Aksident në mes të Beratit, vdes kalimtari, tre plagosen

May 31, 2011 | 10:39
SHPËRNDAJE

Aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi e plagosjen e tre të tjerëve ndodhi dje në mes të qytetit të Beratit.Një mjet që lëvizte me shpejtësi skëterrë përgjatë bulevardit, humbi kontrollin dhe, pasi çau bordurat, përfundoi në lumë. Bashkë me mjetin e drejtuesin e saj, në ujërat e Osumit përfunduan edhe tre kalimtarë, të cilët i mori makina përpara. Ngjarja shkaktoi panik tek dhjetëra qytetarë që u ndodhën në vend, kur mjeti përplasi furishëm kalimtarët e më pas ata përfunduan në ujërat e vërshuara të lumit. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:00 në bulevardin e qytetit, buzë Osumit. “Një makinë tip “BMV” me targë AA 939 C që drejtohej nga 21-vjeçari Refit Hasanbelliu ka dalë nga bulevardi dhe përfundoi në shtratin e Osumit, duke marrë me vete dhe tre kalimtarët që u ndodhën aty”, bëri të ditur Policia. I riu ka qenë duke udhëtuar nga qendra e qytetit në drejtim të Urës së Goricës, por pa iu afruar urës, ka dalë nga rruga duke hipur mbi trotuar. Pasi ka shkallmuar edhe parmakët e trotuarit, përfundoi në lumë. “Në momentin që makina doli nga rruga, goditi me forcë edhe tre kalimtarët që ndodheshin në atë moment në rrugë. Makina i mori edhe ata me vete. Ngjarja shkaktoi panik, pasi viktimat veçse ishin plagosur rëndë nga forca e përplasjes, ata humbën ndjenjat dhe nuk arritën të dalin nga uji. Rrjedha e furishme, si pasojë edhe e shirave të këtyre ditëve, po i merrte ata me vete”, u shpreh një dëshmitar i ngjarjes. Qytetarët që janë ndodhur në vendin e ngjarjes ndërhynë në kohë, duke bërë të munduar nxjerrjen e katër të plagosurve nga uji. Burime të Policisë bënë të ditur se u bë edhe identifikimi i viktimave, pasi u nxorën nga uji. Ata janë shtetasit Alfred Merka 45 vjeç, djali i tij, Alban Merka 21 vjeç, që të dy banorë të lagjes “Çlirim”, si dhe Edison Terihati, 23 vjeç, banor i së njëjtës lagje. Ata kishin marrë plagë të rënda si pasojë e përplasjes, ndaj u bë menjëherë transporti i tyre në Spitalin e Beratit. Burime spitalore bënë të ditur se më rëndë paraqitej gjendja e 45-vjeçarit, të cilit për shkak të plagëve të rënda iu pre edhe njëra këmbë. Gjendja e tij është rënduar, ndaj mjekët vendosën për transportimin e tij në Tiranë, por 45-vjeçari ndërroi jetë gjatë rrugës. Autori i ngjarjes u arrestua pasi mori ndihmën e parë, ndërsa dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë shpejtësia dhe alkooli. Nga hetimet rezultoi se pronari i makinës ishte Edison Kaja, 23 vjeç, nga fshati Lapardha i komunës Otllak. Ai kishte qenë duke pirë një kafe me miqtë e tij, ndërsa i kishte dhënë mjetin 21-vjeçarit nga Berati për të bërë disa xhiro nëpër qytet.

Lezhë, parakalimi shkaktoi aksidentin me 1 të vdekur

LEZHE – Zbardhet aksidenti i ndodhur mbrëmjen e së dielës mes dy makinash, në vendin e quajtur kryqëzimi i rrugës së kombit me superstradën Lezhë-Laç. Tentativa për të parakaluar e mjetit me targa të Tiranës ka shkaktuar dhe aksidentin. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit mësohet se një autoveturë tip “Benz” me targe TR 3811 R me drejtues 38 vjeçarin Orion Pina nga Durrësi, është përplasur me një mjet tip BMV me targe Sh 8967 E, me drejtues 25-vjeçarin Edison Çelaj, nga Shkodra. Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen në vend Pina, ndërsa është plagosur rëndë drejtuesi i BMV Edison Çela, si dhe pasagjerët që udhëtonin me të, 22-vjeçari Xhulio Kasneci si dhe 23-vjeçari Gjergj Kasneci.

1 person
humbi jetën dhe 3 të tjerë u plagosën rëndë pas aksidentit të ndodhur në mes të qytetit të Beratit. Pas përplasjes së makinës me kalimtarët, ajo ra në lumin Osum

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura