Plumba policisë, 350 forca RENEA e FNSH në Kurvelesh

May 31, 2014 | 9:55
SHPËRNDAJE

Policia sot ne aksion

TEPELENE- Banorët e Kurveleshit iu kundërpërgjigjën dje me plumba operacionit antidrogë të policisë.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 09:00 në Progonat të kësaj komune, kur fillimisht ishin nisur për në këtë fshat rreth 20 efektivë të Tepelenës e Gjirokastrës. Por kur ata kanë qenë rreth 500 metra larg fshatit, janë dëgjuar të shtëna të njëpasnjëshme automatike nga ana e banorëve, të cilat besohet se kanë qenë në ajër për të trembur policinë. Këta të fundit kanë sinjalizuar menjëherë eprorët e tyre për situatën në të cilën ndodheshin dhe kanë marrë urdhër të presin e të mos futeshin në fshat. Të shtënat me armë, herë-herë edhe me breshëri, zgjatën për rreth 15 minuta. Më pas, autorët, të cilët sipas Policisë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, u larguan në drejtim të paditur. Alarmi i dhënë për të shtënat me armë, duke kopjuar kështu veprimet e lazaratasve, ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme. Ata organizuan një operacion antidrogë, më të madhin në këtë mandat qeverisës sa i përket numrit të efektivëve, duke çuar drejt Kurveleshit dhjetëra mjete, furgonë dhe pesë autoblinda me 350 trupa të RENEA-s dhe FNSH-së. Numri i lartë i forcave që rrethuan zonën ka vënë në panik edhe banorët, të cilët nuk kanë pasur zgjidhje tjetër veçse të dorëzohen dhe t’i thonë “bujrëm” policisë për të vijuar operacionin antidrogë. Ministria e Brendshme theksoi mbrëmë se operacioni për kontrollin e territorit, për identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella në zonën e Kurveleshit në Tepelenë, vijon. Por nuk u përmendën në asnjë njoftim zyrtar të shtënat me armë ndaj uniformave të Policisë së Shtetit dhe as numri i bimëve narkotike të asgjësuara. Burime në vendngjarje bënë të ditur se forcat e RENEA- s dhe FNSH-së kanë marrë operacionin në dorë dhe kanë krehur të gjithë fshatin. Ndërsa siç mësohet, ata po vijojnë aksionin për të krehur fshatra të tjera të Kurveleshit, por edhe zona ku ka informacion për kultivim droge në komuna të tjera, deri edhe ato më të largëtat në kufi me Vlorën. Nuk ka asnjë të dhënë nëse organizimi i kësaj trupe të madhe të Policisë së Shtetit e RENEA- s do të shfrytëzohet për një ndërhyrje të mundshme në Lazarat. Burime nga Policia e Gjirokastrës bënë të ditur mbrëmë se nga aksioni i djeshëm në fshatin Progonat u asgjësuan 2500 rrënjë Cannabis sativa. Sipas burimeve, kanë qenë jo më shumë se tre persona ata që kanë rezistuar me armë dje duke rrezikuar jetën e forcave të rendit. Dy prej tyre janë banorë të zonës, ndërkohë që i treti është nga zona e Orikumit në Vlorë. Ndonëse zyrtarisht nuk dihet ende numri i saktë i fidanëve të shkatërruar nga policia ditën e djeshme, mendohet se sasia është më e shumtë se ajo e dy ditëve më parë e konstatuar në fshatin Gusmar, po në të njëjtën komunë.

TEPELENE/ PIRO NASE
[portfolio_slideshow] 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura