Amnistia/ Fshihen 90 miliardë lekë taksa, makinat që përfitojnë nga falja

Feb 22, 2017 | 17:51
SHPËRNDAJE

Qeveria ka miratuar sot ligjin që fshin detyrimet e papaguara për makinat dhe biznesin deri në dhjetor të 2010-s dhe që fal gjobat dhe interesat kur paguhen detyrimet pas 1 janarit 2011 deri në 2014, shkruan “Panorama”. 

trafik1

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dje në konferencën për shtyp tha se nga ligji i fshirjes së detyrimeve qytetarët dhe biznesi përfitojnë 90 miliardë lekë. Ministri Ahmetaj deklaroi se ligji i fshirjes së detyrimeve është një masë që ndihmon formalizimin e biznesit.

“Ligji për pagesën me kusht të detyrimeve dhe fshirjen pjesore të gjobave kalon nesër(sot) në qeveri. Është një draftligj i punuar me shumë kujdes prej gati 8 muajsh, në konsulencë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me draftin kemi prekur ndjeshmëritë e pothuajse gjithë viteve të individëve dhe të sipërmarrjes. Do të jetë një ndihmë shumë e madhe për sipërmarrjen dhe unë besoj që shumë sipërmarrje do ta shfrytëzojnë ligjin në favor të formalizimit. Detyrimet që fshihen në total janë gati 90 miliardë lekë. Besoj se nëpërmjet kësaj mase, sipërmarrja do të formalizohet, por edhe buxheti i shtetit do të përfitojë të ardhura nëpërmjet lehtësimit të pagesës së principalit, e shoqëruar me fshirje gjobash dhe interesash”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Ligji fshin detyrimet edhe për 144 mijë automjete që nuk kanë paguar taksat deri në 2010-n. Në ligj parashikohet se në rast se pronari i mjetit nuk dëshiron të kryejë çregjistrimin, ai duhet të paguajë vetëm taksat për periudhën nga 2011-ta deri në 2014-n, ndërsa i falen gjobat dhe kamatëvonesat.

Nëse pronari i makinës nuk paraqitet brenda 6 muajve për të kryer procedurat, makina do t’i çregjistrohet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit, ndërsa targa do t’i dërgohet për bllokim të mjetit Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

33

AMNISTIA E SHTËPIVE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, përsëriti edhe një herë se numri i lartë i aplikimeve për rivlerësimin e shtëpive me 2 për qind ishte arsyeja që afati u shty deri më 31 maj. Ministri Ahmetaj tha se deri në muajin shkurt kanë aplikuar 35 mijë qytetarë.

“Numër total aplikimesh kemi 31,564 aplikime dhe në ditë ka 80 aplikime, gjë që e bëri të domosdoshme sh ligjit nga fundi i muajit shkurt që ishte, deri në fund të muajit maj. Ka qenë një kërkesë e shumë agjentëve dhe vlerë- suesve që reflektonin kërkesat e qytetarëve. Në rastin konkret, vlera e aplikuar është 2,75 miliardë lekë dhe vlera e arkëtuar është 1,9 miliardë lekë”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se nga ulja e taksës 2 për qind nga 15 për qind që ishte më parë, qytetarët kursyen 180 milionë dollarë.

“Nga buxheti i qytetarëve janë shpëtuar, për shkak të taksës së reduktuar të rivlerësimit nga statistikat e reja 180 milionë dollarë, që qytetarët me një regjim afatshkurtër të taksës 15 për qind do të kishin paguar 180 milionë dollarë më shumë se ç’kanë paguar në buxhetin e shtetit gjatë kësaj periudhe. Si vlerë e shtuar në pasurinë e qytetarëve është formalizuar pak më shumë se 1 miliard dollarë”, u shpreh Ahmetaj.

RRITJA EKONOMIKE

Ministri i Financave, Ahmetaj, vlerësoi se 2016-ta ka qenë një vit pozitiv për rritjen për këtë vit me rritje deri në 3,8 për qind. Ministri e konsideroi pozitive ecurinë e ekonomisë dhe të efektshme reformat që po ndërmerr qeveria.

“Ka qenë një vit i mirë në përshpejtimin e rritjes ekonomike, ku viti 2016 konsolidoi rritjen ekonomike dhe krijoi një platformë për kalimin e hendekut pozitiv në 2017-n. Rritja ekonomike në 2016-n ishte 3,4 për qind, ndërsa pritshmëritë për 2017-n janë 3,8 për qind dhe kemi mundësitë që të jemi të parët në rajon për rritjen ekonomike. Në bazë të studimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të jemi realisht vendi i dytë me rritjen më të madhe ekonomike në ish-bllokun komunist, duke konkurruar me Rumaninë me 3,8 për qind”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se të ardhurat e arkëtuara në Tatime dhe Dogana në 2016-n ishin 180 milionë dollarë më shumë se në vitin 2015. Për të ardhurat e muajit janar 2017, ministri u shpreh se u arkëtuan nga Tatimet dhe Doganat 861 milionë lekë më shumë se muaji janar 2016.

 DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura