Alarmi i mjekëve: Të sëmurë me zemër që në moshën 25 vjeç

Sep 30, 2013 | 13:10
SHPËRNDAJE

Sëmundjet e zemrës nuk po kursejnë as 25-vjeçarët. Kjo për shkak të stresit në rritje dhe ndryshimit të mënyrës së të ushqyerit. Dje, në Ditën botërore të zemrës, mjekët kanë ngritur alarmin për neglizhencën që popullata u bën këtyre sëmundjeve, si dhe moshën e re që ato po prekin nga viti në vit. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, premtoi se qeveria e re do të nisë zbatimin e një programi kombëtar për parandalimin dhe diagnostikimin në kohë të sëmundshmërisë së zemrës. “Ne do të fillojmë një program kombëtar të shtrirë në vite për të pasur kontrolle minimale bazë shëndetësore falas për grupmoshat më të ekspozuara ndaj rrezikut të sëmundjeve që lidhen me zemrën”, premtoi ministri Beqja. Sipas mjekëve specialistë, faktorët kryesorë që shkaktojnë sëmundjet e zemrës janë hipertensioni, diabeti, yndyrat e tepërta në gjak e duhani. Mungesa e aktivitetit fizik cilësohet një shkak tjetër që ndikon te këto sëmundje. Rreth 40% e totalit të vdekjeve shkaktohen pikërisht prej tyre. Mjekët specialistë kanë ngritur një tjetër shqetësim, që lidhet me tendencën e dietave që mbajnë të rinjtë. “Në përgjithësi, lufta duhet bërë që mbipesha të mos vijë, ndërsa përpjekjet për rënien janë të vështira dhe ndonjëherë të rrezikshme. Ka shumë dieta për rënie, disa të arsyeshme, por shumica janë të dëmshme”, deklaroi dje shefi i hemodinamikës në QSUT, Artan Goda. Këto deklarata u bënë në një aktivitet sensibilizues në qendër të Tiranës. Janë ngritur disa çadra ku mjekë të familjes, në bashkëpunim me kardiologët, kanë kryer depistime te qytetarët për të parë incidencën e sëmundjes së zemrës në popullatë, siç janë analizat e glicemisë e kolesterolit, që lidhen me përqindjen e sheqerit apo yndyrës në gjak. “Sëmundjet e zemrës nisnin të preknin dikur 40 vjeç, ndërsa sot kemi raste me 25-26 vjeç, sepse është rritur niveli i stresit dhe deformuar mënyra e jetesës, e ushqyerjes, në dukje për më mirë, por më keq për sa i përket shëndetit”, tha kardiologu Goda. Sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë vdekje të parakohshme. Në fakt, në botë ky grup sëmundjesh shkakton çdo vit 17.3 milionë vdekje dhe shifrat janë në rritje. Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit, 23 milionë njerëz në botë do të vdesin nga sëmundjet e zemrës. Dita botërore e zemrës mbahet në nivel global çdo vit të dielën e fundit të muajit shtator, për të informuar njerëzit në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku më i madh i vdekjeve në të gjithë botën. Dita botërore e zemrës gjithashtu synon të promovojë masa parandaluese, që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura