“Albpetrol”, pezullohen 35 monitoruesit e koncesioneve

Oct 31, 2013 | 13:59
SHPËRNDAJE

Godina e Albpetrol
Dy drejtori që operonin si pjesë e Albpetrolit, janë “ngrirë” në funksionimin e tyre, pas një kontrolli të bërë pranë kësaj shoqërie aksionere dhe shkeljeve të gjetura. Burime zyrtare nga Albpetrol thanë se në total janë pezulluar 35 punonjës, të cilët në detyrat e tyre kishin monitorimin e marrëveshjeve hidrokarbure me palët e treta. Në fakt, edhe pse me detyrë monitorimin, në fakt asnjë procedurë e tillë nuk rezulton të jetë kryer nga drejtoritë kundrejt kontratave me kompanitë koncesionare.
Monitorimi
Numri më i madh i punonjësve të pezulluar janë supervizorë, të cilët kanë si detyrim monitorimin në terren të kontratave dhe investimet e kompanive. Pesë janë kompanitë me të cilat Albpetrol kishte marrëveshje që duhet të mbikëqyreshin dhe këto janë Bankers Petroleum, Stream Oil, Sherëood, Transoil dhe Phoenix. Asnjë nga 20 supervizorët e Albpetrol nuk ka kryer procedurë monitorimi ndaj palëve të treta, madje prej tyre nuk disponoheshin as rroba pune për të bërë kontrollin në terren, që janë specifike për hyrjet në kantier. Më shqetësuese paraqitet situata lidhur me shpenzimet e deklaruara nga kompanitë koncesionare. Burime zyrtare të Albpetrol konfirmojnë se janë deklaruar 1.5 miliardë dollarë shpenzime të kryera nga kompanitë, por ndërkohë nuk rezulton asnjë faturë e dorëzuar që justifikon këto deklarime.
Puset
Kontrolli i kryer në Albpetol ka nxjerrë në pah edhe një shkelje tjetër, që lidhet me dorëzimin e puseve për kompaninë “Phoenix”. Rezulton që dorëzimi i puseve është bërë pa zbatuar standardet dhe procedurat e kontratës, e cila parashikon që dorëzimi i puseve të bëhej pjesë-pjesë përgjatë një afati kohor prej 18 muajsh. Në të vërtetë, puset janë dorëzuar menjëherë pa zbatuar as pikën e marrëveshjes koncesionare, që parashikon se rreth 300 punonjës të atyre puseve duhet të mbahen në punë për të paktën edhe 6 muaj të tjerë. Kjo ka prekur direkt të punësuarit në këto puse, çka në numër rezultojnë të jenë jo pak, ndërkohë që dorëzimi është bërë vetëm pak kohë para zgjedhjeve elektorale të 2013-s.

Haxhinasto me BERZH: Ja rrugët që do ndërtojmë
Janë një sërë projektesh, kryesisht të lidhura me rrugët, projekte që do të njohin ritme të reja të zbatimit të tyre. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një takimi të zhvilluar me Jean Marc Peterschmitt, drejtor për Europën Qendrore dhe Juglindore të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, theksoi edhe fokusin e ri të institucionit. “Do të rifillojmë me ritme të reja me projektet aktuale që financohen me fonde të BERZH, si ndërtimi i rrugës Damës–Tepelenë, by-passi i Vlorës, projekti i rrugëve rajonale, by–passi i Fierit, si dhe projektet në Portin e Durrësit”, tha Haxhinasto, duke shtuar këtu edhe mundësinë e përmirësimit të hekurudhës Tiranë-Durrës. Ndërsa drejtori i BERZH, Peterschmitt, e vuri theksin në mënyrën e re të menaxhimit që duhet të bëhet për rrugët nga ana e Shqipërisë lidhur me mirëmbajtjen e tyre. Në fakt, BERZH ka qenë e para që ka theksuar se mirëmbajta duhet t’i kalojë privatit dhe që rrugët e reja të bëhen me pagesë.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura