AK, letër Berishës: Firmos peticionin për referendumin e bashkimit Kosovë-Shqipëri

Nov 30, 2012 | 12:00
SHPËRNDAJE
Kreshnik Spahiu

TIRANE – Kreu i AK-se, Kreshnik Spahiu fton kryeministrin Sali Berisha te nenshkruaje peticionin për mbajtjen e referendumit të nisur nga AK-ja më 28 Nëntor, për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ftesa i eshte bere permes nje letre, e cila eshte bere publike edhe per mediat. Sipas letres, Aleanca do të ftojë në këtë peticion për të nënshkruar të gjithë drejtuesit e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, drejtuesit e institucioneve, politikanë të lartë dhe çdo qytetar që gëzon të drejtën e votës.
LETRA E PLOTE
Aleanca Kuq e Zi me 28 Nëntor 2012 ka ndërmarrë inisiativën për të kërkuar organizimin e referendumit popullor për bashkimin e shtetit Shqiptar me shtetin e Kosovës. Kjo kërkesë është bazuar në “nenin 150, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ka të drejtën t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçante.
Aleanca Kuq e Zi do të ftojë në këtë peticion për të nënshkruar të gjithë drejtuesit e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, drejtuesit e institucioneve, politikanë të lartë dhe çdo qytetar që gëzon të drejtën e votës. Kjo kërkesë do t’i shërbejë dhe hapjes së një debati transparent mbi qëndrimet zyrtare dhe politike të figurave të larta të dy shteteve shqiptare.
Aleanca Kuq e Zi vlerëson se pozicionimi pro apo kundër bashkimit të dy shteteve shqiptare do t’i shërbejë të ardhmes dhe një vlerësimi më të saktë me historinë e Shqipërisë.
Për këto arsye duke marrë shkas dhe nga qëndrimet tuaja publike në javët e fundit mbi çështjen e bashkimit kombëtar, ne ju ftojmë të jeni një nga bashkëfirmëtarët e parë të kërkesës zyrtare për realizimin e referendumit për bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës.
Aleanca Kuq e Zi po ju dërgon bashkëngjitur me këtë ftesë formularin origjinal të firmosur më 28 Nëntor në Morinë nga Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, ku u shënua dhe nisja zyrtare për mbledhjen e firmave për realizimin e këtij referendumi.
Jeni i lutur që pas nënshkrimit të na e ktheni formularin me qëllim që Aleanca Kuq e Zi të vijojë procesin e firmosjes nga mijëra qytetarë të tjerë me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura