Akuza për Artenc Shehun, saldatori u vra nga pakujdesia

Aug 31, 2013 | 12:58
SHPËRNDAJE

Viktima Gëzim Karaj
Artenc Shehu, 30-vjeçari i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e saldatorit Gëzim Karaj, do të njihet sot me masën e sigurisë në Gjykatën e Tiranës.

Akuza e ngritur ndaj tij është “vrasje nga pakujdesia”, nisur edhe nga raporti paraprak mjeko-ligjor, por edhe nga deklarimet kontradiktore të dëshmitarëve. Dosja është depozituar në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që sot pritet të vendoset masa e sigurimit. Sipas formulimit të akuzës, krimi ka ndodhur pas një sherri banal, pasi e dashura e autorit u konfliktua me 59-vjeçarin, me pretendimin se i kishte zënë rrugën për të nxjerrë makinën nga parkimi, e më pas e kishte qëlluar me shpullë. Më pas ka shkuar dhe Artenc Shehu, i lajmëruar në telefon nga e dashura e tij, stjuardesa 26-vjeçare Amanda Hoxha, i cili më pas ka rrahur për vdekje Gëzim Karajn. Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Tiranës, viktima është goditur me grushte, por sipas dëshmitarëve, duke përjashtuar vetëm stjuardesën dhe nënën e saj, ai është goditur me një objekt të fortë pas veshit. Policia ende nuk ka sqaruar nëse në vendin e ngjarjes është gjetur apo sekuestruar ndonjë objekt i fortë që i ka shkaktuar atij plagën në kokë, edhe pse në dosje është shënuar që viktima ka plagë të shkaktuar nga një objekt i fortë.
DESHMITE
Debati mes stjuardesës dhe saldatorit Gëzim Karaj një orë e gjysmë para se ai të vritej nga i dashuri i saj, është parë nga disa dëshmitarë. Një shitës në dyqanin përballë vendit ku u zhvillua debati, punonjësi i një servisi makinash dhe disa banorë të pallatit, kanë deklaruar në Polici se viktima nuk ka reaguar, edhe pse vajza e ka fyer disa herë bashkë me të ëmën. “Ajo çfarë nuk nxori nga goja! As që pyeti që ai kishte moshën e babait të saj. E akuzonte kot sikur i kishte gërvishtur makinën. Por as që ia preku. Gëzimi ishte njeri i respektuar këtu në lagje, nuk bëhej fjalë që ai të fyente, aq më pak një femër. Le pastaj ta ketë qëlluar me shpullë, siç i tha ajo të dashurit në telefon”, kanë deklaruar dëshmitarët. Nga ana tjetër, stjuardesa dhe e ëma e saj kanë dhënë një tjetër version në Polici, duke ngulur këmbë që viktima e kishte qëlluar me shpullë 26-vjeçaren, dhe për këtë arsye ajo ka lajmëruar të dashurin. Ndërsa vetë i akuzuari për vrasje, Artenc Shehu, ka dëshmuar që e ka qëlluar Karajn vetëm me një shpullë dhe nuk ka përdorur asnjë objekt të fortë, siç pretendojnë familjarët e tij.

Dëshmia e gruas së viktimës

Nexhije Karaj
“Gëzimi kishte prishur një komodinë dhe e vuri në biçikletë që ta hidhte te koshi i plehrave. E la biçikletën prapa një makine dhe aty doli një vajzë e re, e ofendoi dhe iu hakërrye pse i kishte lënë plehrat aty. Ajo nisi t’i gjuante biçikletës me shqelm. Me të ishte edhe një grua e vjetër dhe që të dyja ato e ofenduan Gëzimin. Pas këtij sherri erdhi një djalë i gjatë dhe vajza e gruaja e moshuar ia treguan me gisht burrin tim. Ai djali iu afrua dhe pa i thënë asgjë, e goditi në veshin e djathtë. Kam përshtypjen që ai është qëlluar me send të fortë, duke u nisur dhe nga plaga që kishte pas veshit”.

Dëshmia e autorit
“Unë kam qenë në shtëpi, në gjumë, kur më telefonoi e dashura, Amanda. Ajo ishte duke qarë dhe në fillim më tha që dikush e kishte qëlluar me shpullë, pastaj me grusht. Ajo qante dhe unë nuk po e kuptoja saktësisht se çfarë po më thoshte, vetëm e pyeta se ku ishte dhe u nisa menjëherë. E kam qëlluar me shpullë atë burrin. Nuk kam përdorur as levë, asgjë. Më ngeli në dorë dhe ra në tokë”.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura