“Aksidenti” i Kadaresë, dashuria e shënjuar nga misteri

Oct 31, 2013 | 14:46
SHPËRNDAJE

Mikolaj Marszycki

Libri i fundit i botuar në Poloni i Kadaresë nis në mënyrë krejt të pazakontë për këtë autor, me një sensacion kriminal. Ngjarja që përmendet në fjalinë e parë, duket në pamje të parë krejt e rëndomtë – në Austri, një taksi del papritur nga autostrada dhe bie në greminë. Dy pasagjerët e saj humbin jetën, ndërsa shoferi i plagosur rëndë përfundon në spital. Aksident. Një aksident atipik, por sërish aksident. Edhe pse shkaqet e tij policia vendëse nuk është në gjendje t’i shpjegojë. Pra, a kemi të bëjmë vërtet me një aksident? Dy të vrarët në këtë aksident janë dy shtetas shqiptarë: Besfort Y., punonjës i Këshillit të Europës dhe një njeri i ngatërruar në çështjet e luftërave në Ballkan, si dhe bashkudhëtarja e tij, Rovena, stazhiere në Institutin e Arkeologjisë në Vjenë dhe e dashura e tij prej vitesh. Meqenëse Besforti kishte lidhje të ngushtë me hetimet që po zhvilloheshin në Hagë lidhur me krimet e luftës, si shërbimi sekret shqiptar, ashtu edhe ai serb, po kryejnë hetime të pavarura mbi vdekjen e tij. Por këtë çështje është duke e ndjekur gjithashtu një hetues misterioz dhe i paemër. Dhe vetëm falë tij ne arrijmë të njohim se çfarë kishte ndodhur me këtë çift gjatë dyzet javëve të fundit. Ky fillim pak si sensacional dhe policesk është në fakt vetëm një koperturë, sepse më pas njihemi me historinë e dashurisë ndërmjet Besfortit dhe Rovenës, të risjellë në kujtesë pikërisht prej këtij hetuesi misterioz. Sigurisht, ky libër nuk trajton aspak një histori dashurie klasike, nga ato sëmbueset, por rrëfen historinë e një lidhjeje tejet të ngatërruar dhe të pleksur, për më tepër të shënjuar nga misteri, i cili asnjëherë nuk do të ndriçohet deri në fund.
Marrëdhënia ndërmjet këtyre dy karaktereve është e mbushur me përleshje emocionale, fiksime, si dhe nga një lloj perversioni, i cili duket sikur i shijon më tepër atij. Besforti është hera-herës dashnor mizor dhe i poshtër, i cili duket sikur eksitohet nga një damar i brendshëm vetëshkatërrimi. Rovena, ndërkohë, është vajza e humbur në histerinë e saj, e cila në këtë lidhje është viktima, edhe pse ndonjëherë hyn në rolin e të dashurit të saj, duke qenë e aftë të jetë po aq mizore në lëndimin e tjetrit.
Ky është një çift që gjendet në një lidhje të fortë emotive, të tejmbushur me ndjenja e që kërkon me ngulm përherë më shumë një formë të re të dashurisë. Dhe hapi i parë drejt saj është vdekja.
“Kështu i kishte thënë kohë më parë: ishin dy gjëra në botë që u vihej në dyshim qenia: dashuria dhe Zoti. Të tretën, vdekjen, njeriu, siç dihej, nuk mund ta shihte veç te të tjerët.”
Përveç kësaj dashurie të çmendur, e cila shfaqet në rolin kryesor, Kadare trajton tek “Aksidenti” edhe disa çështje të tjera. Njëra prej tyre është pikërisht vdekja. Ky është një libër ku ndërthuren mjaft motive tematike. Këto motive trajtohen me po aq fiksim sa dashuria. Në libër një vend i veçantë i është lënë
temës së seksualitetit, e cila është këtu po aq e komplikuar dhe e vështirë sa ndjenjat që lidhin dhe ndajnë dashnorët. Dhe, ç’është më e rëndësishme: kjo temë nuk shtjellohet vetëm në një marrëdhënie burrë-grua, por edhe në një marrëdhënie lesbikesh, pasi Rovena po ashtu ka një dashnore.
Ky është gjithashtu një roman politik, edhe pse në shkallë më të vogël. Ai është i ngulitur fort në ditët tona (çka nuk ka ndodhur në librat e tjerë të shkrimtarit shqiptar, të botuara në Poloni), duke iu referuar Gjykatës së Hagës, Këshillit të Europës, jehonës ende kumbuese të komunizmit, apo bombardimeve në Ballkan.
“Kudo në botë, zhaurima e ngjarjeve që ndodhnin në sipërfaqe ishte në kundërti të plotë me heshtjen e thellësisë, por askund ajo kundërti nuk ishte aq e madhe sa në Gadishullin Ballkanik.”
Por, ky libër është gjithashtu një skicë e dhënë mjeshtërisht për situatën specifike të vetë Shqipërisë, e cila, edhe pse më në fund është e lirë, nuk është ende e bindur për vendin e saj në Europë, e cila proteston dhe nga e cila nuk mund të çlirohesh dot.
“Sa më fort që e shaje, aq më keq të lidhte. Është si dashuria e lavires.” Kjo prozë është nga njëra anë e ftohtë si çeliku dhe jashtëzakonisht analitike, e nga ana tjetër e errët dhe plot e përplot fakte të paqarta e të pasigurta. Në fund, ajo të godet me tone metafizike, fetare, e sidomos mitologjike. Autori kujton mitin e Orfeut dhe Euridikës, të cilin ia kundërvë dashurisë së
Besfortit dhe Rovenës. Pa na thënë kurrë asgjë deri në fund, por duke na lënë lirinë e interpretimit. E donte, apo nuk e donte? E humbi, apo nuk e humbi? A ishte aksidenti një atentat, një vetëvrasje, apo një vrasje? Mundet që përgjigjet të jenë fshehur te pasqyra e taksisë, prej së cilës taksisti kishte parë për herë të fundit çiftin, para se këta të përfundonin në humnerë, dhe të cilat hetuesi anonim që ishte përpjekur të zgjidhte enigmën, i kishte marrë me vete në varr.
Ky libër nuk hyn te librat e thjeshtë për t’u lexuar, e madje nuk hyn as te veprat më të arrira të shkrimtarit shqiptar. A do të thotë kjo që libri nuk ia vlen të lexohet? Jo. Ky libër është një punë solide, një letërsi intriguese me një narracion elegant dhe me thellësi interpretimi. Edhe pse vende-vende duket sikur libri e tepron me intrigën, ai jep gjithashtu një kënaqësi të përkorë, që provohet rëndom, kur lexon letërsi ambicioze.
Në fund fare, një respekt të madh për punën e zonjës Dorota Horodyska, për përkthimin e shkëlqyer të radhës nga gjuha shqipe, si dhe për përafrimin këmbëngulës të veprave të Ismail Kadaresë, këtij shkrimtari shqiptar të jashtëzakonshëm. Ai dikur do ta fitojë Nobelin. Keni për të parë…

Përktheu nga polonishtja Edlira Lloha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura