AK: Policia na refuzoi lejen e tubimit në Lezhë

Feb 29, 2012 | 12:01
SHPËRNDAJE

LEZHE – Aleanca Kuq e Zi doli dje në një deklaratë për shtyp, ku denoncoi refuzimin e lejes për tubim paqësor që ishte parashikuar më 2 mars, në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës. Në deklaratë thuhet se Aleanca i është drejtuar për leje manifestimi Policisë dhe Bashkisë së Lezhës, ndërkohë akuzon Kryeministrin Berisha se ka dhënë urdhër që të mos lejohet tubimi i tyre. “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve lezhjanë të bashkohen me kuqezinjtë”, ishte thirrja e djeshme e Aleancës. Pas deklaratës së dhënë në Tiranë, dje reagoi edhe Policia e Lezhës, duke sqaruar pozicionin e saj. Drejtori i Policisë, Muharrem Furriku, u shpreh se “më 2 mars është dita e Besëlidhjes së Lezhës. Bashkia e këtij qyteti ka katër ditë që ka kërkuar lejen dhe ndihmën e policisë për të garantuar rendin e qetësinë në sheshin kryesor, ku do të zhvillohet aktiviteti me rastin e këtij përvjetori. Kjo ditë është e planifikuar edhe në axhendën e aktiviteteve qeveritare në këtë rreth. Në të njëjtën orë dhe vend Bashkia e këtij qyteti ka organizuar një sërë veprimtarish, ku priten të marrin pjesë autoritete të ndryshme dhe trupa diplomatike të akredituara në vendin tonë. Ndërsa Kreshnik Spahiu ka kërkuar të ushtrojë një tubim dy ditë më parë në sheshin kryesor të qytetit, duke kërkuar të njëjtin vend dhe orë”, u shpreh Furriku. Sipas Policisë, AK mund të kërkojë zhvillimin e tubimit në një tjetër vend apo orë.                     r.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura