Adrola Dushi: Shtatzënia ishte aksidentale, por sot ndihem e bekuar me Troin

Aug 31, 2014 | 9:34
SHPËRNDAJE

Ajo është bukuroshja shqiptare, e cila në kokë mban kurorën e “Miss Universe” nga viti 2012. Në një rrëfim për gazetën ”Panorama”, bukuroshja shqiptare tregon gjithë eksperiencën e saj si një nënë e re 20-vjeçare, si dhe sfidën e bashkëshortit si një prind i ri 24 vjeç. Si e kanë pritur lajmin e shtatzënisë dhe si u surprizuan me ardhjen në jetë të djalit të tyre, Troit. Shtatzënia stopoi planet e saj në modelizëm, por nuk e ka ndërprerë ëndrrën e saj që të vazhdojë të punojë si modele, pasi sipas Adrolës ka shumë femra në botën e modës që janë të suksesshme si nëna dhe si modele njëkohësisht.
Sa ka ndryshuar jeta jote pasi je bërë nënë?
Normalisht që ka ndryshuar shumë për të mos thënë 100%, mund të them 90%. Fëmija të ndryshon në gjithçka. Nëse para se të bëhesha nënë preokupimi më i madh ishte se ku do dilja, çfarë do vishja etj., tani preokupimi më i madh dhe përgjegjësia ime më e madhe është biri im, Troi.
Ka qenë e planifikuar kjo gjë apo befasi për të dy?
Ishte e papritur sigurisht, pasi unë kisha plane krejt të tjera, sapo isha shpallur miss, kisha shkollën, po mendoja të shkoja në Amerikë të punoja e gjithçka tjetër, vetëm për t’u bërë nënë s’e mendoja. Por ndodhi dhe unë e pranova realitetin. Nuk jam aspak e penduar për çfarë më ka ndodhur, fëmija është bekim.
Edhe si rrodhi e gjitha, na i përshkruaj pak momentet kur ke kuptuar se do bëhesh nënë, si reagoi i dashuri?
Mund të them se ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Siç e thashë më lart, unë kisha plane krejt të tjera, m’u duk sikur më ra qielli mbi kokë, familjen e kisha larg, edhe për bashkëshortin nuk ishte e lehtë. Ai, si një 24-vjeçar, s’i binte mendja të bëhej prind, duke bërë një jetë si të gjithë të rinjtë në kryeqytet, por më ka qëndruar pranë. Sot jemi të tre shumë të lumtur.
U frikësove se mos shtatzënia e më pas mëmësia do të të shkepusnin paksa nga bota e spektaklit?
Në fillim e mendoja dhe këtë pjesë, por kaloi shpejt, pasi ka plot nëna nëpër botë që janë supermodele.
Çfarë të ka penalizuar që kur je bë nënë?
Nuk mund të them penalizuar, por mendoj se për momentin nuk po merrem shumë me veten, pasi kujdesem për tim bir derisa ai të marrë pak veten, të kalojë një vit nga ardhja e tij në jetë e pastaj do jem më e lirë.
E ke pasur të vështirë, kush të ka ndihmuar?
E kam pasur shumë të vështirë, sepse jam mësuar gjithmonë si “goca e mamit”. Troi ka lindur në Amerikë, atje kisha edhe mamanë time e dy muaj nuk e kam ndier që jam bërë nënë. Pastaj erdha në Shqipëri dhe gjithçka e kisha për vete, por edhe bashkëshorti më ka ndihmuar. Troi ka edhe gjyshërit nga babai që bëhen copë pas tij dhe i kanë qëndruar mbi kokë, saqë kanë filluar ta llastojnë.
Po bashkëshorti sa të ndihmon, është baba i përkushtuar?
Bashkëshorti i ka kaluar pritshmëritë, është shumë i fiksuar pas djalit, luan me të dhe kujdeset shumë.
Është nga ata shqiptarë tipikë, që doemos donte ta kishte të parin fëmijë djalë?
Po, e kishte me shumë dëshirë që të ishte djalë.
Si ka vijuar jeta jote gjatë kësaj kohe me spektaklin, ke pasur oferta?
Po, kam marrë oferta të ndryshme, por kam zgjedhur disa e jo të gjitha. Këtu te ne nuk është se vlerësohet shumë puna si modele dhe normalisht unë kam shkuar aty ku më ka interesuar më shumë.
Bashkëshorti juaj është xheloz, do filloje përsëri me spektakle?
E kam thënë dhe më herët se jam me fat që kam një bashkëshort si ai. Jo vetëm që nuk del pengesë, por është krahu im i djathtë për gjithçka që bëj, sigurisht që do rikthehem sërish.
Po me linjat e ke pasur problem, je rikthyer në formën që ke qenë para lindjes?
E vërteta është se unë kilet e tepërta i kam humbur nga lodhja që më ka shkaktuar djali. Ndoshta ka të bëjë me moshën time të re, por jam rikthyer në formën e duhur me ndihmën e Kalleshi Center. Çdo femër që ka lindur, e di se në peshë mund të biesh, por trupi ndryshon shumë dhe duhet punë për të ardhur në formë. E kam kthyer atë në linjat e duhur falë përkushtimit të Anilës.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura