Ahmetaj: Marrëveshja me FMN e suksesshme, u arrit rritja ekonomike

Feb 9, 2017 | 13:31
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, morën pjesë dje në takimin e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që u zhvillua në Romë, me temë “Politikat fiskale në mbështetje të rritjes ekonomike”. Ministri i Financave, Ahmetaj, tha se arritjet kryesore të programit trevjeçar të Qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një program që, sikurse e theksoi ministri, ishte i suksesshëm dhe arriti objektivat e tij kryesorë.

“Politikat fiskale janë ciklike dhe kundërciklike dhe në varësi të kontekstit në të cilin ato zbatohen, jo gjithmonë arrihet të ketë përputhje mes politikave fiskale dhe rritjes ekonomike. Pra, ka një mungesë përputhshmërie në kohë mes politikave fiskale që ndërmerren dhe rritjes ekonomike. Ne jemi munduar të fokusohemi dhe të zbatojmë ato politika fiskale që nuk e dëmtojnë rritjen, duke gërshetuar hapësirën tonë fiskale me shpenzime që nxisin rritjen ekonomike”, u shpreh Ahmetaj.

Arben Ahmetaj konference

Gjatë takimit, edhe Guvernatori Sejko u shpreh se rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme dhe balancat kryesore makroekonomike do të forcohen në të ardhmen. Për sa i përket perspektivës, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë pret një aktivitet ekonomik në përmirësim gjatë horizontit kohor afatmesëm, i cili do të mundësojë kthimin e ekonomisë në ekuilibër, përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Guvernatori nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi për reduktimin e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura