuk kam qenë, por brenda kufijve të kohës e moshës. Nuk e kam lëshuar kurrë veten.

Një vajzë simpatike, e shoqërueshme dhe me shumë mundësi njohjeje, por e pamartuar. Pse vendosët të mos martoheshit?
Isha e sëmurë rëndë nga mushkëritë. Kam bërë dy operacione të vështira. Kam qëndruar dy vjet në sanatorium në Rumani dhe më në fund doktori më tha: hajde, shiko: ti, unë dhe ekrani: radioskopia! Gjendja është kjo! Unë që të kam parë në buzë të varrit, të them që mushkëritë e tua nuk kanë forcë të mbajnë presionin e një fëmije. Ti nuk mund të lindësh dot një fëmijë.

Ju vendosët të mos martoheshit sepse nuk mund të lindnit fëmijë? Ka shumë çifte të martuar që nuk mund të kenë fëmijë…
Po të rastisë që gruaja të mos bëjë fëmijë në një çift të martuar, është fatkeqësi: u ngordh të dyve behari! Por ta dish që nuk mund të lindësh fëmijë e të martohesh, kjo nuk shkon.

Megjithatë, ju keni pasur propozime për martesë. Nuk u tunduat në ndonjë moment të ndryshonit këtë vendim?
Nuk ka vajzë që nuk e kërkojnë. Është puna si të kërkojnë, kush e në ç’mënyrë afrohet. Ka meshkuj që të pështirosin, që duan fitore bombastike: sa i kthen sytë ai dhe ti re përdhe! Unë kam dashur një dozë dinjiteti për veten si femër. Nuk e kam lëshuar veten jashtë kufijve kryesorë. Asgjë e keqe nuk më ka ndodhur. Kam lëvizur dhe shumë jashtë shtetit, me javë e muaj. E kontrolloj shumë veten. Nuk kam nevojë të më thotë tjetri, e kuptoj vetë deri ku është kufiri.

Pavarësisht se keni qenë e sëmurë, ju e kujtoni me shumë gëzim periudhën e kaluar në Rumani…
Atje rashë në rrethe të emancipuara me anë të mjekëve. Ata kanë bërë të pamundurën për mua të më shpëtonin dhe falë kujdesit të tyre u bëra dhe njeri. Unë kam kujtime shumë të mira nga spitalet atje, jo vetëm nga personeli mjekësor. Vetë profesori që më operoi dy herë, ishte i pazëvendësueshëm. Por edhe shefi i pavijonit e të sëmurat e tjera silleshin shumë mirë me mua.

Përjetuat në këtë periudhë ndonjë histori dashurie të veçantë?
Ishin dashuri nga këto kur shkon me pushime, për një periudhë, për një kohë të shkurtër. Por rumunëve u pillte mendja shumë gjëra. Ishin shumë të sjellshëm e të papërtuar, çfarë nuk bënin! Organizoheshin 5-6 veta që u shkonte muhabeti dhe dilnin vizita nëpër qendra të ndryshme. Ishte një kishë shumë e vjetër, ku një herë në javë bëhej koncert nga një orkestër shumë e mirë simfonike. Mua më çuan dy muaj për pushime në vende malore, që të bëhesha shumë mirë.

Sot, pas kaq vitesh, keni ndonjë peng për jetën tuaj, dëshira të paplotësuara apo gjëra që do të donit të kishin ecur ndryshe?
Jo. Nuk kam pengje të tilla. Nuk më kanë munguar kënaqësitë. As nga rrethi shoqëror nuk e kam ndier veten të izoluar. Nuk isha natyrë e tërhequr, por isha e shoqërueshme.

Blerina GOCE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura