Aeroporti, tani kontroll online fluturimeve

Mar 31, 2011 | 12:59
SHPËRNDAJE

Çdo informacion lidhur me fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, tani mund të merret thjesht nga ëebsajti i TIA-s. Nga dje ka filluar edhe shërbimi më i ri që u ofrohet pasagjerëve, ku përveç detajeve mbi fluturimet, jepen edhe detaje lidhur me kushtet e motit. TIA njoftoi dje lançimin e këtij shërbimi të ri, i cili do të mundësojë që në kohë reale të merret informacioni i kërkuar nëse një fluturim është ulur, anuluar apo është vonuar. “TIA është e angazhuar t’u ofrojë gjithmonë pasagjerëve dhe klientëve të saj më të mirën, çdo ditë ne jemi duke u përpjekur për të ofruar shërbime të reja. Tani po mundësojmë informacion mbi fluturimet në kohë reale, njoftimet e fundit mbi mbërritjet e nisjet e fluturimeve, shërbime këto që shpresojmë të priten mirë nga pasagjerët, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të motit apo periudhave të pikut të fluturimeve”, shprehet Rolf Castro- Vasquez, Drejtori i Përgjithshëm i Operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ky shërbim i mundësuar së fundmi nga TIA vjen në vazhdën e ndryshimeve që ka pësuar ky aeroport, ndërkohë që nga ana tjetër shfaq tendencën e përshtatjes teknologjike për kohën ku jetojmë, ku qytetarëve çdo informacion u jepet në kohë reale. Faqja ku mund të shihet tani informacioni në kohë reale, gjendet në faqen e internetit të aeroportit www.tiranaairport.com.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura