Akuza policisë për vdekjen e adoleshentes, prangoset për dëshmi të rreme

Oct 31, 2014 | 13:04
SHPËRNDAJE

Qani Kapllani
Një drejtues automjeti që akuzoi Policinë e Kavajës si përgjegjëse për vdekjen e një vajze adoleshente që ai po transportonte me makinë në spital, është arrestuar për dëshmi të rreme. Qytetari Qani Kapllani deklaroi dje në disa televizione se Policia Rrugore e Kavajës është shkaktare për vdekjen e një 17-vjeçareje që ishte vetëhelmuar me fostoksinë në shkollën e Rrogozhinës. Sipas tij, ai ka qenë duke e transportuar vajzën me mjetin e tij drejt spitalit, por është ndaluar nga policët e qarkullimit, të cilët e kanë vonuar 15 minuta duke i kontrolluar dokumentacionin e mjetit, edhe pse ai u kishte thënë se po nxitonte për të dërguar vajzën në spital. Menjëherë pas deklaratave të tij në media reagoi Policia e Shtetit duke hedhur poshtë pretendimet e Kapllanit si të pavërteta. Sipas Policisë, nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi denoncues ka gënjyer publikisht në lidhje me faktet e ndëshkimit të tij nga shërbimi i Policisë Rrugore. “Vajza e vetëhelmuar në orët e mëngjesit të datës 24 tetor është transportuar në spital nga Rrogozhina me anë të një mjeti autoambulancë, dhe jo me mjetin e këtij shtetasi. Asnjë patrullë e Policisë Rrugore nuk e ka ndaluar ambulancën gjatë transportimit të vajzës së vetëhelmuar. Shtetasi Qani Kapllani është ndaluar dhe kontrolluar gjatë drejtimit të mjetit me targë AA 216 CY, i cili është në pronësi të shtetasit B. Kapllani, për mospërdorim të sistemit të ndriçimit të mjetit të tij dhe për mos pajisje të mjetit me policë sigurimi”, deklaron Policia. Ndërsa sqaron se ndalimi dhe ndëshkimi i tij ka ndodhur në orën 18:50 të mbrëmjes, e jo në mëngjes, siç pretendon ai, në unazën jugore të qytetit të Kavajës, e konfirmuar kjo nga sistemi E-GJOBA. Më vonë, pasi Policia tha se kishte nisur veprimet procedurale ndaj Qani Kapllanit në lidhje me deklarimet e rreme të tij, në një njoftim të dytë Policia e Shtetit njoftoi se ai ishte arrestuar, pasi edhe familjarët e viktimës kishin mohuar deklarimet e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura