Amnistia, çregjistrohen 1600 makina në 20 ditë

Aug 31, 2011 | 11:52
SHPËRNDAJE

Amnistia fiskale që po zbatohet në vend, e cila prek edhe detyrimet e papaguara për mjetet, ka krijuar dyndje pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.Burime nga kjo drejtori informojnë se vetëm në 20 ditë janë çregjistruar 1600 automjete, të cilat nuk janë më në qarkullim apo që mund të kenë dalë jashtë funksionit. Të njëjtat burime theksojnë se fluksi i atyre që pritet të paraqiten pranë Drejtorisë për të përfituar nga amnistia fiskale do të jetë edhe më i madh gjatë shtatorit, kohë kur përfundojnë edhe pushimet e verës. Një pjesë e madhe e atyre që janë paraqitur për të çregjistruar një makinë u përket qytetarëve që nuk jetojnë në Shqipëri, por që nuk kanë ditur më herët procedurat. Nga amnistia fiskale parashikohet që të përfitojnë rreth 40 për qind e gjithë regjistrit të mjeteve në vend. Këto automjete mund të mos kenë paguar për një vit apo disa vite detyrimet, siç ishin taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit, të shfuqizuara tani me ligjin e ri për taksat kombëtare. Një nxitje e madhe për të çregjistruar mjetet gjatë ditëve të para ka qenë edhe kjo e hyrjes në fuqi të ligjit të ri ku qytetarët kanë preferuar që të jenë të rregullt për të mos pasur detyrimin e pagesës së taksës fikse vjetore. Procedura e çregjistrimit të një mjeti pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor mund të bëhet duke paraqitur mjetin e identifikimit dhe duke dorëzuar lejen e qarkullimit të mjetit, targat. Në rast të mosdisponimit të tyre, mjafton edhe deklarimi sipas formularit tip që është vënë në dispozicion të qytetarëve pranë çdo drejtorie. Detyrimi monetar për çregjistrimin e mjetit është vetëm 600 lekë, ndërkohë që përfitimi në këtë rast është falja e detyrimeve të papaguara dhe e gjobave apo kamatëvonesave. Ligji për amnistinë fiskale do t’i shtrijë efektet e tij deri në fund të këtij viti dhe nga DPSHTRR mendohet se do të përfitojë një pjesë e mirë e regjistrit të mjeteve, që saktësisht korrespondon me 164 748 mjete gjithsej.

40 për qind
e mjeteve të regjistrit kombëtar të mjeteve në vend përfitojnë nga ligji “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”. Këto mjete mund të mos kenë paguar detyrimet vjetore.

600 lekë
kushton çregjistrimi i mjetit pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor dhe qytetari paraqitet pranë sportelit me dokumentin e identifikimit dhe mund të bëjë deklarim sipas formularit.

1600 mjete
janë çregjistruar pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor vetëm gjatë 20 ditëve të fundit. Fluksi i madh shpjegohet edhe nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për taksat e makinës që u ndryshuan.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura